A mund të dëmshpërblehet Kosova për dëmet e shkaktuara gjatë luftës?

A mund të dëmshpërblehet Kosova për dëmet e shkaktuara gjatë luftës?

BalkanInsight_logo

Kanë kaluar 20 vjet që kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe 11 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap për të vlerësuar siç duhet koston e dëmeve të shkaktuara nga fushata ushtarake e Beogradit gjatë luftës së viteve 1998-1999 ose për t’u përpjekur ta detyrojnë  shtetin serb të paguajë dëmshpërblime.

Kostoja e përgjithshme është vlerësuar nga ekspertë ekonomikë nga Kosova dhe arrin në 22 miliardë euro, por detajet ende nuk janë vërtetuar siç duhet nga autoritetet e Kosovës, të cilët gjithashtu nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë hap domethënës drejt kërkimit të dëmshpërblimeve.

Ndërkohë, në një zyrë juridike në Skenderaj, Kosovë, dy avokatë janë përpjekur për më shumë se një dekadë të ndihmojnë për kompensime individët që vuajtën gjatë luftës.

Jahir Bejta, 69 vjeç, dhe Kadri Osaj, 53 vjeç, të cilët drejtojnë një OJQ të quajtur “Ngritja e Zërit”, e nisën betejën e tyre për drejtësi në 2008.

“Ngritja e Zërit” mbledh dhe klasifikon prova në mbështetje të pretendimeve për dëme që rezultuan nga lufta e Kosovës.

Pa ndonjë mbështetje financiare nga shteti, Bejta dhe Osaj kanë ndihmuar qytetarë të zakonshëm të Kosovës të përgatisin padi dhe nuk kanë pranuar të heqin dorë pavarësisht se çdo çështje që ata kanë përgatitur deri më tani është hedhur poshtë nga gjykatat në vend.

“U lamë në mëshirë të Zotit”

Në zyrën e Bejtës dhe Osajt është çështja e familjes Sejdiu nga fshati Qirez në komunën e Skenderajt të Kosovës. Familja ka kërkuar drejtësi për dhjetë vjet për vuajtjet që u shkaktoi shteti serb gjatë luftës.

Hamdi Sejdiu, tani 65 vjeç, u plagos nga trupat serbe më 28 shkurt 1998, në masakrën e Qirezit dhe Likoshanit, në të cilën u vranë 24 civilë.

Sejdiu tha se ai dhe fshatarët e tjerë ishin të detyruar të shtriheshin para një tanku serb, ndërsa të tjerë ishin vrarë.

“Njëzet e një nga ne u shtrinë para tankut. Ata më goditën me thikë dhe më thyen pesë dhëmbë atë ditë. Unë mbijetova me vetëm këto lëndime, por ndenjëm shtrirë para atij tanku derisa masakra në Qirez mbaroi. Katër vëllezërit e mi u vranë atje”, kujtoi Sejdiu.

Dy nga vëllezërit e tij, Bedriu dhe Bekimi, ishin binjakë, të dy studentë që kishin mbaruar studimet vetëm një ditë para se të merreshin peng dhe të vriteshin.

“Pas kësaj, shumë prej nesh u mbajtën peng për dy muaj. Pas kësaj u liruam, nuk u vramë, por ata na rrahën dhe na torturuan. U lamë në mëshirë të Zotit. Gjatë këtyre dy muajve si i burgosur lufte, isha i vetëm, pa asnjë të afërm tjetër”, vazhdoi Sejdiu.

Pas lirimit të tij, Sejdiu u ribashkua me familjen e tij dhe në muajt që pasuan, ata u endën nga një qytet në një tjetër, duke u përpjekur të gjenin strehë dhe të shpëtonin nga dhuna dhe vrasjet që po ndodhnin në të gjithë Kosovën. Më 18 qershor 1999, pasi lufta mbaroi dhe forcat e Sllobodan Millosheviçit u tërhoqën nga Kosova, ai u kthye në Skënderaj me familjen e tij.

Disa vjet më pas, Sejdiu filloi të mblidhte dokumentet e nevojshme për të kërkuar kompensim nga Serbia.

“E gjithë prona që kisha në Qirez ishte dëmtuar, djegur dhe shkatërruar. Duke nisur nga shtëpia, veglat, hambari dhe gjithçka tjetër”, tha Sejdiu, i cili tani jeton me një pension mujor prej 120 eurosh që merr nga shteti.

