Rastet boshnjake të krimeve të luftës ndërpriten, ndërsa të pandehurit ndërrojnë jetë
Rreth 20 të dyshuar të akuzuar kanë vdekur gjatë pesë viteve të kaluara pa ndonjë vendim të formës së prerë në çështjet e tyre, duke shkaktuar shqetësim mes shoqatave të viktimave të luftës, të cilat kanë shprehur zemërimin që nuk është vendosur drejtësi.
Gjykata shtetërore e Bosnjës tha gjithashtu se dhjetë raste ishin aktualisht “pezull” për shkak të sëmundjeve të të pandehurve. Grupet e viktimave akuzojnë autoritetet gjyqësore se nuk po punojnë aq shpejt sa duhet për t’i mbyllur çështjet, por gjykata shtetërore e ka mohuar këtë gjë.
“Gjykata nuk funksionon ngadalë. Ajo vepron mbi të gjitha aktakuzat e paraqitura nga Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës pa ndonjë vonesë dhe ka aftësinë t’i përpunojë ato. Megjithatë, dinamika e ngritjes së aktakuzave dhe koha është nën përgjegjësinë ekskluzive të prokurorisë shtetërore të Bosnjës”, tha gjykata shtetërore.
Prokuroria ndërkohë këmbënguli se ajo funksionon sipas strategjisë zyrtare shtetërore për përpunimin e çështjeve të krimeve të luftës dhe se vdekja e të dyshuarve nga sëmundjet është diçka që është jashtë kontrollit të saj.
“Drejtësia erdhi shumë vonë”
I pandehuri i fundit që ndërroi jetë ishte Milan Bogdanoviç, i cili u lirua nga akuzat sipas një vendimi të shkallës së parë në mars 2019. Për shkak të vdekjes së tij, apeli kundër lirimit të tij nga akzuat tashmë është i pamundur.
Raste të mbyllura: të pandehurit që kanë ndërruar jetë defendants
Të pandehruit e mëposhtëm kanë nërruar jetë gjatë pesë viteve të fundit para dhënies së një vendimi përfundimtar në rastet e tyre. Ata janë listuar me vendin ku kanë kryer krimet e dyshuara.
- Milan Bogdanoviç: Zvornik
- Jovan Popoviç: Visegrad
- Izet Arifoviç: Srebrenicë dhe Bratunac
- Mirko Raguz, Ivica Markoviç: Stolac
- Cvjetko Popadiç, Radivoje Djordjiç: Lokanj
- Vinko Kondië, Mico Prastalo: Kljuc
- Dragomir Tintor, Zdravko Antoniç: Prijedor
- Gvozden Lukië: Vlasenica dhe Milici
- Nedjad Coriç: Mostar
- Ostoja Balaban: Bosanski Novi
- Vlado Stjepanoviç: Bijeljina
- Dragan Lubarda: Rogatica
- Fahrudin Hadziosmanagiç-Tadiç: Bosanska Krupa
- Aleksandar Petroviç: Kotor Varos
- Fahrudin Aliç: Sarajevë
- Novak Mitroviç: Zavidovici
Bogdanoviç ishte akuzuar, si ish-komandant i Togës së Gjashtë të Njësive të Policisë Speciale në Stacionin e Sigurisë Publike në Zvornik, si përgjegjës për ndalimin e burrave boshnjakë pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995. Ai më pas i ka çuar ata në vende të ndryshme dhe ka mundësuar që të tjerët të abuzojnë me ta dhe t’i vrasin.
Shoqatat e viktimave thonë se ato e kuptojnë që kalimi i kohës nuk mund të ndalet, por argumentuan se organet hetimore duhet të kishin filluar të punonin shumë më herët me çështjet e krimeve të luftës.
Zlatko Prkiç nga Shoqata Kroate e të Ndaluarve nga Vares, tha se shumë autorë krimesh nuk do të jetojnë aq gjatë sa të shohin dënime.
“Drejtësia duhej të ishte kërkuar, por kjo nuk u bë në kohën kur kriminelët duhet të ishin përgjigjur për krimet e tyre”, tha Prkiç.
Shumë përfaqësues të shoqatave të viktimave gjithashtu këmbëngulën se politikanët janë përpjekur të pengojnë dhe ngadalësojnë procesin, duke ushtruar presion mbi prokurorinë shtetërore.
