Miroslav Vuçkoviq lirohet nga akuza për krime të luftës, për shkak të zgjatjes se paarsyeshme të procesit kundër tij

Serbi Miroslav Vuçkoviq është liruar nga përgjegjësia për krime të luftës kundër popullsisë shqiptare në fshatin Gushac/Gušavac të Kosovës, dhjetë vjet pas ngritjes së aktakuzës së parë kundër tij dhe pas tre gjykimeve të përsëritura. Gjykata Supreme e Kosovës ishte e mendimit se nuk ka arsyetim për mospërfundimin e procedurës për dhjetë vite, prandaj e liroi të akuzuarin Vuçkoviq nga përgjegjësia për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile, duke u mbështetur në shkeljen e të drejtës në gjykim të shpejtë dhe efikas. Vendimin lirues e solli më 7 tetor 2009 trupi gjykues ndërkombëtar, i kryesuar nga gjykatësi Norbert Koster, gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesës së mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë/Mitrovica, me të cilën i akuzuari dënohet me tetë vite burgim.


Share

Dënimi i Gashit, Rrustemit dhe Mehmetit nuk solli drejtësi për viktimat

Trupi i përzier gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë/Priština, me të cilin kryesonte gjykatësi ndërkombëtar Francesco Flori, shpalli më 02.10.2009 aktgjykimin me të cilin dënoi komandantin e dikurshëm të UÇK-së, Rrustem Mustafën, me burgim në kohëzgjatje prej katër vjetësh, ndërsa bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, u dënuan me gjashtë përkatësisht tre vite burgim, për shkak të veprës penale të krimit të luftës kundër popullsisë civile, që sanksionohet sipas nenit 142 në lidhje me nenin 22, 24, 26 dhe 30 të LPJ-së. Dy ditë pas shpalljes së vendimit, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Ratkoceri, deklaroi publikisht se gjatë shqyrtimit dhe votimit ai nuk është pajtuar me dënimin e shqiptuar sepse e konsideron atë të padrejtë ndaj të akuzuarve. Ai e arsyetoi zbulimin e të dhënave për mënyrën e votimit me kërcënimet të cilat i kishte marrë pas shqiptimit dhe shpalljes së aktgjykimit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me këtë rast, kërkoi inicimin e procedurës diciplinore ndaj gjykatësit Rrahman Ratkoceri, i cili në ndërkohë është suspenduar.


Share

Vrasësit e familjes Hajra dënohen në përputhje me peshën e veprës penale

Gjykata Supreme e Kosovës, duke vendosur në shkallën e tretë, vërtetoi më 16.09.2009 vendimin gjyqësor të Gjykatës Supreme të Kosovës të datës 20.05.2008, sipas të cilës janë dënuar të akuzuarit Burim Ramadani, Arben Kiqina, Arsim Ramadani dhe Blerim Kiqina për shkak të vrasjes së pesë anëtarëve të familjes Hajra dhe tentim vrasjes së Pranvera Hajrës, më 20.08.2001, në fshatin Terstenik/Trstenik. Të akuzuarit Burim Ramadani, Arben Kiqina dhe Arsim Ramadani janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh, kurse i akuzuari Blerim Kiqina me 10 vite burgim.


Share