Viktimat e Harruara të Bosnjës: Fëmijët e humbur të Gorazdes
Më shumë se 120 fëmijë vlerësohet të jenë vrarë gjatë luftës së viteve 1992-1995 në qytetin boshnjak të Gorazdes, ku sulmet vazhduan edhe pasi zona u shpall “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Ismail Culov nuk arriti ta njihte kurrë vëllain e tij Mirsadin.
Mirsadi vdiq para se të lindte Ismaili, më 14 maj 1992, kur u hodh një predhë në qytetin lindor boshnjak të Gorazdes.
Kur predha guaska, Mirsadi 16-vjeçar po luante me fëmijë të tjerë përpara ndërtesës së tyre. Ai u plagos rëndë dhe më pas vdiq në spital.
“Një copëz sa një kokërr orizi e predhës e goditi atë në qafë”, tha Ismail Culov, i cili tani është imam në një xhami në Ustipraca aty pranë.
“Mbaj mend sa i trishtueshëm ishte Bajrami pas vdekjes së Mirsadit. Në mëngjes përpiqeshim të gëzonim, por kur shkonim në varreza, prindërit e mi përqafonin gurët e varreve, duke qarë. Ata nuk qanin thjesht, por vajtonin me gjithë zemër”, kujton Culov, i cili lindi disa muaj pasi u vra vëllai i tij Mirsadi.
Mirsad Culov ishte një nga të paktën 120 fëmijë që u vranë gjatë luftës në Gorazde, sipas MuamerDzananoviç, një hulumtues në Institutin për Kërkime të Krimeve kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Sarajevës. Në librin e tij me titull “Krimet kundër fëmijëve në Gorazde gjatë rrethimit 1992-1995”, Dzananoviç thotë se u plagosën gjithashtu 428 fëmijë.
Por 25 vjet pas përfundimit të luftës, askush nuk është dënuar akoma për përfshirje në sulmet ndaj Gorazdes.
“Mami, jam plagosur”
Një tjetër fëmijë u vra në një sulm në fshatin Lozje afër Gorazdes (i njohur edhe si Kokino Selo) më 22 maj 1992. Njëmbëdhjetë vjeçarja Advira Sahman ishte në mesin e më shumë se 40 njerëzve që vdiqën.
Ditën e sulmit, nëna Adira Sahman, Izeta, po përpiqej të largohej nga Lozje së bashku me rreth 100 fqinjë.
“Ata po qëllonin nga të gjitha drejtimet”, kujtoi Izeta Sahman. “Në një moment, e mbulova motrën e Advirës me trupin tim. Hodha rytë poshtë dhe pashë që Advira ishte shtrirë te këmbët e mia. Arrita ta prekja me këmbët e mia. E dëgjova të thoshte: “Mami, jam plagosur.” Këmba e saj e majtë ishte mbushur me vrima plumbash.
“E mora Advirën time dhe ia lidha këmbën me shami, por vazhdonte të humbte gjak. Advira vazhdonte të thoshte: ‘Mami, më jep pak ujë, të lutem.’ Nuk kisha ujë me vete. Sa herë që pi ujë, mendoj për të.”
Avdira ndërroi jetë në krahët e nënës së saj, ndërsa ushtarët serbë po i çonin ata në një spital. Më pas, Izeta Sahman dhe vajza e saj e vdekur u transportuan përsëri në Lozje dhe ajo u mbajt në një shtëpi për tre ditët e ardhshme. Ndërsa ishte aty, mësoi se vajza tjetër e saj ishte kapur.
“Tre ditë më vonë, një fqinj serb, një njeri i mirë, sugjeroi që ta varrosim Advirën në kopshtin afër vendit ku sot ndodhet monumenti për viktimat e sulmit. Pranova. Nuk kisha më frikë nga asgjë. Doja vetëm të vdisja”, tha Sahman.
“Fqinji tha se duhej të largohesha atë natë pasi s’do të kishte njeri rrotull. Kështu që ia mbatha.” Vajza tjetër e saj u lirua më vonë në një shkëmbim të burgosurish dhe ato arritën t’i bënin një varrim të denjë 11-vjeçares Advira.
Ish-ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjë, Dragan Sekariç, u i akuzuar për përfshirje në sulm, por përfundimisht u lirua nga akuzat. Ai tani po vuan një dënim me 17 vjet burg për vrasje dhe përdhunime në Visegrad.
Askush nuk është dënuar ende për krimet në Lozje, megjithëse prokuroria shtetërore tha për BIRN se “çështja vazhdon dhe ne po punojmë intensivisht për të”.
