Beograd,17 janar –Një grup analistësh politik, aktivistësh dhe përfaqësuesish të organizatave joqeveritare nga Kosova kanë vizituar Fondin për të drejtën humanitare ku gjatë bisedës janë njoftuar me punën e FDH-së dhe aktivitetet e Iniciativës për themelimin e komisionit rajonal për përcaktimin e fakteve të të gjitha krimeve dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut në territorin e Jugosllavisë së dikurshme në periudhën 1991-2001 (KOMRA).
Drejtoresha Ekzekutive e FDH-së, Natasha Kandiq ka prezantuar para mysafirëve qëllimet dhe detyrat e Iniciativës për KOMRA duke theksuar se çështja e fatit të të zhdukurve është më e rëndësishmja dhe se qeveria duhet të nxjerr në publik të dhënat për të zhdukurit.
Pjesëmarrësit u interesuan se si do të formohet komisioni i ardhshëm, mënyra se si do të kontrollohet, si dhe kush mund të jenë anëtarët/et e mundshëm/me të KOMRA-së.
Në kuadër të programit Platforma jo-zyrtare Kosovë-Serbi „Reconnection“ , Fondi Hartefact ka organizuar vizitën e parë të pjesëmarrësve nga Prishtina në Beograd, me qëllim që përmes dialogut të definohen çështje kyçe të cilat do të shërbejnë si bazë për dialogun e ardhshëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.