Kallëzim penal kundër pjesëtarëve të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në fshatrat Zahaq dhe Pavlan
Fondi për të Drejtën Humanitare me datë 23 gusht 2010 ngriti kallëzim penal pranë Prokurorisë për krime lufte të Republikës së Serbisë kundër pjesëtarëve të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ), Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe grupeve kriminale nën kontroll të UJ-së dhe MPB-së, përgjegjëse për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve në fshatrat Pavlan dhe Zahaq dhe në fshatrat tjera përreth komunës së Pejës gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Kallëzimi është ngritur kundër Dragan Zhivanoviqit komandantit të atjeshëm të brigadës 125 të motorrizuar të UJ-së, Gjorgje Nikolliqit, shefit të atjeshëm të Shtabit të brigadës së 125-të të motorrizuar, Topllica Milladinoviqit komandantit të atjeshëm të batalionit 177 ushtarako-territorial të UJ-së dhe vartësit të drejtëpërdrejtë për raportim Zhivanoviqit dhe Nikoliqit, kundër të cilit Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti për krime të luftës tashmë ka filluar hetimin për shkak të dyshimit të bazuar se në maj të vitit 1999 në Kosovë ka kryer krime të luftës kundër civilëve, Radosllav Brnoviqit oficerit të SPB-së në Pejë si dhe disa pjesëtarëve të tjerë të UJ-së dhe MPB-së dhe grupeve kriminale nën kontrollë të UJ dhe MPB-së së Serbisë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale të krimit të luftës ndaj civilëve nga neni 142, paragrafi 1 të ligjit penal të Republikës Federative të Jugosllavisë (LP RFJ).
Këta persona ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi penal nga dhjetori i vitit 1998 deri më qershor të vitit 1999 kanë urdhëruar apo kanë kryer vrasjen e 49 shqiptarëve, kanë plaçkitur banorët shqiptarë, kanë djegur dhe rrënuar shtëpitë e tyre, kanë keqtrajtuar dhe frikësuar ata dhe kanë kryer krime të tjera me qëllim të dëbimit të shqiptarëve nga komuna e Pejës dhe përfundimisht nga territori i Kosovës. Krimet më të rënda në fshatrat Pavlan dhe Zahaq janë kryer më 14 maj 1999. Atëbotë, në fshatin Zahaq, konvojin me të dëbuarit shqiptarë e kanë ndaluar forcat serbe me uniformë të UJ-së dhe nga kamionët e traktorët kanë ndaluar dhe ndarë 18 shqiptarë. Kur kolona e mbetur e grave, fëmijëve dhe burrave më të moshuar shqiptarë të dëbuar ka lëshuar fshatin, ushtarët serbë nga armët e zjarrit kanë vrarë 17 nga 18 shqiptarët e ndarë: Ismet Hysenin, Sabit Hysenin, Naim Hysenin, Agim Hysenin, Bajrush Hysenin, Shpend Hysenin, Shaban Ramën, Fazli Dobrën, Muhamet Dobrën, Halit Dobrën, Fehmi Gjokën, Hysen Gjokën, Bekim Deliun, Zymer Smajlajn, Shaban Smajlajn, Gёzim Cukajn dhe Demë Atashin, përderisa pushkatimin e ka mbijetuar vetëm Bajram Smajlaj. Të njëjtën ditë, ushtarët serbë në fshatin Pavlan kanë dëbuar shqiptarët civil, kanë plaçkitur shtëpitë e tyre e më pastaj i kanë djegur ato. Me atë rast kanë vrarë dhjetë civilë shqiptarë: Shaban Kelmendin, Haxhi Dreshajn, Nimon Gashin, [Agim (Osman) Selmanajn dhe/ose Agush (Selman) Gashin], Zenun Shalën, Mucë Lulajn, Zymer Gashin, Vesel Nikqin, Gjejrane Nikqin dhe Hatixhe Nikqin.
Ndaj këtyre personave që është ngritur kallëzimi penal, Zhivanoviqit, Nikoliqit dhe Milladinoviqit në kohën e kryerjes së këtij krimi kanë pasur kotrollë të plotë dhe efektiv mbi të gjitha grupet serbe të cilat kanë vepruar në zonën nën përgjegjësinë e brigadës 125 të motorrizuar të ushtrisë ku edhe janë kryer krimet .
Zhivadinoviq, Nikoliq dhe Milladinoviq janë përgjegjës jo vetëm sipas përgjegjësisë komanduese por edhe përgjegjësisë individuale për të gjitha krimet e luftës nga kallëzimi penal. Kjo,për shkak se jo vetëm që nuk i kanë ndaluar, dënuar dhe nuk kanë kërkuar dënimin e kryerësve dhe urdhërdhënësve të krimeve por ata e kanë menduar krimin, planifikuar dhe kanë marrë pjesë në ekzekutimin e tyre dhe më pastaj edhe në shkatërrimin e gjurmëve të krimit dhe fshehjen e kryerësve të drejtëpërdrejtë.
Duke qenë se disa persona nga ky kallëzim penal për krime lufte është e qartë se kanë qenë bashkëpjesëmarrës apo pjesëmarrës në krimet e luftës të kryera në të njëjtën ditë në fshatin Çyshk dhe se kundër disave prej këtyre është duke u kryer hetimi për krimet e luftës të kryera në këtë fshat FDH propozon zgjerimin e hetimeve edhe ndaj personave që sapo është ngritur kallëzimi penal sepse për këtë ekzistojnë të gjitha supozimet ligjore.