Mihailo Markoviq dënohet me vendim të plotfuqishëm për shkak të mashtrimit të shqiptarit nga Kosova që po kërkonte djalin e zhdukur
Më datë 9 mars të vitit 2009, Fondi për të Drejtën Humanitare [FDH] pranoi aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Belo Polje [të datës 30 dhjetor 2008] me të cilën vërtetohet aktgjykimi i marrë në qershor të vitit 2008 nga Gjykata Themelore e Rozhajës ndaj Mihailo Markoviqit, për veprën penale të mashtrimit.
Mihailo Markoviq është dënuar me vendim të plotfuqishëm me burgim në kohëzgjatje prej 18 muajsh, sepse gjatë periudhës prej dhjetorit të vitit 2000 deri në dhjetor të vitit 2004, përmes mashtrimit ka marrë 84.000 DM nga shqiptari Sadri Tahiraj, nga fshati Rracaj/Racaj [komuna e Gjakovës/Đakovica], në këmbim të informatave për vendndodhjen e burgut ku po mbahej djali i tij, Rrustem Tahiraj. Gjykata e obligon Markoviqin që në emër të kompensimit të dëmit t’i paguajë 43.000 euro të dëmtuarit Sadri Tahiraj, i cili në procedurë penale përfaqësohej nga FDH-ja.
Në dhjetor të vitit 2000, 68 vjeçari Sadri Tahiraj kontaktoi me Mihailo Markoviqin, pronar i agjencionit detektiv „Fuqia e shtatë“ („Sedma sila“) nga Berani. Sipas fjalëve të Sadri Tahirajt, Markoviqi është prezantuar si person që ka „lidhje“ në polici dhe ushtri, përmes të cilave ai mund t’ia gjejë djalin, sepse „detyra e tij ishte që t’i gjejë personat e zhdukur“. Me atë rast, Markoviq i kërkon Sadri Tahirajt shumën prej 10.000 DM, të cilën ky i fundit ia jep menjëherë. Gjatë katër viteve pasuese, Sadri Tahiraj i ka dhënë vazhdimisht të holla Markoviqit në këmbim të informatave për djalin e zhdukur, Rrustemin; Markoviqi i kishte thënë disa herë Tahirajt se djalin e ka gjallë, se ai gjendej në njërin nga burgjet e Serbisë, në llogoret pranë Suboticës dhe Borit, ia ka treguar fotografinë ku gjoja ndodhej Rrustem Tahiraj, i ka lëshuar audio incizimin ku kinse dëgjohej zëri i tij, kurse disa herë e ka marrë me vete gjatë gjurmimeve për të birin nëpër burgjet e Serbisë. Në këtë mënyrë, deri në dhjetor të vitit 2004, Mihailo Markoviq ka marrë nga Sadri Tahiraj gjithsej 84.000 DM. Me qëllim që t’i sigurojë të hollat e kërkuara nga Mihailo Markoviq, Sadri Tahiraj u detyrua ta shesë pothuaj gjithë pasurinë e tij.
Më 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë/Meja, komuna e Gjakovës/Đakovica, policia dhe ushtria serbe ndau nga kolona e refugjatëve rreth 300 meshkuj shqiptarë. Në mesin e tyre ishte edhe 22 vjeçari Rrustem Tahiraj, djali i Sadri Tahirajt. Trupi i tij u gjet në varrezën masive në Batajnicë dhe iu dorëzua familjes, në gusht të vitit 2005.
Personi kontaktues:
Avokati Teki Bokshi
Tel: 044 133 555
E mail: tekibokshi@gmail.com