FDH ia ka dërguar raportin mbi gjendjen në Serbi Komitetit të KB për zhdukjet e dhunshme
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), në datën 9 janar të vitit 2015, ia ka dërguar raportin Komitetit të Kombeve të Bashkuara për zhdukjet e dhunshme (Komiteti) mbi gjendjen në Serbi në këtë fushë. Komiteti, për herë të parë, do të shqyrtojë zbatimin e Konventës mbi mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet e përdhunshme (Konventa) në Serbi në sesionin e tij të 8-të, në datën 4 dhe 5 shkurt të vitit 2015 në Gjenevë.
FDH në raportin e vet ka vënë në pah kornizën ligjore joadekuate, që ka të bëjë me pozitën ligjore të personave të zhdukur dhe të familjeve të tyre në Serbi. Me fjalë të tjera, Ligji mbi të drejtat e invalidëve civil të luftës nuk i trajton familjet e personave të zhdukur si viktima, kurse të drejtat sipas këtij ligji i kushtëzon me shpalljen e personit të zhdukur si të vdekur, që përbënë traumë shtesë për familjet e tyre. Po ashtu, FDH ka vënë në spikamë edhe mungesën e mbrojtjes adekuate dhe efikase gjyqësore për kompensimin e dëmit familjeve të personave dhunshëm të zhdukur. Si problem të veçantë, FDH në raport e ka theksuar mungesën e hetimeve mbi rastet e fshehjes së trupave të shqiptarëve të Kosovës në varrezat masive në Serbi, që përbënë shkelje të të drejtave të viktimave në të vërtetën në lidhje me zhdukjen e dhunshme të personave të tyre më të dashur, ndaj të cilëve Serbia është e obliguar me ratifikimin e Konventës. Raporti, në të njëjtën kohë, analizon rastin e zhdukjes së vëllezërve Çatoviq nga Sjeverini, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur, kurse kësaj familjeje, organet e Serbisë, në mënyrë të vazhdueshme ia mohojnë të drejtat e garantuara me Konventë.
Serbia e ka nënshkruar Konventën në vitin 2007, kurse e ka ratifikuar në datën 18 maj të vitit 2011. Me ratifikimin e Konventës, Serbia, njëkohësisht, ka pranuar kompetencat e Komitetit për vlerësimin e shkallës dhe të nivelit të suksesit të zbatimit të kësaj Konvente.
Pas shqyrtimit të raportit, Komiteti do të miratojë vërejtjet përfundimtare, të cilat kanë për qëllim që t’i ndihmojnë shteteve anëtare në zbatimin e Konventës. Këto vërejtje përfundimtare do të përmbajnë aspektet pozitive në zbatimin e Konventës, fushat më problematike dhe rekomandimet e Komitetit për zgjidhjen e sfidave, me të cilat Serbia po ballafaqohet në këtë fushë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.