Konfirmohet dënimi i Gani Hazerajt për pjesëmarrje në trazirat e marsit të vitit 2004

Gjykata Supreme e Kosovës, në panelin e kombinuar gjyqësor të cilin e kryesonte gjykatësi ndërkombëtar Emilio Gatti, më 19.01.2010, e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prizren, me të cilin i akuzuari Gani Hajzeraj u dënua me kusht me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh për shkak të pjesëmarrjes në trazirat  e marsit në vitin 2004 në Prizren. Dënimi i të akuzuarit nuk do të përmbushet nëse ai në afatin prej 12 muajsh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit nuk e kryen ndonjë vepër tjetër penale.

FDH Kosovë konsideron se dënimi i cili iu shqiptua Gani Hazerajt është i butë duke pasur parasysh se i akuzuari e ka mohuar fajin e tij dhe tentonte që ta përjashtonte mundësinë e dënimit të tij penal, edhe pse motivi i tij për pjesëmarrje në trazirat e marsit ishte urrejtja ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb. Sido që të jetë, dënimi i Hazerajt është i ligjshëm dhe i vetmi i mundshëm, sepse ankesën ndaj aktvendimit të shkallës së parë e ka ushtruar vetëm mbrojtja e Hazerajt. Në këtë mënyrë, Gjykata Supreme e Kosovës ishte e kufizuar me nenin 417 të KPPK, i cili thotë se nëse ankesa ushtrohet vetëm në interes të të akuzuarit, atëherë aktvendimi në shkallën e dytë nuk mund të ndryshojë në mënyrën e cila do ta dëmtonte atë nga këndi i kualifikimit ligjor të veprës penale dhe dënimit të shqiptuar penal. FDH Kosovë konsideron, po ashtu, se qëndrimi pasiv i prokurorit, respektivisht heqja dorë nga ushtrimi i ankesës kundër aktvendimit të shkallës së parë, edhe pse i akuzuari u dënua me gati dënimin minimal, si dhe propozimi i tij, i paraqitur gjatë fjalës përmbyllëse, që gjykata ti shpallte atij dënimin më të butë apo dënimin me kusht, nuk është në përputhje me rolin dhe funksionin e prokurorisë për të ndjekur kryesit e veprave penale.

Në bazë të evidencës së konfirmuar, gjykata ka  konstatuar se i akuzuari Hajzeraj ka qenë një nga pjesëmarrësit e trazirave të marsit në Prizren më 17 dhe 18 mars 2004, kur demonstruesit hidhnin gurë mbi godinën e komunës dhe makinat e UNMIK-ut të parkuara pranë kësaj godine, dhe u vinin flakën shtëpive serbe dhe objekteve të kultit të tyre, me çfarë ka kryer veprën penale pjesëmarrje në grup i cili i kryen veprat penale nga neni 320, paragraf 1 i KPK. Sido që të jetë, nuk u konfirmua se i akuzuari ka qenë organizator apo lider i grupit të demonstruesve, siç pretendonte aktakuza. Aktvendimi është i plotfuqishëm, kështu që palët në procedurë nuk kanë të drejtë për ankesë. Palët mund t’i ushtrojnë vetëm mjetet e jashtëzakonshme juridike (kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë) në afatin prej 3 muajsh nga data e pranimit të aktvendimit.

Gjykimi i shkallës ës parë u zhvillua nga data 18.06.2009 deri më 28.09.2009, kur u shqiptua aktgjykimi fajësues. Shqyrtimi kryesor u zhvillua gjatë 6 ditëve të punës, gjatë të cilëve u dëgjuan 12 dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe një dëshmitar i cili, konform nenit 366 të  LPPK, u morr në pyetje jashtë shqyrtimit kryesor, ngase nuk ishte në gjendje të jetë i pranishëm në gjykim. Mbrojtja nuk e kontestonte fatin se i akuzuari Hazeraj ka marrë pjesë në demonstratat e 18 marsit të vitit 2004, por pohonte se ai, pasi demonstratat filluan të jenë të dhunshme, u nda nga grupi dhe shoi në shtëpi. Gjykata e shkallës së parë e ka mbështetur vendimin e vet mbi deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në  polici dhe gjatë shqyrtimit kryesor, si dhe mbi evidencën materiale, në mesin e së cilës ishin fotografitë e pjesëmarrësve të trazirave të incizuara gjatë demonstratave. Një nga dëshmitarët ishte i armatosur gjatë deponimit të dëshmisë së vet. Mbrojtja e ngriti këtë çështje, duke pohuar se ky person, edhe pse pjesëtar i policisë, merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit dhe se është e nevojshme që të çarmatoset në gjykatore. Por, paneli gjyqësor, të cilin e kryesonte gjykatësi ndërkombëtar Malcom Simons, nuk e pranoi vërejtjen e mbrojtjes dhe lejoi që dëshmitari të mbetet i armatosur në gjykatore, edhe pse neni 328, paragrafi 3 i LPPK thotë se personat që marrin pjesë në shqyrtimin kryesor nuk guxojnë të mbajnë me vete armë a po mjete të tjera të rrezikshme, përpos gardianëve të të akuzuarit që mund të jenë të armatosur.

Share