Konferenca për shtyp “Drejtësia tranzicionale si pjesë e rëndësishme e procesit të integrimeve evropiane të Serbisë”

Konferenca për shtyp “Drejtësia tranzicionale si pjesë e rëndësishme e procesit të integrimeve evropiane të Serbisë”

post_konferencija

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Koalicioni në lidhje me qasjen ndaj drejtësisë kanë prezantuar sot analizën e harmonizimit të legjislacionit vendës me rrjedhat juridike të BE-së në fushat e krimeve të luftës dhe të drejtat themelore të Kapitullit 23-Gjyqësori dhe të drejtat themelore. Analiza „Drejtësia tranzicionale në procesin e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian” i paraqet politikat dhe instrumentet e BE-së në lidhje me krimet e së kaluarës, rregullativin ligjor të BE-së, që i përmban parimet e drejtësisë tranzicionale, harmonizimin e momentit të dispozitave të Republikës së Serbisë me atë rregullativ, si dhe rekomandimet për harmonizimin e mëtejmë. Analiza është në dispozicion në gjuhën serbe dhe angleze.

Konferenca ka pasur qëllim ta vejë në pah nevojën që në procesin e bisedimeve për pranimin e Serbisë në BE të hapen çështje nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe e të drejtave të viktimave të krimeve të luftës, të cilat janë me peshë për demokratizimin e mëtejmë të Serbisë. Negociatat për pranimin janë rast që Serbia ta bëjë atë hap civilizues në raport me ngjarjet e së kaluarës dhe në raportin e saj ndaj tyre dhe viktimave të krimeve të luftës. Çështjet kyçe në këtë proces janë sensibilizimi i institucioneve, përparimi i kornizës ligjore, por edhe ekzistimi i mekanizmave dhe i interesave të Bashkimit Evropian që t’i përkrah këto nisma. Në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha ekzekutive e FDH-së Sandra Orloviq e ka theksuar se deklaratat politike dhe deklaratat mbi pajtimin janë të rëndësishme, por se nuk janë të mjaftueshme dhe se, së këndejmi, është e nevojshme që të shoqërohen nga vepra konkrete.

Oskar Benedikt, zëvendës i shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi ka përkujtuar se vet BE-ja është e krijuar mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit dhe, së këndejmi, ballafaqimi me të kaluarën si pjesë integrale e të drejtave themelore është pjesë përbërëse e negociatave mbi pranimin e Serbisë në BE. Këtu është jashtëzakonisht e rëndësishme të zbatohet korniza ekzistuese ligjore për procedimin e personave përgjegjës për krimet e luftës, gjë që është vendimtare për heqjen e përshtypjes së mosndëshkueshmërisë, që me vite po krijohet dhe po e çrregullon vendosjen e sundimit të ligjit dhe proceset e ballafaqimit me të kaluarën.

Shanley Pinchotti nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtar ka vënë në pah se negociatat mbi pranimin janë rast ideal që ballafaqimi me të kaluarën të përfshihet në kornizën institucionale dhe juridike të Serbisë, por edhe rëndësinë e organizatave joqeveritare për përparimin e kornizës ligjore dhe implementimin e vendimeve ekzistuese.

Gordana Igriqi nga Rrjeti Hulumtues Ballkanik (BIRN) konsideron se përgjegjësi të madhe për heshtjen e përgjithshme dhe mosinteresimin për krimet e luftës, që mbretëron sot, bartin mediat. Ato deri më sot nuk kanë shfaqur interes që këtë fushë ta mbulojnë përmbajtësisht, krahas faktorit shtesë kufizues të ndikimit politik, që i dekurajon në përcjelljen dhe raportimin mbi këto tema. Mbretëron një qetësi absolute edhe lidhur me faktin se çfarë synojnë të bëjnë institucionet në të ardhmen në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën, kështu që krijohet përshtypja se në atë fushë nuk ndodh asgjë – edhe pse gjykimet për krimet e luftës zhvillohen, e madje edhe përkundër përpjekjeve të organizatave joqeveritare që temat e veçanta nga kjo fushë t’i vendosin në rendin e ditës të institucioneve kompetente.