Dëshmitë fillestare dhe provat për krimin në Lozje në vitin 1992 u mblodhën nga shërbimi tani i shpërbërë i inteligjencës boshnjake, Agjencia për Hetim dhe Dokumentim, dhe nga prokuroria lokale kantonale, sipas Mirsad Bilajaç, kryeprokurori kantonal i Kantonit Bosnja-Podrinje Gorazda, i cili udhëhoqi hetimin në atë kohë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Dzananoviç, plani i sulmit u aprovua nga Brane Petkoviç, komandant i selisë së forcave të Mbrojtjes Territoriale e udhëhequr nga serbët në Srpsko Gorazde.
Bilajaç tha se ai hetoi Petkoviçin, por çështja u transferua më pas në prokurorinë shtetërore.
“Palët e dëmtuara duhet të jenë bindëse dhe të kërkojnë përgjigje nga prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Bilajaç.
“Shumë varet nga talenti i prokurorit për të mbledhur prova. Serbët mbrojnë popullin e tyre, boshnjakët dhe kroatët mbrojnë popujt e tyre. Do të ishte më e lehtë të identifikoheshin kriminelët, nëse të gjithë do të ishim thjesht qytetarë. Njerëzit kanë ende frikë të dëshmojnë. Ky është mendimi im”, shtoi ai.
BIRN nuk qe në gjendje të gjente Petkoviçin për t’i kërkuar atij një koment.
Një “zonë e sigurt” aspak e sigurt
Krimet më të këqija brenda dhe rreth Gorazdes u kryen pasi qyteti u shpall “zonë e sigurt” sipas Rezolutës 824 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 6 maj 1993.
Në librin e tij, Dzananoviç shkruan se të paktën 64 fëmijë u vranë dhe 203 u plagosën që nga momenti kur qyteti u shpall zonë e sigurt deri në fund të luftës.
Gjatë operacioneve të Ushtrisë Serbe të Bosnjës të koduara me emrat Mac 1 dhe 2 (Shpata 1 dhe 2) në qershor 1993, dhjetë fëmijë u vranë dhe 30 u plagosën.
Një nga fëmijët që vdiq ishte dy vjeçarja Ilma Tutiç, e cila u vra më 16 qershor 1993, kur një predhë ra në apartamentin ku jetonte familja e saj. Edhe nëna, gjyshi dhe tezja e saj u vranë gjithashtu.
“Ata po hanin mëngjes kur shpërtheu predha. Babai im, gjyshi i Ilmës, vrapoi të kontrollonte se çfarë kishte ndodhur. Bazuar në pozicionin e saj, ai mendoi se Ilma ishte akoma gjallë. Kur e ngriti, ajo nuk e kishte fare pjesën e pasme te kokës”, tha tezja e Ilmës, Zumreta Pinjo.
Pinjo tha se të afërmit e fëmijëve të vrarë në luftë kanë nevojë për më shumë mbështetje zyrtare.
“Prindërit nuk mund të luftojnë vetë për drejtësi. Sistemi duhet t’u japë atyre një mbështetje më të mirë, si dhe duhet të ndërtohet një monument për fëmijët e vrarë në Gorazde. Monumenti është atje, por fëmijët jo më”, shtoi ajo me trishtim.
“Ata ishin viktima të pafajshëm”
Emrat e Elma Silajdziç, Haris Zukiç dhe Medisa Zukiç janë ndër ata që janë gdhendur në memorialin për nder të fëmijëve të vrarë në Gorazde gjatë luftës. Ata u vranë së bashku me 17 fëmijë të tjerë në një operacion të Ushtrisë Serbe të Bosnjës të quajtur Zvijezda 94 (Ylli 94) i cili filloi më 29 mars 1994. Sipas Dzananoviçit, 53 fëmijë u plagosën gjithashtu gjatë këtij sulmi.
Senida Nuhanoviç, motra e Haris Zukiçit dhe Medisa Zukiçit, kujtoi se më 30 mars, ata kishin qenë duke luajtur jashtë kur një predhë i goditi teksa ishin duke hyrë në shtëpi.
“Harisi dhe Medisa u plagosën rëndë në tarracën në hyrje të shtëpisë. Ata qëndronin të shtrirë në pellgje gjaku. Granata ia hodhi në erë këmbët Medisës”, tha Nuhanoviç.
“Ushtarët vrapuan për të na ndihmuar dhe morën me vete Harisin dhe Medisën. Shkuam me vrap drejt spitalit. Ata i dhanë menjëherë qetësues nënës time. Unë vrapova në dhomë për të parë vëllanë dhe motrën time. Medisa tashmë ishte e mbuluar me një çarçaf të bardhë.”
