20 vitë duke pritur drejtësinë dhe pranimin

20 vitë duke pritur drejtësinë dhe pranimin

bmi-thumbNë të dielën, më 24 mars, do të jetë 20 vitë nga fillimi i veprimeve sistematike të spastrimit etnik dhe të dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës, të zbatuara nga forcat e armatosura të armisë dhe të policisë serbe gjatë intervenimit të NATO-s në Republikën Federative të Jugosllavisë (RFJ). Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) i fton institucionet e Republikës së Serbisë të sigurojnë drejtësi për viktimat e krimeve të kryera në Kosovë, duke proceduar të gjithë përgjegjës pa marrë parasysh pozitën e tyre në kohën e kryerjes së krimeve ose brenda hierarkisë së sotme të pushtetit, si dhe me përkujtimin publik të vuajtjeve të tyre.

Sipas të dhënave të FDH-së dhe të Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, në periudhën nga 20 mars deri në 14 qershor të vitit 1999, forcat serbe në Kosovë kanë vrarë 6.872 civilë shqiptarë. Gjykata Penale Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë (ICTY) gjeti se mbi 800.000 civilë shqiptarë u dëbuan, një numër ende i papërcaktuar i personave ishin ekspozuar ndaj torturës dhe abuzimit seksual, kurse u shkatërrua një pjesë e rëndësishme e pronës dhe e objekteve fetare të shqiptarëve të Kosovës.

Krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës ishin kryer në mënyrë sistematike dhe të përditshme. Vetëm në një ditë, më 26 mars 1999, në Krushë të Vogël, Suharekë, Landovicë, Celinë dhe vende të tjera u vranë gati 700 civilë. Në ekzekutime masive ishin vrarë edhe gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Trupat e tyre janë djegur, hedhur në puset ose strehuar në vende të fshehta. Deri sot në territorin e Republikës së Serbisë janë zbuluar varre masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999. Në Batajnicë afër Beogradit janë zbuluar 744 kufoma të shqiptarëve të Kosovës, në Petrovo Selo të paktën 61 trupa, te liqeni Peruqac një varr masiv me 84 trupa, kurse në varrin masiv Rudnica janë zbuluar të paktën 52 kufoma të tjera.

Në dënimet e saj në rastet Shainoviq etj. dhe Gjorgjeviq, ICTY ka vërtetuar ekzistencën e një plani shtetëror, qëllimi i së cilit ka qenë dëbimi i një numri të rëndësishëm të shqiptarëve të Kosovës për të siguruar kontrollin e qëndrueshëm ndaj Kosovës. Ekzistenca e planit u vërtetua, mes të tjerash, edhe në bazë të zbatimit të një matrice uniforme të krimit, mosndëshkimit të krimeve të kryera, si dhe shkatërrimit të dokumenteve personale të shqiptarëve të Kosovës në kalimet kufitare me Shqipërisë.

Gjykimet para gjykatave të Serbisë ende nuk e reflektojnë volumin dhe karakterin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në procedurat para gjykatave të specializuara si dhe atyre me juridiksion të përgjithshëm janë proceduar krimet në të cilat janë vrarë vetëm rreth 200 viktima. Bie në sy edhe dështimi për të proceduar oficerë të lartë ushtarakë dhe policorë, në zonat e përgjegjësisë së të cilëve janë vrarë mijëra civilë shqiptarë, ose vartësit e të cilëve i zbatuan veprimet e organizuara dhe të koordinuara të dëbimit, vrasjes, grabitjes dhe fshehimit të trupave civilë. Me përjashtimin e dy oficerëve ushtarakë të rangut të ulët që janë të akuzuar (rastet Qyshku dhe Tërrnje), si dhe një oficeri policor të rangut të mesëm që është liruar ligjërisht (rasti Suharekë), deri tani janë sjellë para drejtësisë vetëm personat nga rangu më i ulët i hierarkisë ushtarake dhe policore. Mungojnë edhe procedurat për krimet më masive, të kryera gjatë fushatës së forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në kohën e intervenimit të NATO-s, siç janë krimet në Mejë, Korenicë, Krushë të Madhe dhe të Vogël, Pastasel dhe Celinë, ku u vranë mbi 800 civilë shqiptarë. Nuk kishte asnjë gjykim për krimet e kryera gjatë vitit 1998, në të cilat janë vrarë mbi 1.000 civilë. Gjithashtu, deri sot në Serbi askush s’ishte përgjegjës as për operacionin e gjerë të fshehimit të trupave të shqiptarëve të Kosovës në varret masive.

