1. Hetimi i akuzave për fatin e të humburve në Kosovë
Për më shumë se tre vjet Fondi për të Drejtën Humanitare kryen kërkime dhe mbledh informacion për të vrarët dhe të humburit në Kosovë gjatë periudhës 1998-2000. Sipas të dhënave të Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Kosovë ka ende 1,900 persona që mungojnë, nga të cilët 1400 shqiptarë dhe 500 serbë e anëtarë të grupeve të tjera jo-shqiptare.
Mungesa e informacionit për të humburit vetëm zgjat vuajtjet e familjeve të tyre, thellon dyshimet dhe nxit akuza e hamendësime të ndryshme. Për këtë arsye, është në të interes të të gjithëve që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Qeveritë kanë detyrimin të hapin hetime dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të gjetur sa më shpejt eshtrat e atyre që mund të kenë vdekur si dhe të nxjerrë të vërtetën për rrethanat e zhdukjes së tyre duke identifikuar autorët e këtyre krimeve.
Diskutimi i kohëve të fundit lidhur me disa pretendime për heqjen e organeve të brendshme të serbëve të rrëmbyer, nxjerr detyrën e gjetjes së kufomave të këtyre personave që mungojnë për të hetuar faktet.
Për këtë arsye, sot edhe një herë i kujtojmë publikut detyrimin e Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë të fillojnë hetime të menjëhershme dhe të nxjerrin shpejt të vërtetën e fateve të të humburve, veçanërisht të atyre të humburve që thuhet së janë mbajtur në kampet e ngritura në territorin shqiptar.
Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të nxisë bashkëpunimin midis qeverive të këtyre vendeve dhe të japë ndihmesën e vet duke vënë në dispozicion të hetimeve të gjitha informacionet që zotërojnë dhe që mund të përshpejtojnë këto hetime.
2. Arkivat e Hagës
Pas mbylljes së Gjykatës së Hagës, do të mbeten materialet arkivore të mbledhura gjatë pesëmbëdhjetë viteve të punës së kësaj Gjykate. Këto dokumente janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për vendet në territorin e ish Jugosllavisë.
Arkivat e Hagës përfaqësojnë një shpjegim të hollësishëm të thuajse të të gjitha ngjarjeve që ndodhën në ish Jugosllavi pas viteve 1900. Ato, padyshim, janë një burim unikal dhe i pazëvendësueshëm provash dokumentare. Këtu gjenden dokumente origjinale, deponime të ekspertëve të kontraktuar nga gjykata, dëshmi të aktorëve kryesorë, por edhe të njerëzve të zakonshëm nga i gjithë rajoni i përfshirë në konflikt, të cilat kurrsesi nuk mund të ishin mbledhur në një vend të vetëm. Fakti është se pjesa më e madhe e Arkivave të Hagës përbëhet nga elementë publikë që janë pjesë e të shkuarës së afërt të kësaj pjese të botës. Për rrjedhojë, ato janë thelbësore në formësimin e kujtesës historike bazuar në fakte dhe jo në paragjykime e keqinterpretime. Për rrjedhojë, është e nevojshme që këto arkiva, në rrugë të drejtpërdrejta dhe të thjeshta, t’u vihen në dispozicion studiuesve, familjeve të viktimave dhe publikut të interesuar në vendet e ish Jugosllavisë.
Hapja e këtyre arkivave për t’u përdorur nga të gjithë, do t’u jepte mundësi të gjithë kombeve dhe komuniteteve etnike të nxirrnin mësime nga e kaluara dhe të informoheshin për krimet e anëtarëve të tyre, duke i ndihmuar të kuptojnë edhe perceptimet e të tjerëve për ta. Kjo është e vetmja mënyrë për të eliminuar pengesat në rrugën e ndërgjegjësimit për krimet e kryera kundër të tjerëve dhe për të thyer ciklin e mohimit të krimeve.
Është padyshim një dhimbje e madhe përballja me faqet e errëta të historisë së kombit tënd, por është një veprim i domosdoshëm, nëse duam të çlirojmë brezat e rinj nga barra e pjesës së pandershme të historisë.
Në anën tjetër, arkivat e Hagës nuk duhet të kthehen në një mundësi për politizime dhe manipulime të tjera të historisë që sapo kemi lënë pas. Për këtë arsye, del nevoja që këto arkiva t’u kalohen institucioneve të pavarura dhe organizatave jo-qeveritare që kanë përvojën dhe njohuritë e duhura për mbledhjen dhe administrimin e dokumenteve.
Në shekuj, Europa është ndërtuar duke pajtuar shtetet rivale. Këtë vit, Franca dhe Gjermania botuan një tekst të përbashkët historie që mbulon periudhën nga 1814 deri më 1945, periudhë në të cilën këto dy vende kanë zhvilluar edhe luftërat më të mëdha kundër njeri-tjetrit. Të tjera vende në Europë dhe jashtë saj duan të ndjekin këtë model. Polonia dhe Republika Ceke synojnë të zhvillojnë një projekt të ngjashëm me Gjermaninë, Ukraina me Rusinë dhe Japonia me Korenë. Arkivat e Hagës duhet të bëhen burimi më i rëndësishëm i dokumentacionit për vendet dhe shoqëritë e rajonit të ish Jugosllavisë. Bazuar në këto dokumente, interpretimi i historisë që nga 1990 e këtej duhet të harmonizohet me qëllimin e përdorimit të së vërtetës për të parandaluar përsëritjen e dhunës dhe krimeve kundër të tjerëve.
Popujt dhe vendet e ish Jugosllavisë mund të shpëtojnë nga barra e të kaluarës së errët dhe të rivendosin besimin midis njëri-tjetrit duke mësuar të vërtetën siç ka qenë, pa fshehur faktet rreth së kaluarës së tyre.

