Dënimi për krime ndaj Serbëve dhe joshqiptarëve në Gjilan

Departamenti për krime lufte i Gjykatës së Lartë në Beograd, në gjykimin të cilin e udhëhoqi gjykatësja Snežana Nikolić-Garotić, me datën 21.01.2011, shqiptoi vendimin për dënim, në lëndën kundër nëntë të akuzuarve për krime lufte ndaj popullatës civile në Gjilan. Të akuzuarit u dënuan me burg, dhe atë Agush Memishi, Selimon Sadiku dhe Samet Hajdari me nga 15 vite burg, Faton Hajdari, Ahmet Hasani dhe Nazif Hasani me nga 10 vite burg, ndërsa Kamber Sahiti dhe Ferat Hajdari me nga 8 vite burg.

Të të akuzuarve (pandehurve) Agush Mehmeti, Faton Hajdari, Samet Hajdari dhe Selimon Sadiku iu zgjat koha e mbajtjes në paraburgim, ku gjenden prej datës 29.12.2008, ndërsa të akuzuarit (pandehurit) tjerë Ahmet Hasani, Nazif  Hasani, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti dhe Burim Fazliu, pas fjalës përmbyllëse të datës 29.12.2010, janë liruar nga paraburgimi, dhe u është ndaluar largimi nga vendqëndrimi i tyre pa lejen e gjykatës, dhe u është urdhëruar që të lajmërohen rregullisht në stacionin policor.

Fondi për të drejtën humanitare, vlerëson se gjykata i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dëshmitë dhe ka vërtetuar fajësinë e të akuzuarve (pandehurve) për krimet e bëra ndaj civilëve serb dhe joshqiptarë në Konviktin e shkollës së mesme në Gjilan, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova. Me rastin e vlerësimit të shkallës së dënimit, gjykata i ka marrë parasysh rrethanat vështirësuese, se të akuzuarit në mënyrë konstante për një periudhë të gjatë kohore i kanë kryer veprimet sipas akuzës, brutalitetin, numrin e viktimave dhe pasojat e rënda, si dhe rrethanat lehtësuese siç janë rrethanat familjare, mbajtja e të akuzuarve në procedurë dhe mosha e tyre e re në kohën kur i kanë kryer veprat penale.

Edhepse dënimi maksimal i paraparë me ligj për krime të luftës, është 20 vjet burg, për shkak se ligji parasheh kufizimet të cilat kanë të bëjnë me të akuzuarit (pandehurit) të cilët kryejnë vepër penale si të mitur gjegjësisht para se të arrijnë moshën jetësore 21 vjeç, gjykata disa të akuzuarve u ka dhënë dënim më të vogël. Megjithatë, disa dënime nuk janë adekuate me peshën e veprës penale dhe me to nuk çojnë në kënaqësinë e familjeve të viktimave, kjo posaçërisht sepse disa nga kryesit e veprave gjenden në arrati.

FDH bindshëm avokon për atë se në gjykimet për krime lufte, nuk është e përshtatshme të zvogëlohen dënimet, duke u thirrë apo bazuar në rrethanat lehtësuese, posaçërisht kur viktimat janë civilët të cilët e gëzojnë mbrojtjen e Konventës së IV të Gjenevës, ndërsa kryesit e veprave janë pjesëtarë të armatosur të njërës nga palët në konflikt.

Akuza e datës 11.08.2009, i ka ngarkuar të pandehurit, se si pjesëtarë të UÇK-së, pasi që një njësi e tyre, në fillim të muajit qershor 1999, ishte vendosur në territorin e zonës operative të ashtuquajtur Karadak (territor në Komunën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Novo Bërdës) dhe atë njësia komanduese në objektin e APJ-së (ushtrisë jugosllave) në Gjilan, dhe pjesëtarët tjerë, rreth 100 ushtarë, në objektin e Konviktit të qendrës së shkollës së mesme, dhe me qëllim të realizimit të qëllimit të përbashkët – arritja e kontrollit të përgjithshëm civil dhe ushtarak në territorin e Kosovës, dhe njëkohësisht edhe dëbimin e popullatës serbe dhe joshqiptare nga ky territor, në periudhën prej fillimit të Qershorit deri në fund të Dhjetorit të vitit 1999, kanë urdhëruar dhe kryer ndaj popullatës civile të nacionalitetit serb dhe joshqiptare dhe ndaj disa individëve të nacionalitetit shqiptarë burgime të paligjshme, trajtime çnjerëzore, tortura, dhunime, vrasje, lëndime trupore, shkaktim të vuajtjeve të mëdha dhe grabitje të pasurisë, që ka pasë për pasojë së paku 80 persona brutalisht të torturuar deri në vdekje dhe vrasje, së paku 34 persona të zhdukur fati i të cilëve nuk dihet akoma deri në ditët e sotme, dhe së paku 153 persona të të arrestuar në mënyrë joligjore, të torturuar dhe pastaj të liruar. Trupat e tetë të vrarëve janë gjetur më vonë, përderisa janë identifikuar trupat e Stojančeta dhe Zorica Mladenovićit.

Gjykimi i 17 të akuzuarve ka filluar me 23.09.2009, Në muajin Nëntor 2010, gjykata e lartë ka marrë vendimin që procedura të ndahet, për Shefqet Musliun, Sadik Aliun, Idriz Aliun, Shemsi Nuhiun, Ramadan Halimin, Fazli Ajdarin, Rexhep Aliun dhe Shaqir  Shaqirin, për arsye se ata gjenden në arrati. Gjithsej janë mbajtur 50 ditë gjykimi, gjatë së cilës kohë janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë, në mes të cilëve 21 dëshmitarët kanë qenë të palës së dëmtuar. Gjatë dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtur dhe të dëshmitarëve bashkëpunëtorë, publiku ka qenë i larguar. Të gjithë të akuzuarit (pandehurit), përveç Ferat Hajdarit dhe Kamber Sahitit të cilët janë mbrojtur me heshtje, janë deklaruar se janë të pafajshëm. Gjykata nuk e ka pranuar mbrojtjen e tyre, se në Konvikt në Gjilan kanë ardhur pas periudhës kohore e cila ceket në akuzë, por e ka pranuar deklaratën e dëshmitarëve bashkëpunues Bozhuri 50 dhe të dëshmitarit të mbrojtur C1 dhe C2. Dëshmitari bashkëpunëtorë i ka përshkruar detajisht krimet e kryera dhe rolin e secilit të të akuzuar, dhe Gjykata nuk ka gjetur asnjë motiv që ai do të kishte pasur për t’i akuzuar rrejshëm cilindo nga të akuzuarit. Gjithashtu, dëshmitaret e dëmtuara kanë përshkruar mjaft  bindshëm dhe prekshëm se çfarë u ka ndodhur dhe cilin nga të akuzuarit e lidhin me ato ngjarje.

Share