Harisi iu nënshtrua dy operacioneve dhe të nesërmen Nuhanoviçi dhe prindërit e saj u kthyen në spital për ta vizituar.
“Kur u shfaqëm te dera, ai pyeti se si ishte Medisa. Dhe befas gjendja e tij u përkeqësua. Ai vdiq para syve tanë. Unë bërtisja, qaja”, tha ajo.
Harisi ishte 11 vjeç kur vdiq, ndërsa motra e tij Medisa ishte tetë vjeçe.
“Ata ishin fëmijë, civilë!” bërtiti Nuhanoviç. “Nuk i bënë keq askujt. Ata ishin viktima të pafajshëm.”
Korpusi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Korpusi Drina dhe Korpusi Sarajevo-Romanija morën pjesë në operacionin Zvijezda 94, së bashku me Ushtrinë Jugosllave.
Prokuroria shtetërore nuk ka hetuar nëse Dragisa Masal, komandanti i Grupit Taktik të Visegradit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili gjithashtu mori pjesë në operacion, mban ndonjë përgjegjësi për vdekjet.
Dzanananoviç ka mbledhur dhe arkivuar urdhërat e Masalit.
“Emri i Masalit mund të gjendet në urdhra të shumtë, përfshirë në atë të dhënë më 11 prill 1994 që i referohet operacionit Zvijezda 94: ‘Nesër, 12 prill, në ora 8, të fillojë një sulm vendimtar në të gjitha drejtimet, pavarësisht nga kushtet meteorologjike’”,” tha Dzanananoviç.
“Dihet edhe urdhri që ai dha më 11 shkurt 1993 për komandën e Brigadës së Tretë të Këmbësorisë së Lehtë Podrinjska në Cajnice Në atë urdhër, ai shkroi: “Filloni menjëherë operacionin e artilerisë në rajonin e Gorazdes, duke shkrepur dy ose tre predha çdo dy orë. Të shtunën më 13 shkurt përqendrojeni zjarrin intensivisht në zonën e tregut në Gorazde””, shtoi ai.
Masal vdiq në Beograd në vitin 2017 si një gjeneral në pension i Ushtrisë Serbe të Bosnjës.
“Dëshmitarët po vdesin”
Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës, të afërmit e fëmijëve që u vranë në Gorazde janë ende në pritje të drejtësisë.
Ndërsa pritja vazhdon, Dzananoviç vazhdon hetimin e krimeve të luftës të kryera në zonë. Ai planifikon të botojë një libër tjetër rreth rrethimit dhe mbrojtjes së Gorazdes, për të cilin tha se do të hedhë dritë mbi shkelje të shumta të pandëshkuara.
“Nëse krimet mbeten të paregjistruara, pavarësisht se kush i kreu ato, gjithçka do të harrohet. Ne nuk duhet të harrojmë. Ky është detyrimi ynë ndaj viktimave, por edhe një mënyrë për t’i dhënë fund përsëritjes së vazhdueshme të krimeve, që ka ndodhur në këtë rajon me shekuj”, tha Dzananoviç.
Ai vuri në dukje se komandantët e Korpusit të Sarajevo-Romanija të Ushtrisë Serbe të Bosnjës janë ndjekur penalisht për sulme ndaj Sarajevës në bazë të përgjegjësisë së tyre komanduese.
“Është e pabesueshme që komandantët e korpuseve dhe brigadave që kryen sulmet ndaj Gorazdes dhe rrethinave të saj nuk janë çuar në gjykatë nën të njëjtin parim”, tha ai.
Prokurorët e shtetit deri më tani nuk kanë arritur të nxjerrin para drejtësisë vrasësit e fëmijëve të Gorazdes, dhe të afërmit e të vdekurve po humbasin shpresën se ata do t’i nxjerrin ndonjëherë para gjykatës autorët.
Ismail Culov, vëllai adoleshent i të cilit u vra, tha se “është e vështirë të besosh se do të ndodhë ndonjë gjë dhe se dikush do të dënohet për vdekjen e banorëve të Gorazdes gjatë luftës”.
Juso Sahman, vajza e të cilit Advira vdiq në një sulm, paralajmëroi se me kalimin e kohës, më pak dëshmitarë do të jenë në gjendje të dëshmojnë për atë që ndodhi në luftën e 1992-1995.
“Kam dhënë deklarata në disa raste. Nuk jam i vetmi. Të gjithë kemi dhënë deklarata. Nuk ka asnjë progres. Ne nuk kemi më shpresë”, tha Sahman.
“Dëshmitarët po vdesin”, shtoi ai. “Ata që mund t’i kishin njohur autorët nuk janë më. Ata ishin dëshmitarët kryesorë. Edhe ata që dhanë urdhrat po vdesin.”