Radio Televizion i Kosovës: FDH: Qeveria e Kosovës duhet ta përmirësojë pozitën e komuniteteve pakicë në vend

Radio Televizion i Kosovës
Të drejtat e pakicave vazhdojnë të shkelen çdo ditë. Institucionet e Kosovës nuk i kanë ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar shkeljen e të drejtave themelore dhe zbatimin e plotë të ligjit mbi përdorimin e gjuhëve dhe ligjit kundër diskriminimit, u tha sot në Prishtinë, me rastin e paraqitjes së raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare : “Çështja e sigurisë, punësimit dhe zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ligjit kundër diskriminimit në Kosovë”.

Në saje të hulumtimit të Fondit për të Drejtën Humanitare del se minoritet janë të integruara në shoqërinë kosovare. Megjithatë, raporti tërheq vërejtën se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë aq sa duhet në zbatimin e plotë të ligjit mbi përdorimin e gjuhëve dhe ligjit kundër diskriminimit.
Sandra Orloviq, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare tha se për një shoqëri të dalë nga lufta, marrëdhëniet ndëretnike konsiderohen çështje të cilat kërkojnë një trajtim të veçantë.

“Në periudhën në vijim ne do të vazhdojmë të merremi me këto tema dhe të përcjellim zbatimin e ligjit dhe të standardeve për të drejtat e pakicave në Kosovë. Ngase ne besojmë se kjo temë dhe këto çështje janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Orloviq.

Ndërsa Ardita Metaj-Dika, koordinatore e projektit “ Të Drejtat e Pakicave në Praktikë”, Fondit për të Drejtën Humanitare, zyra në Kosovë, vlerëson se problemi më i madh i të gjitha komuniteteve në Kosovë, përfshirë këtu edhe shqiptarët, është papunësia.
Sipas raportit del se pjesa më e madhe e serbëve janë të punësuar në institucionet paralele të Qeverisë së Serbisë, të cilat funksionojnë në Kosovë.

Pas pavarësisë së Kosovës një numër i madh i serbëve kanë lëshuar vendet e tyre të punës në institucionet e vendit. Në raport thuhet e Kosova ka shënuar përparim të përgjithshëm në drejtim të përmirësimit të shkallës së sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha bashkësitë etnike.

“Të gjitha pakicat etnike në Kosovë ndihen të sigurta dhe nuk ka probleme evidente të lirisë të lëvizjes. Gjithashtu, zyra ka evidentuar probleme të sigurisë për pakicën serbe, mirëpo ato probleme të sigurisë kryesisht kanë të bëjnë me ndikimin e incidenteve sporadike që kanë ndodhur në Kosovë, si dhe mosangazhimin e institucioneve të Kosovës për t’i zbuluar këto incidente etnike”, ka thënë Ardita Metaj-Dika.

Raporti rekomandon se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje më të mëdha në mënyrë që të përmirësohet pozita e komuniteteve pakicë në Kosovë dhe të respektohet e drejta e tyre për punësim, përdorim të gjuhës amtare në jetën e përditshme dhe arsimim në gjuhët e pakicave. Po ashtu të krijohen kushte për siguri dhe integrim të të gjitha komuniteteve etnike në shoqërinë kosovare.

Share