Reagimi i FDH-së në vërejtjet e gjeneralit Ljubisha Dikoviq në emisionin Fjala e rëndë (Teška reč)

Reagimi i FDH-së në vërejtjet e gjeneralit Ljubisha Dikoviq në emisionin Fjala e rëndë (Teška reč)

Logo FHPNë emisionin Fjala e rëndë  të emituar në TV Pink, kryeshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë , gjenerali Ljubisha Dikoviq, me rastin e publikimit të Dosjes “Rudnica” e ka mohuar përgjegjësinë për krime të luftës në Kosovë, duke e akuzuar FDH-në se po zhvillon “fushatë të ndyrë” kundër tij personalisht dhe Ushtrisë së Serbisë. Gjenerali Dikoviq ka thënë se ai kurrë nuk ka “planifikuar dhe as që ka organizuar, nuk ka marrë pjesë dhe në kurrfarë mënyre nuk e ka nxitur kryerjen e krimeve të luftës“.

FDH e thekson se gjenerali Dikoviq me asnjë fjalë nuk është përqendruar në Dosjen „Rudnica“, përkatësisht në pjesët konkrete dhe dokumentet e organeve shtetërore, prej të cilave disa edhe vet i ka nënshkruar, në lidhje me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të brigadës së tij në aksionet ushtarako-policore , në të cilat janë kryer krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, si dhe as në kompetencat e brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë (br.mt. 37) për pastrimin e terrenit të fushëluftimeve, përkatësisht për mbledhjen e kufomave njerëzore në fshatrat, në të cilat janë kryer krimet.

Duke  marrë parasysh se askush nga përfaqësuesit e FDH-së nuk është ftuar në emision, FDH publikisht ia shtron katër pyetje gjeneralit Dikoviq në lidhje me krimet ndaj së paku 41 civilëve në fshatin Rezallë (komuna e Skenderajt) të kryera në datën 5 prill të vitit 1999, 27 trupa të të cilëve janë gjetur në Rudnicë, përkatësisht nga veprimi i br.mt. 37 në Rezallë atë ditë si dhe me veprimet e Repartit për pastrim të br.mt. 37 në datën 13 prill të vitit 1999 në lidhje me trupat e viktimave të krimit në Rezallë.

1. Çka kanë nënkuptuar fjalët „bastisja, thyerja dhe shkatërrimi i FSHT [forcat shqiptare terroriste]” në vendbanimin Mahalla e Delijajve në  Rezallë, të urdhëruara nën Urdhrin  e Ljubisha Dikoviqit të datës 4 prill të vitit 1999, dhe, së këndejmi, sa “FSHT” janë gjetur ose likuiduarën në datën 5 prill të vitit 1999 në këtë fshat?

2. Cila njësi e MPB-së së bashku me Batalionin e Dytë të Motorizuar të br.mt. 37 ka marrë pjesë në aksionin në Rezallë, dhe e cila me formulimin e përgjithshëm „MPB“ përmendet në Urdhrin  e datës 4 prill të vitit 1999?

3. Çka ka bërë Reparti për spastrimin i brigadës së motorizuar 37 me „30-40 trupa“ në Rezallë pasi që në datën 18 prill të vitit 1999 gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë (Kosovë) ka refuzuar për të zhvilluar hetimet dhe ka insistuar që veprimet hetimore t’i ndërmarrin organet hetuese ushtarake dhe se, së këndejmi, a i kanë informuar organet e br.mt. mbi këtë organet hetimore ushtarake?

4. Përse Ministria e mbrojtjes e refuzon dorëzimin e raporteve të luftës të brigadës së motorizuar 37 për datën 5 (dita e krimit në Rrezallë) dhe 6 prill  të vitit 1999, kur disa raporte të luftës të kësaj brigade janë të qasshme për publikun?

Po ashtu, disa pohime të gjeneralit Dikoviq të shprehura në këtë emision mbi angazhimin e br.mt.  37 në Kosovë gjatë vitit 1998 mbi Dosjen „Ljubisha Dikoviq’“, të cilën e ka publikuar FDH në vitin 2012, biografinë e tij dhe vlerësimin e kredibilitetit të tij si dëshmitarë para GJNPJ, e fyejnë vëmendjen e publikut, sepse nuk janë në përputhje me të dhënat dhe dokumentet publikisht të qasshme.

a. Duke folur për pohimet e Dosjes „Ljubisha Dikoviq“ mbi përfshirjen e pjesëtarëve të br.mt. 37 në krimet gjatë vitit 1998, Dikoviq ka thanë:

„Në fund të vitit ‘98, pra, në muajin nëntor vetëm sa e kisha pranuar detyrën e komandantit të brigadës së motorizuar 37, kurse brigada e motorizuar 37 fare nuk ka qenë në hapësirën e Kosovës. As edhe një ushtar i brigadës së motorizuar 37 nuk ka qenë në vitin 1998 në hapësirën e Kosova, e lërë më të flitet për të tërë brigadën”.