Megjithatë, ai beson se një vite do të vendoset drejtësi dhe se Serbia do të paguajë për dëmet që ajo shkaktoi në Kosovë gjatë luftës.

“Duke marrë parasysh ligjet ndërkombëtare, do të prisja që Serbia të paguajë për këto dëme, por përsa i takon institucioneve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës na ka refuzuar tre herë tashmë”, tha ai.

Çështjet e Bejtës dhe Osajt gjithmonë janë refuzuar nga gjykatat e shkallës së parë me arsyetimin se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk kanë fuqi për të sjellë në gjykatë një shtet tjetër. Kur çështjet e tyre refuzohen, të dy avokatët apelojnë në gjykatën e apelit dhe paraqesin kërkesa për vlerësime të ligjshmërisë së çështjes së tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese gjithmonë është përgjigjur negativisht ndaj këtyre kërkesave, megjithatë, “në vend që të marrë një vendim dhe të vërtetojë faktin se kushtetutshmëria është shkelur, ajo justifikon vendimet e mëparshme nga gjykata e shkallës së parë”, tha Bejta.

Kjo ka bërë që Bejta dhe Osaj të akuzojnë institucionet e Kosovës se nuk kanë vullnet të ndihmojnë në procesin e kërkimit të dëmshpërblimeve nga Serbia.

Ata gjithashtu argumentojnë se pretendimi se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk kanë fuqi për të sjellë një shtet tjetër në gjykatë është i pasaktë dhe këmbëngulin se Ligji për Procedurën Kontestimore i Kosovës ofron një bazë ligjore për të paditur shtetin e Serbisë në gjykatat e Kosovës.

Ata sugjerojnë se një thirrje ligjore mund të dërgohet në Serbi përmes oficerit ndërlidhës të Beogradit në misionin e BE-së në Prishtinë. “Ligji parashikon se mund ta çoni një shtet në gjykatë, por ata duhet të informohen se po paditen”, tha Osaj.

“Serbia e pranoi fajin”

Për Saranda Bogujevci, një e mbijetuar nga një masakër nga paraushtarakët serbë në fshatin Podujevë më 28 mars 1999, paratë nuk mund ta kompensojnë kurrë atë për dhimbjen që ajo po vuan ende për humbjen e të afërmve të saj që u vranë atë ditë.

Bogujevci humbi nënën e saj, gjyshen dhe dy vëllezërit më të vegjël, si dhe gruan dhe vajzën e xhaxhait të saj. Përkundër kësaj, ajo pati guximin të udhëtonte në kryeqytetin serb Beograd për të dëshmuar për krimet. Gjykata Themelore e Beogradit i dha familjes së saj 200,000 euro kompensim.

Gjyqi filloi në vitin 2003, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Ajo kujton se si, në fund të dëshmisë së saj, u pyet nëse dëshironte të vazhdonte çështjen gjyqësore për kompensim.

“Kur ata më bënë këtë pyetje, ishte shumë ofenduese për mua. Mbaj mend që u revoltova shumë”, tha tha Bogujevci, e cila tani është deputete për partinë Vetëvendosja.

Ajo tha se e kuptoi vetëm më vonë rëndësinë e vendimit të gjykatës, pasi Serbia në vitin 2007 burgosi ​​pesë anëtarë të njësisë “Akrepat”, e cila funksiononte si pjesë e Ministrisë së Brendshme serbe, për rolin e tyre në sulmin vdekjeprurës në Podujevë.

Familjarët e 14 grave dhe fëmijëve të vrarë nga luftëtarët e “Akrepave” ngritën një padi kundër Serbisë për kompensim dhe e fituan çështjen e tyre në vitin 2016 – e para e këtij lloji, sipas OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd.

“Unë isha shumë e re dhe nuk e kuptoja se çfarë nënkuptonte i gjithë ky proces. Çështja e familjes sonë është e para në të cilën shteti serb mori një vendim për të dhënë dëmshpërblime, që do të thotë se ata e pranuan fajin për krimet e luftës të kryera prej tyre”, tha Bogujevci.

Detyrimi i shtetit serb për të ofruar kompensim për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe shkeljet ndërkombëtare humanitare, që rrjedh nga konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që Serbia ka ratifikuar, do të thotë se shteti është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga trupat e tij.