Tetëmbëdhjetë vitë pas zbulimit të varreve masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe te liqeni Peruqac, si dhe më shumë se pesë vitë pas zbulimit të varrit masiv Rudnica, në këto vende nuk ka kurrfarë shenjash që do ta tregonin faktin se në territorin e Serbisë janë gjetur qidra kufoma të grave, fëmijëve dhe meshkujve – civilë të vrarë në krimet e shumta masive në Kosovë. Gjithashtu, çdolloj diskutimi publik për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë periudhës tre mujore më 1999, mbetet në hije të manipulimeve senzacionaliste me numrin e viktimave të bombardimeve, pavarësisht nga kërkimi i FDH-së dhe FDH-së së Kosovës, që gjeti se në periudhën nga 24 mars deri në 12 qershor të vitit 1999 nga pasojat e bombardimeve të NATO-s të RFJ-së humbën jetën githsej 754 veta.

Deri sot, FDH e ka paraqitur në publik një total prej gjashtë Dosje ku janë paraqitur dëshmitë për pjesëmarrjen e forcave serbe në krimet ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit në Kosovë (Lubisha Dikoviq, Brigada e 549-të e motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, Brigada e 125-të e motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, Operacioni „Reka, Rudnica dhe Largimi i provave mbi krimet gjatë luftës në Kosovë – Operacioni fshehja e trupave). Këto Dosje përfaqësojnë një thirrje për institucionet e procedimit të krimeve të luftës në Serbi për të hetuar propozimet e tyre dhe për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegës. Deri sot, Prokuroria e Krimeve të Luftës (PKL) nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për krimet e përshkruara në këto Dosje. Gjithashtu, nga viti 2012 FDH i ka paraqitur PKL-së githsej 11 ankesa penale – në shumicën e rasteve kundër anëtarëve të rangut të lartë të ushtrisë dhe të policisë, për të cilët ekzistojnë dëshmitë se njësitë që ata po komandonin i kanë kryer krimet gjatë konfliktit në Kosovë. Mes të tjerash, ankesa penale janë paraqitur për krimet e kryera në Krushë të Vogël, Landovicë, Poklek dhe Goden. I vetmi anëtar i rangut të lartë të Ushtrisë Jugosllave kundër të cilit PKL e ka nisur një hetim është Dragan Zhivanoviq, komandanti i Brigadës së 125-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Megjithatë, në mars 2017, PKL e pezulloi atë hetim. FDH e konsideron një detyrim të PKL-së t’i procedon kryerësit e rangut të lartë të krimeve që janë kryer gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe të krimeve në të cilët u vra një numër i madh i civilëve.

Më 2016 FDH ka nisur Iniciativën për krijimin e një vendi kujtimi, me qëllim që në vendin ku në varret masive ishin hedhur trupat e qindra njerëzve dhe fëmijëve të pafajshëm të themelohet një qendër memoriale, si shenjë e qëndrueshme e respektit ndaj viktimave dhe një kontribut në kujtesën dhe përhapjen e së vërtetës rreth krimeve që nuk duhet të përsëriten. Peticionin për themelimin e memorialit deri tani e mbështetën qindra njerëz, dhe gjatë tre muaj të ardhshëm FDH do të mbledh intensivisht nënshkrime të reja mbështetëse të qytetarëve. Megjithatë, për Iniciativën për themelimin e memorialit në Batajnicë janë të nevojshëm edhe angazhimi dhe vendosmëria politike për t’u qasur marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës nga qëndrimi i përgjegjësisë dhe i pranimit. Prandaj FDH i fton institucionet e Republikës së Serbisë ta mbështesin këtë Iniciativë, dhe ta tregojnë me shembullin e vet rrugën me të cilën në të ardhmen duhet të zhvillohen marrëdhëniet reciproke të Serbisë dhe Kosovës.

Share