Gjykata e Apelit në Beograd ua mohoi fëmijëve të Behram Gigollaj, të drejtën në kompensim ligjor, për vrasjen e babait.

Gjykata e Apelit në Beograd refuzoi kërkesën e Ryve, Gani, Nimetullah, Haki, Lumnije dhe Asman Gigollaj, bashkëshortes dhe fëmijëve të të ndjerit Behram Gigollaj, të cilin sulmuesit e panjohur e kishin rrahur për vdekje, me datën 24.03.1999, në Banjën e Matarushkës, për dhënien e kompensimit material.

Ky vendim është vazhdim i praktikës dekurajuese të gjykatave në Serbi, që të mos e njohin të drejtën e viktimave prej sjelljeve dhe veprave joligjore të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të organeve shtetërore në kohën e Sllobodan Milosheviqit, në kompensim material.

FDH në kuadër të programit të tij për përkrahjen e viktimave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në të kaluarën, me datën 19.09.2007, ngriti padinë kundër Republikës së Serbisë në emër të familjes së të ndjerit Behram Gigollaj, për kompensim material. FDH paraqiti edhe ankesë për vepër penale kundër NN, kryesit të veprës me datën 14.04.2006, por deri në ditën e sotme nuk ka marrë njoftim lidhur me fatin e kërkesës së paraqitur.
Gjykata e shkallës së parë, me datën 12.06.2008, e obligoi Republikën e Serbisë që ta bëjë kompensimin material në vlerë prej tre milionë dinarë, për shkak të përgjegjësisë për mos parandalim të sulmit. Gjatë vendim marrjes sipas ankesës, Zyra e Prokurorit Publik, lidhur me këtë vendim, Gjykata e Apelit nuk e ka kontestuar  vendimin e gjykatës së shkallës së parë se ekziston përgjegjësi shtetërore për vdekjen e Behram Gigollajt, por ka konstatuar se kjo lëndë është vjetruar për të kërkuar kompensim material, duke u thirrë në qëndrimin e Gjykatës Supreme të Serbisë (GjSS), të vitit 2004, sipas së cilës rastet me afate të gjata, të vjetruara, (afatet kohore që vlejnë kur është shkaktuar dëmi nga vepra penale) vlejnë vetëm për kryesit e veprave penale, e jo edhe për shtetet, e cila është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës dhe të ligjit, për raste të caktuara përgjigjet për dëmin e shkaktuar nga vepra penale (p.sh: gjatë demonstratave publike, veprat penale të kryera nga pjesëtarët e MPB-së dhe UJ-ve në kuadër të zbatimit të kompetencave të tyre, etj.

FDH paralajmëron se vendimi i Gjykatës së Apelit si dhe vendimi kontestues i GjSS-së është në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së RS-së dhe dispozitat ekzistuese ligjore, si dhe me dokumentet dhe standardet ndërkombëtare në sferën e të drejtave të njeriut.

Kushtetuta e RS-së garanton mbrojtjen gjyqësore/ligjore dhe eliminimin e pasojave të cilat janë shkaktuar me rastin e shkeljes së të drejtave të njeriut si dhe të drejtën për rehabilitim dhe kompensim material, andaj parasheh që dispozitat e të drejtave të njeriut dhe të pakicave të interpretohen në favor të promovimit të vlerave të një shoqërie demokratike, në pajtim me standardet e aplikueshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe praktikat e institucioneve ndërkombëtare. Obligueshmëria për ofrimin e kompensimit ligjor për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut është pjesë përbërëse e dokumenteve të shumta ndërkombëtare, shumica e të cilave janë të detyrueshme për Serbinë. Qëndrimi i  Gjykatës është në kundërshtim edhe me parimin e drejtësisë dhe me përpjekjen për të kompensuar viktimat e veprave penale, si dhe të parimit për të siguruar mbrojtje më të madhe ligjore për palën e dëmtuar, në të cilën Gjykata Supreme është mbështetë më parë në vendimet dhe qëndrimet e saj ligjore.

Mohimi i të drejtës të viktimave dhe anëtarëve të familjeve të viktimave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, në procedurat gjyqësore që të kenë tretman dinjitoz dhe kompensim të dëmit, paraqet shkeljen e dispozitave të Kushtetutës dhe ligjit, si dhe të një numri të madh të obligimeve të cilat i ka marrë shteti ynë me rastin e ratifikimit të dokumenteve ndërkombëtare. FDH, Qendra në Beograd për të drejtat e njeriut dhe Rrjeti ndërkombëtar për ndihmë viktimave të torturës, me datën 24.11.2004, kanë parashtruar kërkesë për ndryshimin e paragrafit kontestues të GjSS-së, por GjSS-ja nuk i është përgjigjur ende.

Faktet e rastit:
Behram Gigollaj, në vitin 1988 u zhvendos nga Kosova në Banjë të Matarushkës, ku ai hapi një furrë. Kohë pas kohe, atij i ndihmonin djemtë e tij në drejtimin e punës në furrë. Në natën kur filloi intervenimi i NATO-së në RSF-jë, me datën 24.03.1999, Behrami dhe djali e tij Ganiu filluan punën rreth orës 23:00h. Pak më vonë, në dyqan hynë furishëm një grup prej pesë ose gjashtë të rinjsh të panjohur. Posa hynë në dyqan, ata filluan t’i rrahin me grushte, me këmbë e pastaj edhe me pjesën e topitur të sopatës. Pas dhjetë minutave, ky grup iku nga furra. Ganiu e gjeti babanë e tij para dyqanit në pellg gjaku dhe pa vetëdije. Së shpejti arriti Ndihma e Shpejtë, e cila e mori Behramin e lënduar, ndërsa Ganiu atë natë e kaloi te fqinji i tij.
Të nesërmen, Ganiun e morri në pyetje policia, por nuk ia siguroi përkthyesin, edhepse ai nuk e kupton mirë gjuhën serbe. Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, Ganiu iku nga Serbia në Shqipëri, që të takohej me familjen e tij e cila kishte ikur nga Kosova. Behram Gigola, i cili kishte mbetur në spitalin e Kraljevës, vdiq nga plagët e marra, me datën 28.03.1999. Familja e mori trupin e tij përmes MKCK, më vonë në shtator të vitit 2000.
Në natën kur filluan bombardimet e NATO-s (24.03.1999), në Kraljevë dhe Banjë të Matarushkës, por edhe në qytetet tjera të Serbisë, shumë dyqane, pronarë të të cilave ishin shqiptarët, ishin demoluar. Sipas të dhënave të FDH-së, Behram Gigolaj dhe djali i tij ishin sulmuar në kohën kur policia kishte informata për sulmet në lokalet e Shqiptarëve. Megjithatë, policia nuk kishte ndërhyrë për të parandaluar këtë. Qëndrimi pasiv i policisë në natën e 24.03.1999, është në kundërshtim edhe me praktikën e deri atëhershme të policisë së Kraljevës, i cili ka qenë, që në raste të ngjarjeve kritike në Kosovë, të sigurohen objektet në pronësi të Shqiptarëve.

Share