| Srpski
 | English
 | Shqip
Pogodak!
REKOM
Fondi përtë Drejtën Humanitare (FDH) gjatë vitit 2008 i ka monitoruar të gjitha gjykimet e zhvilluara në Serbi për krime të luftës, vrasje dhe vepra tjera penale që kanë ndodhur gjatë konfliktevetë armatosura, të gjitha gjykimet e mbajtura në Kosovë për krime të luftës dhe vepra penale të motivuara etnikisht apo politikisht, si dhe disa prej gjykimeve të zgjedhura për krime të luftës në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, në kuadër të bashkëpunimit rajonal për përcjelljen e gjykimeve për krime të luftës pranë gjykatave nacionale.... >>
Bazuar në hulumtimin e zhvilluar, FDH-Kosovë konsideron se situata e sigurisë në Mitrovicën veriore / Mitrovica është e paqëndrueshme.... >>
Çdo qeveri merr përgjegjësinë për veprat e mira dhe të këqija të paraardhësve
të saj, dhe çdo popull për veprat e mira dhe të këqija nga e kaluara e vet.
Hannah Arendt, ''Ajhmani në Jerusalem''
Për Ne
 
Print Send Link To a Friend

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) është organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut e themeluar në vitin 1992 nga Natasha Kandiq, me qëllim që t’i dokumentojë shkeljet skandaloze të të drejtave të njeriut që po kryheshin me të madhe në gjithë Jugosllavinë e asaj kohe, gjatë konflikteve të armatosura në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë. Gjatë këtyre konflikteve humbën jetën të paktën 130.000 njerëz, miliona të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, me mijëra u zhdukën me dhunë, kurse 17.000 persona edhe sot e kësaj dite figurojnë të zhdukur në listat e KNKK-së.

Në periudhën e pas-konfliktit, FDH-ja është angazhuar për realizimin e të drejtave të viktimave të luftës dhe të shoqërisë në tërësi: të drejtës për të kuptuar të vërtetën mbi fatin e më të dashurve të tyre; të drejtës për vënien e drejtësisë në vend; të drejtës për zhdëmtim material dhe simbolik; dhe të drejtës për mospërsëritjen e krimeve, që nënkupton largimin e kryesve të ditur nga institucionet shtetërore dhe pozitat e rëndësishme.

Me synimin për t’i ndihmuar viktimat në realizimin e të drejtave të tyre, FDH-ja ndikon në ngritjen e vetëdijes së institucioneve shtetërore në Serbi, në mënyrë që ato t’i përmbushin obligimet e veta që kanë të bëjnë me hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e kryesve të krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut; informimin e viktimave, familjarëve të tyre dhe shoqërisë për gjithçka që dihet në lidhje me këto ngjarje; ofrimin e zhdëmtimit adekuat për viktimat dhe reformimin e organeve të ruajtjes së rendit, sigurimit shtetëror dhe ushtrisë.

Duke pasur parasysh se konfliktet e armatosura të viteve të nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi kishin pa dyshim karakter ndërshtetëror, është e kuptueshme që edhe përpjekjet e palodhshme të FDH-së për realizimin e të drejtave të viktimave kanë dimension të fuqishëm rajonal, që reflektohet edhe në misionin e tij: t’u ndihmojë shoqërive të dala nga konflikti në ish Jugosllavi që ta rivendosin sundimin e ligjit dhe të përballen me trashëgiminë e abuzimeve masive me të drejtat e njeriut në të kaluarën, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e tyre, të sigurohet llogaridhënia dhe të vihet drejtësia në vend.

Në zyrat e FDH-së që gjenden në Beograd (Serbi) dhe Prishtinë (Kosovë) punojnë më shumë se 40 profesionistë të dedikuar – juristë, shkencëtarë politik dhe historianë. Nga këto zyra, FDH-ja implementon programin e Drejtësisë tranzicionale të orientuar kah viktimat. Ky program përbëhet nga këto njësi: a) Dokumentimi dhe Kujtesa, b) Drejtësia dhe Reforma Institucionale dhe c) Informimi Publik.

 Të arriturat e kohëve të fundit

 2009: Më 2 mars të vitit 2009, FDH-ja paraqiti kallëzim penal ndaj 17 ish anëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë numër 37 (PJP) të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë (MUP Serbia), duke u mbështetur në informatat dhe provat e siguruara nga ajo vet. Sipas këtyre informacioneve, pjesëtarët e kësaj njësie kanë marrë pjesë në kryerjen e disa krimeve në masë në Kosovë. Brenda disa ditësh u arrestuan zyrtarët e policisë: Nenad Stojkoviq, (MPB e Serbisë, nënkolonel), Zoran Markoviq, Dragan Milenkoviq dhe Zoran Nikoliq pjesëtarë të Batalionit të 37-të të Njësive Speciale të Policisë (NJSP/PJP) të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës së Serbisë.