Në Serbi, ekzistojnë tre mekanizma që viktimat mund t’i përdorin për të kërkuar kompensim.

Fillimisht, ka procedura përmes të cilave njerëzit mund të fitojnë statusin e një viktimë civile të luftës, status i cili garanton përfitime të caktuara – edhe pse Serbia nuk e përkufizon luftën e Kosovës të viteve 1998-1999 si luftë, por si një konflikt të brendshëm të armatosur brenda Jugosllavisë.

Së dyti, paditë civile që mund të paraqiten për të kërkuar kompensim nga shteti serb.

Dhe në fund, ekziston një mekanizëm gjyqësor për të ushtruar të drejtën për dëmshpërblime. Ky mekanizëm aktivizohet duke paraqitur një kërkesë për dëmshpërblim ndërsa një proces penal është në vazhdim e sipër, por duke qenë se Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi u themelua në vitin 2003, kjo nuk është përdorur asnjëherë.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, qindra kërkesa individuale për kompensim janë ngritur si padi civile kundër Serbisë, qoftë përmes FDH-së ose duke përdorur avokatë privatë.

“Prej vitit 2000 e deri më tani, FDH ka përfaqësuar mbi 1,000 viktima të krimeve të luftës, torturës, ndalimit të paligjshëm, rekrutimit të detyruar dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut të kryera nga forcat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Kosovë në aktakuza kundër shteteve të Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës”, tha Meris Musanovic, një analist ligjor në FDH.

Nga këto raste, midis vitit 2006 dhe 2019, FDH ngriti 52 padi kundër Serbisë, duke kërkuar kompensim për 188 viktima të luftës në Kosovë.

“Kostoja e dëmeve të luftës në Kosovë arrin në 22 miliardë euro”

Muhamet Mustafa, një këshilltar në Institutin Riinvest në Prishtinë, ishte koordinatori i ekipit të çështjeve ekonomike të delegacionit të Kosovës në negociatat mbi statusin e saj përfundimtar në Vjenë në mesin e viteve 2000.

“Ekipi i ekspertëve që unë udhëhiqja në atë kohë bëri një vlerësim të dëmeve të luftës në sektorë të ndryshëm dhe kjo kosto arriti mbi 22 miliardë euro”, tha Mustafa.

Shuma përfshin dëmtimin e pronave, të mirat e vjedhura, humbja e kursimeve dhe pensioneve dhe kostot të tjera në buxhetin e Kosovës, shpjegoi ai.

Mustafa u shpreh se nëse marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës do të normalizohen, Serbia duhet të pajtohet të paguajë kompensimin.

“Tani sigurisht për të vendosur pajtimin dhe për të parë që Serbia dëshiron vërtet të lërë pas politikat e Sllobodan Millosheviçit, ajo duhet të jetë e gatshme të shlyejë llogaritë dhe të kompensojë dëmet ekonomike të pronës private dhe dëmet e tjera të shkaktuara në Kosovë përmes qeverisjes së saj dhe luftës për shfarosje që zhvilloi kundër shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.

“Shansi i fundit për të rënë dakord për dëmshpërblimet”

Furtuna Sheremeti, e cila është duke punuar për doktoraturën në lidhje me krimet e shtetit dhe kompensimin në KU Leuven, një universitet në Belgjikë, dhe është gjithashtu një profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, tha se komuniteti ndërkombëtar është përpjekur të ndihmojë në dokumentimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës duke krijuar dhe financuar agjenci dhe gjykata ndërkombëtare.

Por, përkundër kësaj, Sheremeti tha se deri më tani është bërë shumë pak në çfarëdolloj niveli – ndërkombëtar, rajonal apo vendor – për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga krimet shtetërore dhe për të kuptuar më shumë rreth dëmshpërblimeve të nevojshme për viktimat.

Ajo gjithashtu tha se raundi i fundit i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ishte momenti i fundit për t’u përqendruar te dëmshpërblimet gjatë bisedimeve në Bruksel.

Megjithatë, ajo paralajmëroi që institucionet shtetërore të Kosovës nuk janë të gati të kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia sepse “një padi e mirëfilltë duhet të mbledhë të dhëna të sakta dhe origjinale, gjë e cila nuk po bëhet nga zyra e presidentit ose kryeministrit, as nga ndonjë institucion shtetëror në Kosovë ”.