Pavërtetësia e këtij pohimi në mënyrë të pakundërshtueshme dëshmon për Urdhrin e Komandës së Armatës 3 (e paraqitur si provë në lëndën Millutinoviqi dhe të tjerët) mbi operacionin „Bubullima 98“, sipas të cilit një grup luftarak i br.mt. 37 ka qenë i angazhuar në aksionet në Kosovë qysh në muajin korrik të vitit 1998. Le ta përkujtojmë edhe se Ljubisha Dikoviq para pranimit të detyrës së komandantit të br.mt. 37në muajin nëntor të vitit 1998 ka pasur një pozitë të lartë në strukturën komanduese të kësaj brigade – e ka kryer detyrën e shefit të shtabit të br.mt. 37.

b. Duke u përqendruar në pohimet e Dosjes „Ljubisha Dikoviq“, që kanë të bëjnë me krimet kundër boshnjakëve të kryera nga batalioni i 16-të kufitar në vitin 1994 dhe 1995, komandant i së cilës në atë kohë ka qenë Dikoviqi, ai ka pohuar se gjetjet e FDH-së të asaj dosjeje janë  „gënjeshtër e pistë “ dhe ka shtuar:

„Detyrën e komandantit të batalionit kufitar e kam dorëzuar në vitin 1994 në fund të muajit gusht dhe jam udhëzuar për shkollim, në përsosjen komanduese-të shtabit në Beograd. Kështu që, që në vitin 95 assesi nuk kam mundur për të qenë as në Bajina Basht e as komandant i batalionit kufitar.

FDH e thekson se në asnjë dokument publikisht të qasshëm nuk ekziston e dhëna se kur e ka dorëzuar Ljubisha Dikoviqi detyrën e komandantit të batalionit të 16-të kufitar të UJ-së. Megjithëkëtë, në biografinë e tij të publikuar në gazetën Politika të datës 12 dhjetor të vitit 2011, me rastin e emërimit të tij në pozitën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, shkruan se në atë pozitë ka qenë prej vitit 1996.

c. Dikoviqi në emision e ka theksuar se para GJNPJ ka dëshmuar  „për hir të së vërtetës“ dhe se kjo gjykatë dëshminë e tij e ka vlerësuar si absolutisht kredibile.

“Natyrisht, para kësaj kam pranuar të jem dëshmitar i mbrojtjes, kam refuzuar që të jem dëshmitar i prokurorisë dhe si i vetmi gjeneral aktiv me së bashku edhe dy oficer aktiv kam marrë pjesë si dëshmitar i mbrojtjes në Hagë për hir të së vërtetës, absolutisht për hir të së vërtetës dhe për asgjë tjetër. Haga e ka pranuar dëshminë time si kredibile, absolutisht. Dhe,  shihni, të gjitha ato që tash Fondi për të Drejtën Humanitare i plason si informata gjenden në dokumentet e Tribunalit të Hagës.”

Megjithëkëtë, faktet flasin ndryshe. Paneli hetimor i GJNPJ në aktgjykimin në lëndën Shainoviqi dhe të tjerët e ka cekur se nga deklaratat e Dikoviqit dhe të disa pjesëtarëve të tjerë të UJ dhe të MPB-së në lidhje me ngjarjet në Skenderaj ka marrë parasysh vetëm disa pjesë të dëshmisë tyre, „të cilat konsiderohen të besueshme “ (parag. 564 i aktgjykimit). Më tutje, GJNPJ ka vërtetuar se Dikoviqi e ka ndryshuar deklaratën e tij gjatë dëshmisë. Për shembull, së pari ka pohuar „se grupi i tij i luftës kurrë nuk ka hasur në civilë në atë zonë [Skenderaj]“, prej së cilës ka hequr dorë kur i është vënë para syve raporti i tij i datës 28 mars të vitit 1999, në të cilin është shënuar: “Në veprimet vijuese në rajonin nga-Voqnjaku presim ikje të disa mijëra civilëve ” (parag. 598 i aktgjykimit).