2008: Më 28 dhe 29 tetor të vitit 2008, në Prishtinë, Kosovë, në Forumin e katërt rajonal të konsultimeve për mekanizmat e kërkimit dhe tregimit të së vërtetës, më shumë se 100 organizata dhe individë, duke përfshirë edhe viktimat dhe shoqatat e viktimave nga Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, sikurse edhe shoqatat e qytetarëve, OJQ-të për të drejtat e njeriut, shoqatat e mediave dhe grupet tjera të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni, formuan Koalicionin rajonal i cili do të mbështesë krijimin e Komisionit zyrtar rajonal që do të hulumtojë dhe bëjë publike faktet mbi krimet e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në ish Jugosllavi.

2008: Më 8 maj të vitit 2008, FDH-ja bëri kallëzimin e parë penal ndaj Bozhidar Deliqit, gjeneral-major në pension i Armatës Jugosllave, zëvendëskryetar aktual i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë dhe zyrtar i lartë i Partisë Radikale Serbe, sikurse edhe ndaj dhjetë pjesëtarëve tjerë të Armatës Jugosllave, për shkak të rolit të tyre në krimin e kryer në fshatin Ternje/Trnje, komuna e Suharekës/Suva Reka, më 25 mars të vitit 1999. Në këtë ditë, pjesëtarët e brigadës së motorizuar 549 që vepronin nën komandën e Bozhidar Deliqit, vranë 42 civilë shqiptarë, duke përfshirë edhe fëmijë, gra dhe të moshuar. FDH-ja do t’i përcjellë veprimet e mëtutjeshme të prokurorit për krime të luftës në lidhje me këtë vepër penale.

2008: Në prill të vitit 2008, pranë Dhomës për Krime të Luftës në Beograd filloi gjykimi i 14 të akuzuarve për shkak të dyshimit për rolin e tyre në vrasjen e 70 civilëve kroatë në vitin 1991, në Lovas, Kroaci. Rasti Lovas parqet gjykimin e parë ku janë akuzuar oficerët e Armatës Popullore të Jugosllavisë. Gjykimi është rezultat i fushatës së suksesshme të FDH-së, të filluar në vitin 2005 kur Fondi i dorëzoi Prokurorit për Krime të Luftës provat e grumbulluara në lidhje me krimin në Lovas, duke kërkuar nga ai që t´i fillojë hetimet për këtë rast.

2007: FDH-ja u përfshi në një fushatë të suksesshme për inicimin e hetimeve në lidhje me vrasjen e 700 boshnjakëve në Zvornik, në vitin 1992. Ky krim nuk figuronte në dosjen e Zvornikut që po shqyrtohet pranë Dhomës për Krime të Luftës në Beograd. Hetimet në lidhje me këtë rast kanë filluar në prill të vitit 2007.

2007: FDH-ja publikon të plotë transkriptin nga gjykimi i Sllobodan Millosheviqit në gjuhët boshnjake, kroate dhe serbe. Ky botim u vihet në dispozicion prokurorive, gjykatave, gjykatësve dhe avokatëve të Ballkanit Perëndimor – duke ndihmuar dhe lehtësuar gjykimet për krime të luftës në rajon.

2006: FDH-ja dhe partnerët rajonal filluan konsultimet me shoqërinë civile të rajonit mbi mekanizmat për kërkimin dhe tregimin e të vërtetës për krimet e luftës. Qëllimi final është që të sigurohet mbështetja e shoqërisë civile të rajonit, në mënyrë ajo të sensibilizojë opinionin publik dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për themelimin e Komisionit zyrtar rajonal dhe për publikimin e fakteve për krimet e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish Jugosllavi.

2006: FDH-ja arrin të largojë nga detyra Udhëheqësin e Njësisë Policore për Hetimin e Krimeve të Luftës, një nga hetuesit e saj dhe një anëtar tjetër të Njësisë, për shkak se e kaluara e tyre ishte e komprometuar; këta të tre mbanin poste në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjatë kohës së konflikteve të armatosura në Kosovë, kur ata kishin ose duhej të kishin njohuri për krimet që po kryheshin, por dështuan që t’i parandalojnë apo t´i raportojnë ato.

2005: FDH-ja bënë publike një videokasetë që tregon pjesëtarët e “Scorpionëve”, njësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, duke vrarë me gjakftohtësi gjashtë myslimanë nga Srebrenica, pamje këto që tronditën opinionin serb dhe dëshmuan përfshirjen e Serbisë në krimet e luftës të kryera në Srebrenicë.

2004: FDH-ja lanson Programin për Mbështetjen e Viktimave dhe Dëshmitarëve, duke i inkurajuar dëshmitarët mosbesues dhe të pavendosur për të dëshmuar në gjykimet për krime të luftës që zhvillohen në gjykatat serbe.

