Gjykata e Lartë në Nish e ka shqiptuar në datën 17 shkurt të vitit 2016 aktgjykimin, me të cilin Shyqer Maloku, Xhafer Gashi, Demush Gacaferi, Dem Maloku, Argon Isufi, Anton Quni, Ali Rabit dhe Rrustem Berisha, që gjykohen në mungesë, janë shpallur fajtor për shkak të veprës penale të terrorizmit dhe i ka dënuar me dënimet me burgosje në kohëzgjatje prej 15 vitesh. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e vë në spikamë se lënda është karakterizuar me mungesa serioze juridike dhe mungesë të logjikës, që rezultojnë nga kualifikimi i gabuar i veprës dhe të vendimit që të akuzuarit të gjykohen në mungesë.
Pas shqyrtimit kryesor trembëdhjetë mujor në rastin Prokurori kundër Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve,[1] trupi gjykues ndërkombëtar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë (ka kryesuar gjyqtarja Roxana Comsa,[2]) në datën 21 janar të vitit 2016 e ka shpallur aktgjykimin, me të cilin i akuzuari Oliver Ivanoviq është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile dhe ia ka shqiptuar dënimin në kohëzgjatje prej nëntë (9) vitesh. Në arsyetimin e shkurtë, të cilin me këtë rast gjyqtarja Comsa ua ka kumtuar palëve në procedurë, gjykata ka gjetur se Ivanoviqi është përgjegjës për krimin e kryer në datën 14 prill të vitit 1999 në Mitrovicë, në rrugën Milladin Popoviqi (tash Ahmet Selaci), si dhe në rrugën Rruga për Bajrë. Me këtë rast, gjatë veprimeve të forcave paramilitare policore serbe janë vrarë shqiptarët Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi dhe Mehmet Seferi.