OJQ-të pretendojnë se strategjia e re e krimeve të luftës e Serbisë ka “të meta”

OJQ-të pretendojnë se strategjia e re e krimeve të luftës e Serbisë ka “të meta”

BalkanInsight_logo

Draft strategjia e prokurorisë serbe të krimeve të luftës për vitet 2018-2023 nuk përcakton përparësitë për gjykimet, treguesit për matjen e suksesit apo afatet për përmbushjen e objektivave, pretendojnë aktivistët e të drejtave të njeriut.

Drafti i strategjisë ende të papublikuar i prokurorisë së krimeve të luftës për pesë vitet e ardhshme – një kopje të së cilit BIRN e ka siguruar – ka tërhequr kritika nga grupet e të drejtave të njeriut që pohojnë se dokumenti nuk trajton siç duhet dështimin e vazhdueshëm të vendit për të ndjekur penalisht të dyshuarit e nivelit të lartë.

Të meta të tjera në draft strategjinë për vitin 2018-2023 përfshijnë mungesën e afateve dhe treguesve konkret për matjen e arritjes së qëllimeve, pretendojnë grupet e të drejtave të njeriut që kanë parë dokumentin.

“Drafti nuk ofron zgjidhje për mangësitë kyçe në punën e prokurorisë së krimeve të luftës,” tha Visnja Sijaciç, një analiste ligjore në Qendrën për të Drejtën Humanitare në Beograd, HLC.

Drafti u prezantua nga kryeprokurorja e krimeve të luftës Snezana Stanojkoviç në një takim të mbyllur më 12 mars, ku morën pjesë HLC dhe Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut.

Strategjia e prokurorisë synon të zgjerohet në strategjinë kombëtare për krimet e luftës për vitet 2016-2020 dhe të përshkruajë qartë se çfarë do të bëjë zyra e prokurorisë për krimet e luftës.

Miratimi i saj parashikohet gjithashtu nga plani i veprimit të Serbisë për vitin 2016 për Kapitullin 23 në negociatat e saj për t’u bashkuar me BE-në – kapitulli që lidhet me sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore.

Megjithatë, drafti sugjeron një mungesë qartësie në zgjidhjen e problemeve kyçe që kanë penguar ndjekjen penale të krimeve të luftës në Serbi, sipas dy OJQ-ve që morën pjesë në takim.

Heqja dorë nga angazhimet?

Aktualisht janë 53 të pandehur që po gjykohen në 19 raste para Gjykatës së Lartë të Beogradit dhe Gjykatës së Apelit. Janë përfunduar gjithsej 42 raste, me 72 persona të dënuar dhe 43 të pafajshëm.

Gjyqet më të mëdha që janë në vazhdim e sipër janë ato për vrasjen e 1300 boshnjakëve nga Srebrenica në fshatin Kravica në vitin 1995, masakrimin e rreth 120 shqiptarëve në fshatin Qyshkë në vitin 1999 dhe vrasjen e 70 civilëve kroatë në fshatin Lovas në vitin 1991.

Megjithatë, shumica e rasteve janë kundër një ose disa të pandehurve të rangut të ulët dhe trajtojnë krime me një numër të vogël viktimash.

Strategjia kombëtare për krimet e luftës për vitet 2016-2020 parashikoi se strategjia e prokurorisë “do të përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e rasteve dhe do të krijojë një listë të rasteve me përparësi që do të përpunohen”.

Strategjia kombëtare sugjeroi që rastet më komplekse duhet të kenë përparësi, duke përshkruar kritere që përfshijnë numrin e viktimave, gradën e autorëve dhe mundësinë e sigurimit të provave.

Megjithatë, në vend që të përpunojë këtë,strategjia e prokurorisë thjesht paraqet kriteret e paraqitura në dokumentin e vjetër – dhe bën një hap pas nga ato.

“Me respekt të plotë ndaj kritereve të propozuara për përcaktimin e prioriteteve, ne kujtojmë se të gjitha rastet e trajtuara nga Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës bien në kategorinë e “sidomos komplekse”, thuhet në draft.

Sipas dokumentit, kriteret e renditura në strategjinë kombëtare tani do të jenë dytësore, ndërkohë që kriteret primare do të jenë “interesat e procedurës penale”.