Bashkëpunimi rajonal

Fondi për të Drejtën Humanitare është ithtar i qasjes rajonale ndaj proceseve të drejtësisë tranzicionale në Ballkanin Perëndimor. Duka pasur parasysh karakterin ndërshtetëror të konflikteve të armatosura në ish Jugosllavi, iniciativat për kërkimin dhe tregimin e të vërtetës kanë kuptim vetëm nëse ato zhvillohen në nivel rajonal. Dokumentimi i krimeve të luftës të kryera në cilindo prej shteteve të përfshira në konflikt, kërkon në mënyrë të pashmangshme sigurimin e informatave dhe dokumenteve nga një ose më shumë shtete tjera, kurse kryesit, viktimat dhe dëshmitarët shpeshherë ndodhen në anë të ndryshme të kufijve të sotshëm. Prandaj, vërtetimi i fakteve mbi krimet e luftës dhe tregimet ekskluzive sfiduese në lidhje me të kaluarën kushtëzohet nga përpjekjet rajonale, me përfshirjen e të gjitha shoqërive të dala nga konflikti.

Fondi për të Drejtën Humanitare dhe partnerët e tij rajonal filluan procesin e konsultimeve me shoqërinë civile mbi mekanizmat për kërkimin dhe tregimin e të vërtetës. Në Forumin e parë rajonal mbi drejtësinë tranzicionale të mbajtur në Sarajevë, në maj të vitit 2006, Fondi për të Drejtën Humanitare dhe partnerët e tij lansuan iniciativën për themelimin e  Komisionit rajonal (tash e tutje KOMRA) me mandat për të përcaktuar dhe publikuar faktet për krimet e luftës të kryera në ish Jugosllavi. Gjatë periudhës maj 2006 - tetor 2008 janë mbajtur një numër i madh i konsultimeve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor me të rinjtë, artistët, mediat, OJQ-të për të drejtat e njeriut, viktimat, shoqatat e viktimave dhe shoqatat e veteranëve, ndërsa janë organizuar edhe dy Forume tjera rajonale, njëri në Zagreb kurse tjetri në Beograd. Në Forumin e katërt rajonal të mbajtur më 28 dhe 29 tetor të vitit 2008, në Prishtinë, Kosovë, më shumë se 100 organizata dhe individë, duke përfshirë edhe viktimat dhe shoqatat e viktimave nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, sikurse edhe shoqatat e qytetarëve, OJQ-ve për të drejtat e njeriut, shoqatat e mediave dhe grupet tjera të shoqërisë civile nga gjithë rajoni formuan Koalicionin rajonal për KOMRA-n.

Iniciativa për KOMRA-n, e cila filloi si iniciativë e një grupi të vogël të OJQ-ve për të drejtat e njeriut, tani po çohet përpara nga Koalicioni rajonal nën udhëheqjen e Këshillit koordinues. Koalicioni rajonal ka për detyrë që t’i organizojë konsultimet brenda shoqërisë civile për mandatin dhe karakterin e KOMRA-s; të krijojë një model bindës dhe të besueshëm të KOMRA-s, të grumbullojë një milion nënshkrime në mbështetje të krijimit të KOMRA-s dhe t’u dërgojë kërkesë qeverive kombëtare të rajonit për themelimin e KOMRA-s.

Themeluesi

Zonja Natasha Kandiq, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e FDH-së, është laureat i më shumë se 20 çmimeve ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare për të drejtat e njeriut. Në vitin 2000, ajo u nderua me çmimin Martin Ennals, që paraqet mirënjohje prestigjioze për mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Në vitin 2003, gazeta “Time” e vendosi Natasha Kandiqin në mesin e 36 heronjve evropian. Në vitin 2004, Fondacioni “Njerëzit në Nevojë” e nderoi atë dhe FDH-në me çmimin e tyre “Homo Homini”, i cili iu dorëzua nga Vaclav Havel. Në vitin 2005, Natasha Kandiq u shpall qytetare nderi e Sarajevës, kurse gazeta “Bosnja e Lirë” e zgjodhi atë njeriun e vitit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në shtator të vitit 2006, Natasha Kandiq u bë anëtare e Urdhrit të Yllit të Mëngjesit KroatKatarina Zrinska, të cilin Kryetari i Kroacisë ua jep individëve që kanë dhënë kontribut të madh për promovimin e vlerave morale. Në nëntor të vitit 2006, revista “Time” e shpalli Natasha Kandiqin si një nga heronjtë e saj të 60 viteve të shkuara. Në mars të vitit 2007, Natasha Kandiq u bë anëtare e Bordit Ndërkombëtar Këshillues të Revistës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale (Oxford University Journals), kurse në gusht të vitit 2008, ajo u ftua t’i bashkohet Këshillit Konsultativ të Qendrës Weiser të Universitetit të Miçiganit për  Demokracitë që po lindin.