.jpg)
Sipas të dhënave të ICRC-së (Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq) nuk dihet ende fati i 17158 personave të cilët u deklaruan të humbur gjatë konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavi. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, familjet e tyre kanë të drejtë të dinë se çfarë u ka ndodhur atyre dhe kush është përgjegjës. Gjithashtu ato kanë të drejtë të kërkojnë reparacione, kompensimin e dëmeve, mbështetje sociale, fizike dhe psikologjike nga shoqëria për të tejkaluar traumat e shkaktuara nga humbja e njerëzve të afërm. Të gjithë ne që kemi qenë me fat dhe nuk jemi prekur direkt, kemi të drejtë të kërkojmë nga qeveria që të merren masa në mënyrë që krime të tilla të mos përsëriten më. Këto masa përfshijnë: kërkimin e së vëretës mbi krimet, procedimin penal të kriminelëve, përkujtimin dhe respektimin e viktimave, përfshirjen në tekstet mësimore të të gjitha niveleve të të dhënave të sakta historike mbi shkeljen e të drejtave te njeriut dhe shkeljen e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

