Dënimi i Gashit, Rrustemit dhe Mehmetit nuk solli drejtësi për viktimat

Trupi i përzier gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë/Priština, me të cilin kryesonte gjykatësi ndërkombëtar Francesco Flori, shpalli më 02.10.2009 aktgjykimin me të cilin dënoi komandantin e dikurshëm të UÇK-së, Rrustem Mustafën, me burgim në kohëzgjatje prej katër vjetësh, ndërsa bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, u dënuan me gjashtë përkatësisht tre vite burgim, për shkak të veprës penale të krimit të luftës kundër popullsisë civile, që sanksionohet sipas nenit 142 në lidhje me nenin 22, 24, 26 dhe 30 të LPJ-së. Dy ditë pas shpalljes së vendimit, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Ratkoceri, deklaroi publikisht se gjatë shqyrtimit dhe votimit ai nuk është pajtuar me dënimin e shqiptuar sepse e konsideron atë të padrejtë ndaj të akuzuarve. Ai e arsyetoi zbulimin e të dhënave për mënyrën e votimit me kërcënimet të cilat i kishte marrë pas shqiptimit dhe shpalljes së aktgjykimit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me këtë rast, kërkoi inicimin e procedurës diciplinore ndaj gjykatësit Rrahman Ratkoceri, i cili në ndërkohë është suspenduar.

Edhe pse të akuzuarve nuk u është vënë në barrë se kanë vrarë të burgosurit Drita Bunjakun, Agim Musliun, Idriz Svarqën, Alush Kastratin dhe Hetem Jasharin, trupat e të cilëve janë gjetur pas lufte, sepse me vendimin paraprak të Gjykatës Supreme të Kosovës të njëjtit janë liruar nga akuzat për vrasjen e tyre për shkak të mungesës së provave, FDH Kosovë është i mendimit se dënimet e shqiptuara nuk janë në përputhje me peshën e veprës penale (trajtim çnjerëzor ndaj civilëve të ndaluar) të cilën e kanë kryer të akuzuarit dhe se gjykimi nuk solli drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Nga ana tjetër, FDH Kosovë mbështet plotësisht Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili reagoi me kohë dhe i dërgoi mesazh të qartë publikut se ky funksion nuk mund të kryhet nga individët që shkelin ligjin dhe etikën gjyqësore. Gjykatësi Rrahman Ratkoceri ka shkelur dispozitat e Kodit të Përkohshëm të Procedurës Penale të Kosovës, i cili përcakton se shqyrtimi dhe votimi mbi vendimin bëhet në seancë të fshehtë, me çka u dha arsye qytetarëve të dyshojnë se mund të ndikohet në vendimin e trupit gjykues.

Fondi për të Drejtën Humanitare – Kosovë është i mendimit se drejtësia nuk është vënë në vend dhe familjarët e viktimave nuk janë plotësisht të kënaqura me këtë gjykim, por duke pasur parasysh sfidat dhe vështirësitë e shumta me të cilat ballafaqohen gjykatat kosovare me rastin e zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë, ky gjykim, megjithatë, shënon një hap të rëndësishëm përpara drejt vendosjes së parimit të përgjegjësisë. Satisfaksioni i plotë i familjeve të viktimave dhe vendosja e drejtësisë do të jetë i mundur vetëm atëherë kur gjyqësia kosovarë të jetë aftësuar për të hetuar në tërësi krimet dhe të jetë në gjendje t`i identifikojë dhe t´i dënojë kryesit.

Gjykata vërtetoi se nga tetori i vitit 1998 deri në fund të prillit të vitit 1999, të akuzuarit, në bashkëveprim me individë tjerë të panjohur dhe në kuadër të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor ndaj civilëve, shqiptarë të Kosovës dhe një serbi, të ndaluar në mënyrë të paligjshme në qendrën e paraburgimit në Llapashticë/Lapaštica. Të akuzuarit i kanë mbajtur civilët në kushte johumane dhe johigjienike, duke i privuar nga ushqimi, uji dhe përkujdesja e nevojshme mjekësore. Ky trajtim çnjerëzor u shkaktoi civilëve të burgosur vuajtje të papërshkrueshme, lëndim të integritetit trupor dhe rrënim të shëndetit të të burgosurve, përmes frikësimit dhe terrorit. Mes civilëve të burgosur ishin: dëshmitari anonim 7, dëshmitari anonim 4, Drita Bunjaku, dëshmitari H, Agim Musliu, Idriz Svarqa, Alush Kastrati, Hetem Jashari dhe dëshmitari V.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë/Priština mori vendimin e parë të shkallës së parë më 16.07.2003, me të cilën i akuzuari Latif Gashi u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh, Nazif Mehmeti 13 vite, Naim Kadriu 5 vite dhe Rrustem Mustafa 17 vite. Më 21.07.2005, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi që lënda të kthehet për rigjykim. Procedura kundër të akuzuarit Naim Kadriu u ndërpre në ndërkohë, meqenëse ai ndërroi jetë në një fatkeqësi komunikacioni.

Rigjykimi filloi më 07.07.2009. Gjithsej u mbajtën 12 seanca gjyqësore në të cilat u dëgjuar 16 dëshmitarë. Gjatë procedurës së paraqitjes së provave mbrojtja u përpoq të tregojë se qendra e paraburgimit në Llapashticë/Lapaštica është themeluar me qëllim të izolimit të individëve për të cilët dyshohej se bashkëpunojnë me forcat serbe, me çka do të parandalohej veprimtaria e tyre e mëtutjeshme dhe do t´i mbronte nga hakmarrja e popullsisë së revoltuar shqiptare. Por, në kundërshtim me këto pohime, të burgosurit Drita Bunjaku, Agim Musliu, Idriz Svarqa, Alush Kastrati dhe Hetem Jashari janë vrarë dhe trupat e tyre u gjetën pas përfundimit të luftës. Megjithatë, me vendimin e Gykatës Supreme të Kosovës të akuzuarit u liruan nga akuzat për vrasjen e tyre për shkak të mungesës së provave, kështu që me aktakuzën e e ndryshuar nuk janë përfshirë këto akuza.

Share