Fond për të Drejtën Humanitare (FDH) e ka prezantuar në datën 23 tetor të vitit 2015 Dosjen „Operacioni Reka“. Dosja krijon një pamje të zhvillimeve të datës 27 dhe 28 prill të vitit 1999, në fshatrat në perëndim të Gjakovës në Kosovë, kur është zhvilluar një operacion i gjerë i përbashkët i Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me emrin „Operacioni Reka“.Gjatë këtij operacioni, pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë së paku 350 civilë shqiptarë të Kosovës, kurse me mijëra sish janë dëbuar në Shqipëri. Trupat e 309 të vrarëve janë gjetur në vitin 2001 në varrezat e fshehta masive në periferi të Beogradit. Viktima më e re në moshë e këtij operacioni i ka qenë e moshës 15 vjeçare.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i KB) me anë të vetos, të cilën e ka deponuar Federata Ruse në seancën e mbajtur në datën 8 korrik të vitit 2015, e ka refuzuar propozimin e Rezolutës së Britanisë së Madhe me rastin e 20 vjetorit nga gjenocidi në Srebrenicë. Votimit i ka paraprirë një periudhë prej një muaji të negociatave intensive midis anëtarëve të përhershëm të KS të KB me qëllim të përpilimit të një teksti të kompromisit të rezolutës. Gjatë kësaj periudhe, përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore të Serbisë, me anë të thirrjeve publike dhe me aktivitetet diplomatike të orientuara drejt pengimit të miratimit të rezolutës së propozuar, i kanë shkaktuar dëm procesit të pajtimit në rajonin e ish Jugosllavisë dhe i kanë diskretituar paraqitjet dhe deklaratat e mëhershme publike të përfaqësuesve të Serbisë për përkushtimin e tyre ndaj procesit të pajtimit dhe zisë për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.