Për pothuajse dy vite nga ngritja e aktakuzës për krim të luftës në lëndën Tërnj janë mbajtur vetëm ditë të gjykimit, derisa Ministria e Mbrojtjes, që nga fillimi i gjykimit, refuzon për të vepruar sipas vendimit përfundimtar të të autorizuarit të plotfuqishëm për informata të rëndësisë publike (I autorizuari) si dhe për të informuar publikun për statusin momental të dy të akuzuarve në Ushtrinë e Serbisë (US). Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e thekson se vonimi i fillimit të gjykimit, përkatësisht veprimi joligjor i ministrisë, i degradojnë gjykimet për krime të luftës të kryera gjatë viteve nëntëdhjetë dhe i dekurajojnë viktimat, të cilat janë duke e pritur drejtësinë 16 vite.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur
Në ditën e diel, në datën 30 gusht shënohet Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur, e cila e ka për detyrë për të ngritur vetëdijen për fatin e personave përdhunshëm të zhdukur. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) përkujton se sipas gjetjeve të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Përdhunshme (Komiteti) të vitit 2015, Serbia ka dështuar në kërkimin dhe në ndëshkimin e njerëzve përgjegjës për varrezat masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës në Serbi, duke përfshirë këtu edhe persona të rangut të lartë si dhe në sigurimin reparacioneve për familjet e viktimave.
Fondi për të drejtën humanitare (FDH) më 17 gusht 2015 ka paraqitur kallëzimin penal për krim të luftës ndaj dy pjesëtarëve të panjohur të njësitit të 86-të të Njësive Speciale të Policisë (NjSP) të Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë (MPB), për shkak të dyshimit të arsyeshëm se më 17 prill 1999 në fshatin Poklek (komuna e Gllogovcit) i kanë vrarë 53 civilë shqiptarë, në mes të të cilëve edhe 24 femra dhe 23 fëmijë. Gjithashtu janë kallëzuar ish-komandanti i njësitit të 86-të të NjSP-së, Dragan Obradoviqi, si dhe komandanti i çetës së cilës kryerësit i përkisnin, përkatësisht për mosparandalimin dhe mosndëshkimin e kryerësve të krimit.
Gjykata Themelore e Beogradit ka marrë dy vendime me të cilat ka urdhëruar Republikës së Serbisë t’u paguajë gjashtë shqiptarëve të Kosovës nga Gllogovci shumën që varion nga 125 deri në 370 mijë dinarë, në emër të kompensimit për dëmet e shkakuar nga përgjegjësia për torturë dhe privim të kundërligjshëm nga liria, të kryer nga pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB). Edhe pse Gjykata me këto vendime konstatoi të drejtën në kompensim për shkeljet e të drejtave themelore të njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) thekson se shumat e përcaktuara nga Gjykata janë padrejtësisht të ulëta, edhe se arsyetimet e vendimeve tregojnë një qëllim të zvogëlimit të përgjegjësisë së shtetit për torturën e përhapur të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999. Avokatët e FDH-së i kanë paraqitur ankesa ndaj këtyre vendimeve Gjykatës së Apelit në Beograd.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i KB) me anë të vetos, të cilën e ka deponuar Federata Ruse në seancën e mbajtur në datën 8 korrik të vitit 2015, e ka refuzuar propozimin e Rezolutës së Britanisë së Madhe me rastin e 20 vjetorit nga gjenocidi në Srebrenicë. Votimit i ka paraprirë një periudhë prej një muaji të negociatave intensive midis anëtarëve të përhershëm të KS të KB me qëllim të përpilimit të një teksti të kompromisit të rezolutës. Gjatë kësaj periudhe, përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore të Serbisë, me anë të thirrjeve publike dhe me aktivitetet diplomatike të orientuara drejt pengimit të miratimit të rezolutës së propozuar, i kanë shkaktuar dëm procesit të pajtimit në rajonin e ish Jugosllavisë dhe i kanë diskretituar paraqitjet dhe deklaratat e mëhershme publike të përfaqësuesve të Serbisë për përkushtimin e tyre ndaj procesit të pajtimit dhe zisë për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.