Të akuzuarit për vrasjen e familjes pesë anëtarëshe në Likë të Osikut janë dënuar me 12 nga vite burg

Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti për krimet e luftës, me datën 14.03.2011, ka dënuar të akuzuarit Čedo Budisavljević, Mirko Malinović, Milan Bogunović dhe Bogdan Gruičić me nga 12 vite burg, për krimet e luftës kundër popullatës civile, të kryera në tetor të vitit 1991, në Likë të Osikut [Kroaci]. Zyra e Prokurorisë Shtetërore e Republikës së Kroacisë ia ka dorëzuar këtë lëndë Prokurorisë për krime të luftës të Republikës së Serbisë, në bazë të marrëveshjes për bashkëpunim në ndjekjen e autorëve të krimeve të luftës.

Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se një vendim i tillë nuk do të shpijë në përmbushjen e drejtësisë dhe satisfaksionin për familjet e viktimave, veçanërisht për shkak të mosndjeshmërisë që kanë treguar të akuzuarit Budisavljević, Malinović dhe Bogunović gjatë vrasjes dhe djegies së trupit të Lucije Rakićit, si dhe hedhjen e të katër trupave të të vrarëve Mana, Dragana, Milovana dhe Radmile Rakić në një greminë në Golubnjače. I akuzuari Budisavljević lehtë e ka pranuar kryerjen e veprës penale, dhe ka shpjeguar detajisht rolin e secilit, nga të akuzuarit në këto vrasje, gjë që gjatë shqiptimit të dënimit të tij, këtë gjykata e ka marrë si rrethanë lehtësuese, ai nuk ka shprehë pendim për këtë vepër, por ka thënë se pushkatimi është bërë sipas urdhrit të Dušan Orlovićit, Shef i Sigurimit të Shtetit SAO Krajinë. Me rastin e shqiptimit të dënimit, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Vinka Beraha-Nikićević, ka deklaruar se nuk ka prova të besueshme dhe të padyshimta se  Dušan Orlović ka urdhëruar vrasjen e familjes Rakić, dhe se ato pretendime mungojnë në shqiptimin e dënimit. I akuzuari  Budisavljević ka deklaruar se i vjen keq për Rakićin si njerëz, porse ata është dashtë të pushkatohen si tradhtarë. Kur e ka pyet Kryetarja e Gjykatës se a ka pasë mënyrë tjetër që të zgjidhet ai problem, e jo me likuidim, Budisavljevići është përgjigjur: kam gabuar vetëm pse nuk e kam themeluar një gjyq ushtarak, ti dërgoj në Likë të Osikut dhe ti pushkatoj me urdhëresë me shkrim.

Gjykata ka vërtetuar se i akuzuari gjatë muajit tetor të vitit 1991, në territorin e Komunës Teslingrad (Likë Osik) si pjesëtarë i SUP-it të SAO Krainë dhe MT Teslingrad, për shkak të dyshimit se posedon radio-stacion, dhe se bashkëpunon me formacionet e armatosura kroate, ka arrestuar Mana Rakićin dhe familjen e tij Milovanin, Draganin dhe  Radmilën; dhe se i akuzuari  Budisavljević në natën mes 20. dhe  21. 10. 1991 sipas marrëveshjes me të akuzuarit Malinović dhe Budisavljević ka vrarë me armë zjarri, përderisa dy të tjerët kanë bërë roje, pastaj që të tre i kanë djegur kufomat dhe shtëpinë. Disa ditë më vonë të akuzuarit Budisavljević, Malinović, Bogunovića dhe Gruičić sipas marrëveshjes i kanë lidhur katër anëtarët e familjes Rakić, të cilët kanë qenë të mbyllur në hapësirat e stacionit policor në Teslingrad, dhe i kanë dërguar, me automjet, të cilin e ka vozitur i akuzuari Gruičić, deri në greminën Golubnjača, ku i kanë vrarë me armë zjarri dhe i kanë hedhë në greminë.

Gjykimi ka filluar me 4.10.2010. Gjatë nëntë ditëve të gjykimit janë dëgjuar 14 dëshmitarë, në mesin e të cilëve pesë dëshmitarë ishin të palës së dëmtuar dhe pesë ekspertë të gjykatës. Me video-lidhje nga Gjykata e Qarkut të Zagrebit ka dëshmuar një dëshmitarë, përderisa para Trupit Gjykues, të Departamentit për krime lufte në Beograd është marrë në pyetje një dëshmitarë nga Kroacia. I akuzuari Budisavljević e ka pranuar kryerjen e veprës, në mënyrë detale e ka përshkruar rolin, në ngjarjet konkrete, të të gjithë të akuzuarve. Mbrojtja e të akuzuarit Malinović ka qenë e bazuar në faktin se pas ngjarjes kontestuese ka pësuar lëndim të rëndë, andaj nuk i kujtohet ngjarja konkrete. Të akuzuarit Bogunović dhe Gruičić nuk kanë mohuar se kanë qenë prezent me rastin e vrasjeve, por kanë thënë se nuk kanë gjuajtur në Mana, Dragana, Milovana dhe Radmila Rakićin. I akuzuari Bogunović më tutje ka mohuar se ka bërë roje dhe se ka qenë i armatosur me rastin e vrasjes se Lucije Rakićit, dhe se ka marrë pjesë në djegien e kufomës dhe shtëpisë në të cilën ajo ka qenë e vrarë. Dhoma e Gjykatës i ka kushtuar besim të plotë deklaratës së të akuzuarit Budisavljevića dhe ka theksuar se pranimi nga ana e tij është mbështetur në provat e dhëna, dhe se i akuzuar nuk ka pasë arsye ti ngarkojë me akuzë të pabazë të akuzuarit e tjerë, sepse me vepra të tilla ai kurrsesi nuk do të mund ta sjellte veten në situatë më të mirë. Dhoma e Gjykatës nuk i ka besuar mbrojtjes së të akuzuarve  Malinović, Bogunović dhe Gruičić duke konkluduar se mbrojtja e tyre është bërë duke llogaritur në shmangien e përgjegjësisë penale. Prandaj, nuk është e qartë, se si të akuzuarit janë dënuar me dënim të njëjtë me burg, posaçërisht sepse akuza nuk e ka ngarkuar të akuzuarin Gruičić për vrasjen e Radmila Rakićit, gjë që është konfirmuar me vendimin e marrë. Gjithashtu, i akuzuari  Budisavljević ka qenë zëvendës i komandantit të stacionit policor, dhe përgjegjësia e tij në rastin e kryerjes së veprës penale ka qenë më e madhe, prandaj edhe dënimi ka qenë dashtë të jetë në proporcion me nivelin e përgjegjësisë.

Share