Një vështrim të drejtpërdrejtë lidhur me vështirësitë, me të cilat tash e një kohë të gjatë ballafaqohen viktimat e krimeve të luftës, e ka ofruar Emir Fetahoviq nga Këshilli i Sanxhakut për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore. Ai, si probleme kryesore, ka theksuar gjyqësorin e ngadalshëm dhe joefikas, pasigurinë juridike për shkak të ndryshimit të shpeshtë të dispozitave, qasjen joadekuate ose të pamundësuar ndaj drejtësisë për kategoritë socialisht të rrezikuara të popullatës si dhe mosekzistimin e Ligjit mbi ndihmën juridike falas. Rekomandimet për përparimin e gjendjes në këtë fushë përfshijnë hetimin e shpejtë dhe të frytshëm të shkeljes së të drejtave të njeriut në Sanxhak gjatë konflikteve të armatosura në B dhe H, dhënien e statusit të viktimës civile të luftës viktimave të atyre krimeve, kompensimin e drejtë të dëmit të shkaktuar viktimave, memorializimin e denjë për të gjitha viktimat e krimit në Sjeverin dhe Shtrpce, reformën e institucioneve dhe zbatimin gjithëpërfshirës të Programit për kthim të refugjatëve dhe të personave të zhvendosur boshnjak nga komuna e Pribojit në periudhën e viteve  1991-1999.

Si anëtar i grupit punues joformal për përgatitjen e modelit të ligjit mbi viktimat civile të luftës, Sasha Gajin nga  Qendra për përparimin e studimeve juridike ka vënë në pah se Ligji ekzistues mbi invalidët civil të luftës është një nga kornizat ligjore më diskriminuese në Serbi. Ai ka folur edhe për një varg të ligjeve për mediat, që – edhe pse të shënjuara si urgjente – po përgatiten tash e tri vite e të cilat ende nuk kanë hyrë në procedurën e kuvendit. Kjo, në të vërtetë, flet për dallimin midis qëllimeve në mënyrë deklarative të shprehura të institucioneve dhe dëshirës së tyre të njëmendët që zgjidhjet e caktuara të çohen më tutje. Për këtë flet edhe nisma për ndryshimin e Ligjit mbi ndihmën juridike falas, në kuadër të së cilës tash e një kohë të gjatë polemizohet mbi pranimin e ofruesve afatgjatë të shërbimeve falas të ndihmës juridike në zgjidhjen e re ligjore, prej së cilës, pas përcaktimit fillestar, megjithëkëtë, është hequr dorë.

Drejtoresha e Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut në Serbi, Maja Miqiq, e ka theksuar se sot të gjithë zotohen për reformën e gjyqësorit, që do të sillte një gjyqësor efikas dhe të paanshëm, por se gjykimet në Serbi edhe më tutje zgjasin tepër shumë dhe shkaktojnë mosbesimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor. Po ashtu, gjatë viteve të fundit është e hetueshme edhe tendenca e kufizimit të publikut dhe transparencës së procedurave gjyqësore. Së këndejmi, ajo ka rekomanduar që në procesin e negociatave mbi pranimin në BE qartazi dhe në mënyrë të saktë të thuhet se çka pritet nga Serbia si dhe që institucionet e Serbisë, nga ana tjetër, të jenë të qarta dhe të sakta në paraqitjen dhe në vlerësimin e performancës.

Në fund, Dragan Gjorgjeviqi nga Rrjeti i Këshillit për të drejtat e njeriut e ka vënë në pah se të gjitha vendimet, të cilat janë sjellë në nivel nacional i kanë reperkusionet e veta në nivel lokal, ku, prapë, shpesh, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për zbatimin efikas të politikave. Në rrezik të veçantë janë  kategoritë socialisht të rrezikuara, në mesin e të cilave janë edhe pakicat. Ato e kanë të kufizuar sistemin e mbrojtjes juridike në disa raste ose, madje, nuk kanë qasje fare në këtë sistem. Ai posaçërisht i ka vënë në spikamë mbrojtësit lokal të qytetarëve, të cilët nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ta siguruar mbrojtjen e qytetarëve në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut, të cilave iu ekspozohen nga ana e institucioneve. Ai ka bërë apel që ndaj Ligjit të ardhshëm mbi ndihmën juridike falas të kenë qasje të gjithë, e posaçërisht kategoritë socialist të rrezikuara të popullatës.

Në kuadër të diskutimit, Milan Jankoviqi nga Zyra e avokatit të popullit ka njoftuar se kjo Zyrë në periudhën e ardhshme do të angazhohet që çështja e reparacioneve për viktimat e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të krimeve të luftës të vendoset lart në listën e prioriteteve të institucioneve serbe. Gordana Gjikanoviqi nga Shoqata e personave të kidnapuar dhe të vrarë në Kosovë dhe Metohi e ka shprehur të pritmen e viktimave dhe të anëtarëve të familjeve të viktimave që në mënyrë ligjore ta rregullojnë statusin e viktimës civile të luftës, se të dyja kërkesat tërheqin pas vetes ndryshimin ose miratimin e Ligjit të ri mbi invalidët civil të luftës, i cili do të tejkalojë të gjitha vendimet e padrejta dhe diskriminuese, të cilat i ofron ligji ekzistues, dhe që të mundësojë një raport të drejtë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Autor:
Ana Dokučević, Medija centar Beograd

Share