Heidi Matthews, asistent profesoreshë dhe bashkë-drejtuese në Qendrën Jack dhe Mae Nathanson për të Drejtat Transnacionale të Njeriut, Krimin dhe Sigurinë në Universitetin York në Kanada, tha ndërkohë se nëse Kosova kërkon dëmshpërblime gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia mund të kërkojë diçka tjetër në këmbim.

“Kosova dhe Serbia aktualisht po negociojnë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë si një shtet i pavarur politik dhe sovran. Është e arsyeshme që në këto kushte Serbia mund t’i kërkojë Kosovës që të minimizojë kërkesat për dëmshpërblim në këmbim të njohjes nga ana e Serbisë”, sugjeroi Matthews.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, propozoi në vitin 2016 që të ngrihej një padi për gjenocid kundër Serbisë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por ekspertët paralajmëruan në atë kohë që kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë sepse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e cila është një detyrim që të mund të ngresh një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

GJND-ja gjithashtu nuk ka juridiksion të detyrueshëm, që do të thotë se mund ta dëgjojë një çështje vetëm nëse si paditësi ashtu edhe i akuzuari pajtohen. Kjo do të nënkuptonte që Serbia do të duhej të ishte dakord me këtë, që me siguri nuk do të ndodhte.

Matthews sugjeroi megjithatë që “lejimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të ketë juridiksion mbi çështjen e dëmshpërblimeve shtetërore mund të përmirësojë qëndrimin e Serbisë me shtetet anëtare të BE-së ndërsa Serbia punon drejt pranimit të saj në BE”.

“Është një çështje politike nëse përdorimi i ligjit ndërkombëtar për të zgjidhur problemin e dëmshpërblimit sot do të ishte në interes të Serbisë”, shtoi ajo.

Tema e dëmshpërblimeve ende nuk është diskutuar gjatë negociatave të ndërmjetësuara nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë.

Ish-ministrja e Kosovës për dialog, Edita Tahiri, i cili drejtoi ekipin e Prishtinës në bisedime në një moment, tha për mediat se kompensimi nga Serbia do të diskutohej në fazën përfundimtare të bisedimeve.

“Në dokumentin e paraqitur në BE në vitin 2014, ne si qeveri e asaj kohe kërkuam që faza e fundit e dialogut të zgjidhë edhe çështjen e dëmshpërblimeve të luftës; domethënë, përmes kompensimit të dëmeve të luftës në përputhje me ligjin ndërkombëtar, siç ndodh me të gjitha shtetet që kanë qenë në luftë, kur agresori ka detyrim të paguajë për dëmet e luftës”, tha Tahiri.

Drejtuesi aktual i ekipit negociator të Kosovës në bisedime, Shpend Ahmeti, tha se Prishtina tani ka paraqitur kërkesën e saj për shqyrtim.

“Në këtë fazë, na është kërkuar që të paraqesim të gjitha temat që mendojmë se duhet të jenë pjesë e marrëveshjes përfundimtare. Ne kemi sqaruar se një nga pikat kryesore të kërkesave tona është çështja e dëmshpërblimeve”, tha Ahmeti.

“Por në këtë fazë, Brukseli nuk po komenton kërkesat e secilës palë, nuk po thotë nëse është një pretendim i mirë apo i keq”, shtoi ai.

Kosova po këmbëngul që një mekanizëm për pretendimet e kompensimit të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, qoftë në formën e një procesi arbitrazhi apo duke përfshirë gjykata ndërkombëtare.

Ahmeti pranoi se Kosova nuk ka ekspertizë të mjaftueshme për të vlerësuar siç duhet këto dëmshpërblime dhe tha se do të ishte më mirë të pranohet një mekanizëm ndërkombëtar që do të ofronte një zgjidhje të drejtë.

Për Hamdi Sejdiun, katër vëllezërit e të cilit u vranë në një masakër nga forcat serbe 21 vjet më parë, çdo kompensim i paguar nga Beogradi do të ishte vetëm një njohje e vuajtjes së tij dhe jo një zgjidhje për të.

“Edhe sikur të më jepni botën, Serbia s’mund ta shlyejë kurrë dhimbjen emocionale që ata më kanë shkaktuar”, tha ai.

“Çfarë mund ta kompensojë vrasjen e katër personave? Asgjë.”

Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së grantit të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.

Share