Trupi gjykues në lëndën Grupi i Gjilanit nuk ia ka ofruar besimin dëshmitarit kryesor të prokurorisë për krime të luftës
Departamenti për krime të luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, me trupin gjykues të të cilit ka kryesuar gjykatësja Snezhana Nikoliq-Garotiq, në datën 19.09.2012 e ka dënuar të akuzuarin Samet Hajdarin me burgosje në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë vitesh (15), Ahmet dhe Nazif Hasanin me burgosje në kohëzgjatje prej trembëdhjetë vitesh (13), Agush Memishin, Burim Fazliun dhe Selmon Sadikun me burgosje në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vitesh, Faton Hajdarin me burgosje në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, Kamber Sahitin, Ferat Hajdarin dhe Sadik Aliun me burgosje në kohëzgjatje prej tetë (8)vitesh dhe Shefqet Musliun me burgosje në kohëzgjatje prej pesë (5) vitesh.
Dënimet iu janë shqiptuar për shkak të kryerjes së veprës penale të krimeve të luftës ndaj popullatës civile nga neni 142, paragrafi 1 i LPJ, të cilat i kanë kryer në Gjilan nga data 17 qershor deri në datën 23 qershor të vitit 1999, në dëm të dëshmitareve C1 dhe C2, të cilat i kanë torturuar, rrahur dhe dhunuar. Për shkak të mungesës së provave, të dënuarit janë liruar nga përgjegjësia penale për torturë dhe vrasje të viktimave, identiteti i të cilave nuk është vërtetuar si dhe për gjymtimin dhe djegien e trupit. Të akuzuarit Fazli Ajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Shefqet Musliu, Sadik Aliu, Idriz Aliu, Shemsi Nuhiu, Ramadan Halimi dhe Ferat Hajdari, në mungesë të provave, janë liruar nga përgjegjësia penale.
Me rastin e peshimit të lartësisë dënimit, gjykata, si rrethanë vështirësuese e ka vlerësuar faktin se të akuzuarit, në mënyrë të vazhdueshme, në një periudhë të gjatë kohore, i kanë kryer veprimet e cekura në aktakuzë, si dhe se kanë vepruar në mënyrë brutale. Si rrethana lehtësuese i ka vlerësuaer rrethanat e tyre familjare si dhe moshën e re në kohën kur janë kryer veprat penale.
Fondi për të Drejtën Humanitare konsideron se në procedurën e përsëritur në mënyrë kualitative janë shmangur parregullësitë, të cilat me saktësi i ka konstatuar Gjykata e Apelit në Beograd. Gjykata sërish i ka kushtuar një rëndësi të tepruar rrethanave lehtësuese, që është bërë praktikë në gjykimet për krimet e luftës. Procedurën e përsëritur e ka karakterizuar sjellja jokorrekte e indivividëve të caktuar nga mbrojtja, të cilët në mënyrë të pamatur e kanë vlerësuar punën e prokurorit, si dhe kumtimin e pavërtetë të Prokurorisë për krime të luftës mbi gjoja kërcënimet e të të akuzuarit Agush Memishit. Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nikoliq-Garotiq në mënyrë të vendosur ka thënë se në sallën e gjykatës nuk është kërcënuar prokurori për krime të luftës. FDH, vëzhguesi i të cilit e ka përcjellë seancën e datës 19.09.2012, po ashtu në mënyrë të vendosur refuzon pohimin e PKL se i akuzuari Memishi e ka kërcënuar prokurorin Miroljub Vitoroviqin. Gjykata ka vlerësuar se PKL në mënyrë të vrazhdë i ka keqpërdorur vuajtjet e viktimave dhe shpresën e tyre se do ta zbulojnë të vërtetën mbi pësimin e tyre dhe pësimet e të afërmve të tyre.
Faktet
Gjykimi kundër 17 të akuzuarve ka filluar në datën 23.09.2009. Vendimin gjyqësor të shkallës së parë, me të cilin dënohen nëntë të akuzuarit, gjykata e ka shqiptuar në datën 21.01.2011.
Duke vepruar sipas ankesave të prokurorit për krime të luftës, të mbrojtësve dhe të të akuzuarve, Gjykatas e Apelit në Beograd, në datën 7.12.2011 e ka hequr vendimin gjyqësor të shkallës së parë. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vendimi gjyqësor është kontradiktor në arsyetimin e vet dhe në shqiptimin në lidhje me kohën e kryerjes së veprës penale. Ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, me rastin e vlerësimit të deklaratave të dëshmitarit-bashkëpunues “Bozhur 50”, ka zbatuar standarde të dyfishta dhe, së këndejmi, një pjesë të pohimeve e ka pranuar si të vërtetë, kurse një pjesë tjetër si të pavërtetë. Gjykata e shkallës së parë nuk e ka bindur panelin ankimor edhe në lidhje me ekzistimin e konfliktit të armatosur në Kosovë pas datës 20.06.2012. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vendimi gjyqësor është i paqartë edhe në pikëpamje të numrit të viktimave. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka parashtruar arsye bindëse lidhur me vlerësimin se deklaratat e dëshmitarëver C1 dhe C2 janë të qarta. Për këtë arsye e ka urdhëruar dëgjimin e vëllait dhe të nuses së dëshmitares së dëmtuar C1.
Në procedurën e përsëritur janë dëgjuar një numër i madh i dëshmitarëve si dhe janë paraqitur prova të tjera, të cilat i ka cekur Gjykata e Apelit në Beograd. Është bashkuar edhe procedura për të akuzuarit e tjerë, e cila më heret ka qenë e ndarë.
Në arsyetimin me gojë të vendimit të ri gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues , gjykatësja Snezhana Nikoliq-Garotiq, ka shpjeguar se gjykata i ka pranuar deklaratat e dëdhmitarëve C1 dhe C2. Gjykata ka vlerësuar se deklaratat e tyre janë të mbështetura edhe me pohimet e vëllait të dëshmitares C1. Po ashtu, si kryerës të veprave penale i kanë njohur disa nga të akuzuarit në sallën e gjykatës si dhe nga fotografitë, të cilat iu janë treguar. Megjithë disa ndryshime në pohime, gjykata e ka vlerësuar dëshminë e këtyre viktimave si të vërtetë, duke e shpjeguar këtë me traumat e mëdha, të cilat i kanë përjetuar si dhe me rrjedhën e kohës së ngjarjeve. Gjykatësja në mënyrë bindëse ka qartësuar se deklaratat e dëshmitarit-bashkëpunues “Bozhur 50” nuk i ka pranuar, sepse gjatë procedurës shpesh i ka ndryshuar pohimet e tij dhe, po ashtu, ai ka sjellë edhe pohime paushalle dhe të përgjithësuara, pa hollësi, data dhe vende. Gjykata ka vlerësuar se deklaratat e dëshmitarit-bashkëpunues “Bozhur 50”janë në kundërshti me deklaratat e një numri tjetër të madh të dëshmitarve, tç cilët, në këtë procedurë, kanë qenë 206, prej tyre 179 të dëmtuar. Gjykata ka vlerësuar se dëshmitë e dëshmitarit-bashkëpunues “Bozhur 50” janë të kundërta me raportimet e BIA-s, VBA-s, EULEX-t si dhe me ato të ekspertizës në pikëpamje të kujtesës dhe të djegies së trupave të personave të vrarë.