d. Dikoviq ka thënë se nuk mund t’i atribuohet përgjegjësia komanduese, sepse ai lloj i përgjegjësisë nuk ka qenë i paraparë me legjislacionin vendor, dhe pastaj e ka banalizuar dhe çkuptimësuar atë parim:

„Ja, ta zëmë, le të themi se unë e projektoj rrugën; e kam përfunduar projektin; rrugën e punuar sipas projektit. Natyrisht, pjesëmarrësit e padisiplinuar në komunikacion hyjnë me ashpërsi në kthesë, rrëshqasin, humbin jetën, lëndohen etj. Edhe unë si projektues jam fajtor që nuk kam paraparë që në atë kthesë mund të rezultojë deri te fluturimi i automobilit nëse vozitet me shpejtësi të papërshtatur dhe pikërisht pse atë kthesë e kam projektuar që automjeti të mund të fluturojë.“

FDH përkujton se përgjegjësia komanduese është parim i vendosur qysh nga Lufta e II-të Botërore dhe se është pjesë e të drejtës ndërkombëtare zakonore, që zbatohet në lëndët para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare. Përgjegjësia komanduese përbënë përgjegjësinë e eprorëve në rastet kur ka ditur ose ka pasur arsye për të ditur se vartësi po përgatitet për të kryer krim ose se tashmë e ka kryer, kurse ai nuk ka ndërmarrë masat e domosdoshme dhe të arsyeshme që veprat e tilla t’i parandalojë ose që t’i dënojë kryerësit.

Kjo formë e përgjegjësisë penale në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë ka qenë e rregulluar me ratifikimin e Protokollit I të Konventës së Gjenevës dhe me Udhëzimin mbi zbatimin e rregullave të së drejtës ndërkombëtare të luftës në forcat e armatosura të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, me të cilat Dikoviqi, si oficer me përvojë shumëvjeçare, është dashur të jetë i njohur.

Pohimin e Dikoviqit se përgjegjësia komanduese në vitin 1999 nuk ka qenë e paraparë me të drejtën vendore e hedhin poshtë një numër i madh i procedurave të zhvilluara në Kroaci, në Bosnjë dhe  Hercegovinë dhe në Kosovë për këtë formë të përgjegjësisë penale për veprat e kryera gjatë konflikteve të armatosura të viteve 1990-të. Më në fund edhe në Serbi, në muajin gusht të vitit 2014, Prokuroria për Krime të Luftës (PKL) ka ngritur hetimin  mbi përgjegjësinë komanduese të ish komandantit të brigadës së motorizuar 125 të UJ, Dragan Zhivanoviqit, për krimet e kryera në luftën në Kosovë gjatë vitit 1999.

e. Gjatë emisionit, gjenerali Dikoviq, pjesëmarrësi tjetër si dhe autori i emisionit në mënyrë tendencioze i kanë njëjtësuar dy dosje të ndryshme – dosjen „Rudnica“ të vitit 2015 dhe dosjen  „Ljubisha Dikoviq“ të vitit 2012 – si dhe reagimet e PKL në pikëpamje të këtyre dy dokumenteve. Përndryshe, në emision disa herë është përsëritur se në Dosjen „Rudnica“ bëhen „të njëjtat akuza “ si edhe në Dosjen „Ljubisha Dikoviq“, dhe se PKL në vitin 2012 në pikëpamje të atyre (të njëjtave) pretendime tashmë ishte deklaruar dhe e kishte informuar publikun se nuk ka baza për inicimin e procedurës kundër gjeneralit Dikoviq.

Me një vështrim të thjeshtë në këto dy dokumente – Dosja „Ljubisha Dikoviq“ dhe Dosja „Rudnica“ – shihet se është fjala mbi pohime mbi krime të ndryshme, me përjashtim të krimit në Çikatovë të Vjetër të datës 17 prill të vitit 1999, në lidhje me të cilin FDH në ndërkohë ka arritur deri te dokumente të reja, kurse përfundimisht në vitin 2013 edhe trupat e viktimave të këtij krimi janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë. Së këndejmi, deklarata e PKL mbi Dosjen “Ljubisha Dikoviq” në muajin janar të vitit 2012 nuk ka kurrfarë rëndësie  në lidhje me pohimet e përmbajtura në Dosjen „Rudnica“.

Sa ka të bëjë me sjelljen e PKL në lidhje me krimet e kryera në zonën e përgjegjësisë së br.mt. 37,  FDH ka publikuar një komunikatë të veçantë.  

Transkripti integral i emisionit është i qasshëm këtu.

Share