Programi për kthimin e refugjatëve dhe personave të shpërngulur nga komuna e Pribojit është pranimi i parë zyrtar i padrejtësisë së kryer ndaj boshnjakëve në Sanxhak

Qeveria e Republikës së Serbisë, në datën 29.03.2012, ka miratuar programin për kthimin e refugjatëve dhe të boshnjakëve të shpërngulur nga komuna e Pribojit në periudhën 1991 – 1999 me porosinë e qartë ”se kurrë më nuk do të përsëritet dëbimi dhe shpërngulja e qytetarëve të saj për shkak të kërcënimeve, frikës dhe rreziqeve objektive për jetën, siç ka ndodhur në rastin me qytetarët e kombësisë boshnjake të komunës së Pribojit“.

Me program është planifikuar që, në afatin prej katër vitesh, të riparohet dëmi dhe të kompensohen qytetarët e plaçkitur nga Kukuroviqi, Sjeverina, dhe fshatrat e tjera kufitare në drejtim të BeH dhe të krijohen kushte për kthimin e qëndrueshëm dhe ekzistencën e personave të kthyer.

 

Programi është rezultat i angazhimit të përbashkët të Fondit për të Drejtën Humanitare, Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave të Dëbuar dhe të Shpërngulur nga komuna e Pribojit dhe e Komitetit të Sanxhakur për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, nga njëra anë, dhe grupit të deputetëve dhe ministrit pa portofol Sulejman Ugljaninit, nga ana tjetër, që boshnjakët e dëbuar dhe të shpërngulur nga  Sjeverina, Kukuroviqi dhe fshatrat e tjera të komunës së Pribojit të kompensohen dhe që t’iu krijohen kushte për një mbijetesë të qëndrueshme.

 

Faktet

Në kohën e konflikteve të armatosura në BeH, posaçërisht nga muaji tetor i vitit 1992 e deri në muajin qershor të vitit 1993, boshnjakët në fshatrat kufitare i janë ekspozuar maltretimit të përditshëm të pjesëtarëve të Ushtrisë së Jugosllavisë. Pjesëtarët e Ushtrisë së Jugosllavisë kanë hyrë në shtëpitë e tyre, ua kanë bastisur shtëpitë, pa arsye kanë shtënë me armë në shtëpitë e tyre, i kanë plaçkitur dhe i kanë frikësuar me kërcënimet e tyre. Boshnjakët nga rreth 20 fshatra kufitare të komunës së Pribojit kanë qenë të shtrënguar që t’i braktisin shtëpitë e tyre. Në mungesë të tyre, prona e mbetur iu është shkatërruar dhe plaçkitur. Policia, në disa raste, ka kryer hetime, por kurrë, asnjë kryerës i këtyre krimeve nuk është sjellë para drejtësisë. Në 20 vitet e kaluara, askush nga personat e shpërngulur nuk është kthyer, sepse, para së gjithash, nuk ka pasur ku të kthehet dhe nuk ka pasur as mbështetje të shtetit.

 

Pos plaçkitjes dhe shkatërrimit të pronës, ka pasur edhe disa vrasje dhe rrëmbime. Boshnjakun nga Sjeverina, Ramë Berbën, në qendër të fshatit, në datën  26 gusht të vitit 1992, e ka vrarë ushtari, i cili e ka legjitimuar. Një ditë para rrëmbimit të 16 banorëve të fshatit të Sjeverinit, në datën 21 tetor të vitit 1992, disa persona të paidentifikuar të uniformuar e kanë kidnapuar Sabahudin Qatoviqin para shtëpisë së tij në Sjeverinë. Që nga ajo ditë atij i ka humbur çdo gjurmë. Në mbrëmjen e 19 shkurtit të vitit 1993, në fshatin Kukuroviq, pjesëtarët e UJ e kanë vrarë Mushan Husoviqin, Uzeir Bulutoviqin dhe Fatime Saraçin, e pastaj i kanë djegur në shtëpitë e tyre. Në muajin prill të vitit 1993, në Sjeverinë është zhdukur edhe Hasan Mujoviqi. As sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.

 

Fondi për të Drejtën Humanitare, Shoqata për Mbrojtjen e Personave të Dëbuar dhe të Shpërngulur nga komuna e Pribojit dhe Komiteti i Sanxhakut për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e përshëndesin vendimin e Qeverisë, që paraqet pranimin e parë zyrtar të padrejtësive dhe të shkeljeve të cilat, ndaj qytetarëve të Serbisë të kombësisë boshnjake, i kanë kryer pjesëtarët e forcave të armatosura të Republikës së Serbisë.

 

 

Share