Prkiç pohoi se grupet e viktimave kishin përgatitur materiale për organet hetimore dhe ishin konsultuar me ekspertë të nivelit të lartë, të cilët u kishin thënë se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza në raste të caktuara, por që kjo nuk u bë as pas 15 ose 20 vjetësh, duke treguar shpërfillje ndaj vuajtjeve të viktimave.
Vinko Lale nga Shoqata e të Ndaluarve të Qarkut Birac tha se ishte problem kur ngrihen aktakuza ku akuzohen të dyshuar që janë tashmë të sëmurë rëndë.
“Nëse e marrim këtë nga aspekti njerëzor, është e tmerrshme të shohësh të ngrihen aktakuza për njerëz që vuajnë nga sëmundje serioze. Nga ana tjetër, një problem tjetër është fakti që aktakuzat ngrihen 25 vjet pas ngjarjeve të luftës. Kjo është absurde”, tha Lale.
Bakira Haseciç, kryetarja e shoqatës Gratë – Viktima të Luftës, pohoi ndërkohë se autoritetet “po fitojnë kohë në mënyrë që këta njerëz të mbeten të pandëshkuar”.
“Është e qartë se ata po presin që viktimat, dëshmitarët dhe kriminelët e luftës të vdesin”, tha Haseciç.
“Me kalimin e kohës, njerëzit harrojnë”
Analisti Vehid Sehiç, i Forumit Qytetarët e Tuzlës, tha se në përgjithësi, pas luftës nuk u bë asnjë përpjekje për të ndjekur penalisht të gjithë të dyshuarit për krime lufte pasi në atë periudhë nuk kishte një vullnet politik, teksa disa autorë krimesh konsideroheshin heronj dhe kishte një lloj rezistence në mesin e publikut për ndjekjen penale të tyre.
“Sa më shumë kohë kalon, aq më pak shanse do të kemi për të gjykuar dhe dënuar ata njerëz, sepse nuk kemi asnjë të drejtë ligjore t’i quajmë ata kriminelë lufte nëse procedurat kundër tyre ndërpriten”, tha Sehiç.
“Koha nuk është aleate për drejtësinë në asnjë procedurë. Askush nuk mund të ndikojë te koha. Duhet të jemi të vetëdijshëm se shumë kriminelë lufte nuk do të jetojnë mjaftueshëm për të parë drejtësi në tokë”, paralajmëroi ai.
Aleksandra Letiç nga Bordi i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut tha se të pandehurit duhet të jenë mjaftueshëm në gjendje të mirë shëndetësore për të dalë në gjyq dhe duhet të jenë të aftë të ndjekin procedurat në gjykatë, por argumentoi se duhet të ketë gjithashtu një komision të pavarur i cili do të vlerësonte nëse ata janë vërtet të sëmurë apo nëse procedurat po zgjaten për shkak të ndonjë mashtrimi.
“Sot po shohim një zvarritje të procedurave, gjë e cila i mundon shumë dëshmitarët që janë duke pritur të japin deklaratat e tyre”, tha Letiç.
Krstan Simiç, një ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të nivelit shtetëror, tha se ky problem është me rrezik sepse shoqëria boshnjake në tërësi e ka nënvlerësuar rëndësinë e çështjeve të krimeve të luftës si një bazë e mirë për pajtimin, si edhe faktin që vendimet ofrojnë drejtësi dhe kënaqësi për viktimat.
“Çështja e orës biologjike nuk është e vetmja. Ky është vetëm një fakt, sepse njerëzit po vdesin. Por ekziston gjithashtu edhe një afat kohor pas të cilës bëhet gjithnjë e më e vështirë që krimet të vërtetohen, sepse kalimi i kohës i bën gjithashtu njerëzit të harrojnë fakte”, theksoi Simiç.
Ai u shpreh megjithatë se nuk është ende vonë nëse autoritetet janë të gatshëm të gjejnë metodat dhe burimet për të përfunduar çështjet e mbetura.
Sehiç tha se fakti që të dyshuarit dhe dëshmitarët po vdesin duhet të frymëzojë gjyqësorin që të bëjë punën e tij më mirë, sepse kalimi i kohës nuk mund të kundërshtohet.
“Prandaj është shumë e rëndësishme të punohet me çështjet e krimeve të luftës sa më efikase të jetë e mundur. Me siguri mund të bëhet diçka për t’i gjykuar ato raste në mënyrë më efikase në mënyrë që ato të mund të përfundohen”, tha ai.