FDH po kundërshton mohimin që u bëhet krimeve të luftës nga ajo pjesë e shoqërisë që nuk dëshiron të përballet me të vërtetën e së kaluarës. FDH argumenton nevojën e përballjes me të kaluarën e hidhur të shkeljes masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut gjatë konfikteve të armatosura. Organizata u mundëson historianëve, kërkuesve shkencorë, familjeve të viktimave, publikut më të gjerë dhe brezave të ardhshëm aksesin në dokumentacionin përkatës që ka lidhje me konfliktet e armatosura.
Si pjesë e përpjekjeve të tij për ngritjen e drejtësisë në tranzicion, FDH mban te informuar publikun, institucionet serbe dhe organizatat ndërshteterore. Informimin e kryen nëpërmjet deklaratave, raporteve, konferencave, buletineve, konferencave për shtyp, Forumit për Drejtësinë në Tranzicion, faqes së tij në internet dhe publikimeve të ndryshme.
Në vitin 2007, FDH publikoi 67 deklarata, 11 buletine të drejtësisë në tranzicion, një varg çështjesh të ngrituara në botimin periodik “Forumi për Drejtësinë në Tranzicion”, një film dokumentar, një filmim të marrjes në pyetje të një dëshmitari, 45 volume të transkriptimeve të gjykimit në Hagë të Slobodan Milosheviqit në gjuhët Boshnjake, Kroate dhe Serbe, transkriptimet e tavolinës së rrumbullakët “Gjykimi mbi Genocidin i Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi” dhe pesë raporte mbi gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.
FDH organizon diskutime publike për drejtësinë në tranzicion në formën e konferencave, tavolinave të rrumbullakëta, seminareve, konslutimeve, dëgjimeve të dëshmitarëve në publik dhe promovimit të të vërtetave të vendosura nga gjykatat. FDH bën filmime të këtyre aktiviteteve të cilat i publikon në faqen zyrtare të internetit. Në vitin 2007, FDH prodhoi një dokumentar mbi njësitin paramilitar Skorpionët.
FDH vazhdimisht bën përpjekje për të zgjeruar veprimtarinë e vet informuese dhe përmirësuar komunikimin me publikun me qëllim që t'i bëjë me dije objektivat, vizionin dhe arritjet e tij, por edhe për të nxitur njerëzit dhe institucionet të bëjnë drejtësi për viktimat, të gjejnë përgjegjësit për krimet e luftës dhe të mos lejojnë manipulimin e numrit te viktimave.

