Aktivistët e Komisionit të së vërtetës planifikojnë të krijojnë “librin jugosllav të vdekjeve”

Aktivistët e Komisionit të së vërtetës planifikojnë të krijojnë “librin jugosllav të vdekjeve”
BalkanInsight_logoKoalicioni për KOMRA, i cili po bën fushatë për krijimin e një komisioni rajonal për përcaktimin e së vërtetës për luftërat jugosllave, po punon për të krijuar listën e tij të plotë të personave të vrarë në konfliktet në Ballkan nga viti 1991 deri në vitin 2001.

Koalicioni për KOMRA, një fushatë regjionale për themelimin e një komisioni së vërtete, i cili do të përcaktojë fakte të plota për luftërat jugosllave, nuk ka arritur deri më tani të marrë mbështetjen unanime të qeverive në të gjithë rajonin.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, koalicioni thotë se do të vazhdojë me hulumtimin e një liste të plotë të të gjithë atyre që u vranë, burgosën, torturuan ose u zhdukën gjatë shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, thanë për BIRN disa nga anëtarët e tij.

Koalicioni, një aleancë e OJQ-ve në vendet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, vitin e kaluar publikoi një hartë që dokumenton viktimat e luftës në ish-Jugosllavi dhe ofron të dhëna për rreth 130,000 persona që u vranë ose u zhdukën në konflikte të ndryshme.

Emrat e të gjithë viktimave nuk janë përfshirë ende në hartë, sepse hulumtimi s’ka përfunduar ende, por Vesna Terseliç, drejtoreshë e organizatës Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën, me bazë në Zagreb, tha se është e vështirë të vazhdohet pa mbështetjen e qeverive.

“Duke refuzuar krijimin e një komisioni të përbashkët (KOMRA), qeveritë e vendeve post-jugosllave kanë bërë një tjetër gabim politik. Ne mendojmë se lista me emrat e viktimave nuk mund të braktiset. Bëhet fjalë për marrjen përsipër të përgjegjësisë për ta çuar deri në fund këtë detyrë”, tha Terseliç për BIRN.

Premtimet e kaluara nga disa qeveri për t’u angazhuar për krijimin e KOMRA-s deri më tani kanë qetë të kota.

Përfaqësuesit e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë duhej të nënshkruanin një deklaratë për krijimin e KOMRA-s në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër në korrik 2018. Por ceremonia e nënshkrimit u anulua papritur sepse Koalicioni për KOMRA nuk mori deklarata zyrtare nga të katër qeveritë duke konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Dështimi erdhi pavarësisht thirrjes nga Komisioni Europian, i cili në dokumentin e tij të strategjisë të shkurtit 2019 për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor tha se qeveritë “duhet të angazhohen pa mëdyshje, si me fjalë ashtu edhe me vepra, për të lënë pas trashëgiminë e së kaluarës” nëse vendet e tyre duan të bëjnë progres drejt anëtarësimit të tyre në bllok.

Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina gjithashtu nuk janë angazhuar në mbështetjen e krijimit të komisionit të së vërtetës.

“Unë mendoj se mbështetja politike për nismën për të përmendur të gjithë viktimat, i cili është edhe qëllimi i nismës për KOMRA, ndryshoi sipas situatës politike. Por ne presim që të përpilojmë listën rajonale të të gjithë viktimave të luftës në ish-Jugosllavi”, tha Natasa Kandiç, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd.

Situatën e komplikon edhe më tej fakti që Serbia nuk pranon disa nga vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë si bazë për të përcaktuar fakte rreth viktimave të luftës. Për shembull, ajo nuk e njeh klasifikimin e Gjykatës së Hagës, sipas të cilit masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid.

Sllovenia ndërkohë mendon se në territorin e saj nuk pati viktima civile lufte dhe kështu që nuk ka bazë për përfshirjen e saj në KOMRA. E ashtuquajtura “luftë 10-ditore” që pasoi deklarimin e pavarësisë së Sllovenisë nga Jugosllavia në qershor 1991 solli vdekjen e më shumë se 60 ushtarëve.

“Çdo vend kujdeset më shumë për viktimat e tij”

Koalicioni për KOMRA filloi mbledhjen e firmave në mbështetje të nismës në vitin 2011 në të gjitha kryeqytetet e republikave të ish-Jugosllavisë, si dhe në internet.

Qëllimi ishte që të mblidheshin një milion të tilla, por deri më tani më shumë se 700,000 njerëz kanë vendosur emrat e tyre në peticionin.

Terseliç tha se koalicioni ka hulumtues tepër të aftë, por nuk ka fonde të mjaftueshme.

“Hulumtimi i gjatë dhe dokumentimi i humbjeve njerëzore kërkon shumë përpjekje, bashkëpunim dhe mbështetje”, vuri në dukje ajo.

Koalicioni synon ta zgjerojë procesin duke përfshirë të paktën 100 organizata nga komunitetet lokale dhe institucionet akademike në punën e tij investigative për të zgjeruar bazën e tij ekzistuese të të dhënave.

Terseliç tha se pas mbylljes së Gjykatës së Hagës, e cila dokumentoi mijëra viktima para mbylljes së saj në fund të vitit 2017, është e rëndësishme të bëhet një hap më tej drejt përcaktimit të fakteve në lidhje me konfliktet.

“Bashkëpunimi rajonal në këtë drejtim sa vjen e po dobësohet. Nuk ka solidaritet të mjaftueshëm me të gjitha viktimat, sepse secili vend kujdeset kryesisht për viktimat nga grupi i tij. Por ne po përpiqemi të përcaktojmë identitetet dhe rrethanat e vdekjeve të të gjithë viktimave, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike”, tha Terseliç.

ICTY ka përcaktuar përtej çdo dyshimi identitetet dhe rrethanat e të paktën 18,000 viktimave të luftës dhe forcave përgjegjëse për vdekjet, ndërsa gjykatat vendase në vende të ndryshme kanë përcaktuar identitetin e rreth 2,000 viktimave të tjera.

Documenta në Zagreb ka vërtetuar identitetet dhe rrethanat e vdekjes së të paktën 7,000 viktimave të luftës në Kroaci, ndërsa Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka përcaktuar identitetet dhe rrethanat e vdekjes së 1,100 të tjerëve në luftën kroate.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Qendra për Hulumtim dhe Dokumentim, në bashkëpunim me OJQ të tjera, ka mbledhur të dhëna për 96,000 viktima të luftës në Bosnje dhe ka dokumentuar më shumë sesa 1,000 vende burgimi ku më shumë se 100,000 civilë u mbajtën dhe u torturuan.

Ndërkohë, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi kanë regjistruar më shumë se 13,500 viktima të luftës në Kosovë dhe kanë verifikuar identitetet dhe rrethanat e vdekjes së të paktën 8,000 prej tyre.

Bekim Blakaj, kreu i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha për BIRN se po mblidheshin gjithashtu informacion shtesë për mijëra viktima të vrara menjëherë pas luftës në Kosovë.

“Ne po verifikojmë të dhënat që kanë të bëjnë me rrethanat e vdekjes së rreth 5,500 viktimave nga viti 1999 deri në vitin 2000”, tha Blakaj.

Share