“Çfarë është në ‘interes’ të procedurave penale? Nuk jepet asnjë përkufizon,” tha Natasha Nikoliç, një avokate në Qendrën e Beogradit për të Drejtat e Njeriut.

Së fundmi, thotë dokumenti, kriteret do të përcaktohen më vonë, në marrëveshje me prokurorin publik kombëtar.

“Kur formulohet kështu, kjo mund të nënkuptojë gjithçka,” tha Nikoliç.

Sijaciç u shpreh gjithashtu se projekt strategjia nuk trajton si duhet se si prokurori i krimeve të luftës do të zbatojë kriteret e paraqitura në strategjinë kombëtare.

Ajo u shpreh se “meta më e dukshme” është mungesa e kritereve për të përcaktuar se cilat raste duhet të kenë përparësi.

Kjo ngre shqetësime sepse gjatë viteve të fundit, prokuroria e krimeve të luftës ka ndjekur penalisht vetëm raste “më pak kërkuese” – krime lufte të izoluara me më pak viktima – dhe asnjë të dyshuar të rangut të lartë, tha ajo.

Treguesit e progresit të paqartë

Strategjia kombëtare citoi qartë se strategjia e prokurorisë “duhet të përmbajë treguesit e rezultateve të zbatimit të strategjisë”.

Megjithatë, drafti i prezantuar së fundmi thotë se vlerësimi do të ndjekë treguesit “e paraqitur në strategjinë kombëtare”, ndonëse mbetet e paqartë se çfarë i referohet kjo.

Sijaciç argumentoi se drafti nuk arrin të përmendë asnjë tregues të vetëm, si për shembull, rritje të numrit të vendimeve që e deklarojnë një të pandehur fajtor apo padi të ngritura kundër zyrtarëve të lartë.

Ajo tha se teksti nuk e saktëson qartë qëllimet që synon të arriijë prokuroria, apo afatet për arritjen e qëllimeve të saj.

Prokuroria ka për qëllim të përcaktojë një plan pesëvjeçar për hetimet, por as edhe një afat kohor për këtë nuk është caktuar, shtoi ajo.

“Strategjia ka të meta metodologjike. Ajo nuk përcakton aktivitetet, afatet, apo edhe treguesit me të cilët do të matet suksesi i zbatimit të saj,” tha ajo.

BIRN i dërgoi zyrës së prokurorisë për krimet e luftës pyetje në lidhje me mungesën e afateve dhe probleme të tjera në lidhje me strategjinë, por nuk mori një përgjigje deri në kohën e publikimit.

OJQ-të që morën pjesë në prezantimin e strategjisë thanë se atyre iu tha se mungesa e afateve do të trajtohet sapo të rishikohet plani i veprimit i Serbisë për Kapitullin 23, i cili pritet të mbarojë deri në maj.

Pyetjet “cënuese” shmangen

Plani i veprimit i Serbisë për vitin 2016 për negociatat e saj të Kapitullit 23 me BE-në parashikonte se projekt strategjia për gjykimin e krimeve të luftës do të prezantohej në një takim “ekspertësh” dhe nuk kërkonte që mediat të ishin të pranishme apo madje të informoheshin për të.

Në takimin e mbajtur më 12 mars morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Integrimin në BE, zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Gjykatës së Apelit, Shoqatës së Avokatëve dhe OSBE-së, shërbimeve të inteligjencës së policisë dhe ushtrisë dhe organe të tjera shtetërore, si dhe dy OJQ-të.

Megjithatë, Jeliçiç pretendoi se takimi ishte vetëm një “simulim i një diskutimi” dhe se zërat kritikë u heshtën.

“Sa herë që pyetjet ishin pak më të komplikuara ose ‘cënuese’, na u tha t’i dërgonim komentet tona me shkrim,” tha Jeliciç.

Nikoliç tha gjithashtu se kushdo që donte të bënte një vëzhgim kritik, iu kërkua ta shkruante me shkrim dhe ta dërgonte atë në zyrën e prokurorit deri më 14 mars, afati për dërgimin e propozimeve për ndryshimin e draftit.

HLC paraqiti një propozim prej 15 faqesh për ndryshime në draft, por Nikoliç tha se OJQ-të nuk e dinë “nëse do të ndryshohet ndonjë gjë në muajin apo dy muajt në vazhdim, kur strategjia duhet të miratohet”.

Share