Hapet në Kosovë qendra e dokumentacionit për krimet e luftës

Hapet në Kosovë qendra e dokumentacionit për krimet e luftës

BalkanInsight_logoFondi për të Drejtën Humanitare ka hapur në Prishtinë një qendër dokumentacioni për krimet e luftës me informacione nga pesë gjyqe që kanë lidhje me Kosovën e që janë zhvilluar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha se hapi qendrën e re të dokumentacionit në Prishtinë, në mënyrë që njerëzit të informohen më mirë për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Edhe pse ne dëgjojmë gjithmonë njerëz që thonë se ata e dinë se çfarë ndodhi gjatë luftës, nëse kërkoni më shumë detaje, vetëm pak prej tyre i njohin të dhënat e sakta,” tha Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i FDH Kosovë.

“Në ditët e stome tema e luftës po përgjithësohet, në fraza si “20, 000 gra të përdhunuara”, “mijëra të vrarë”, por asgjë më shumë se kaq. Ne nuk mund të krijojmë një kujtesë kolektive për luftën bazuar në fakte në këtë mënyrë,” tha Blakaj.

Fotografi lufte të ekspozuara në qendrën e re të dokumentacionit të luftës në Prishtinë. Foto: Sense Agency.

Ai shtoi se përveç të afërmve të viktimave, shumë pak njerëz i dinë të dhënat ose faktet e sakta për viktimat e luftës.

Fofografi nga Wade Goddard e shkrepur gjatë luftës në Kosovë, e ekspozuar në qendër. Foto: BIRN.

“Ne shpresojmë që nëpërmjet kësaj qendre, informacionet mbi viktimat e luftës do të përkujtohen në mënyrë të detajuar,” tha ai.
Narrativa e filmave është realizuar nga Qendra e Drejtësisë Tranzicionale SENSE dhe shpjegon se si Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë hetoi, rindërtoi ndoqi penalisht krime të kryera në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.Materiali i parë i qendrës së dokumentacionit ishin nëntë filma të shkurtër me nga 10-12 minuta, bazuar në të dhënat e marra nga pesë gjyqe në Gjykatën e Hagës – çështja kundër Slobodan MillosheviçitVlastimir DordeviçitNikola SainoviçitRamush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

“Këta filma janë të ndarë në tema të ndryshme si “Një krim që po priste të ndodhte”, “Hetimi i vonuar i skenës së krimit”, “Eksodi i fundit i shekullit të 20-të”, “Të mbijetuar nga fushat e vrasjeve në Kosovë”, “Pa kufoma s’ka krime”, “Përtej çdo dyshimi”, “Shumë pengesa, shumë pak dëshmi” dhe “Një zinxhir komandues pa komandantë”, ” shpjegoi Blakaj.

Qendra e dokumentacionit u hap me dy ekspozita të përkohshme.

Njëra ka fotografi të realizuara gjatë luftës në Kosovë nga fotografi Wade Goddard nga Zelanda e Re dhe tjetra përmban skulptura të bëra me armë nga skulptori nga Kosova Ismet Jonuzi.

Një helikopter i bërë me armë nga skulptori Ismet Jonuzi. Foto: BIRN.

Ai inkurajoi gjithashtu të mbijetuarit e luftës që duan që historitë e tyre të dëgjohen të vizitojnë qendrën dhe t’i dokumentojnë ato.”Qendra do të jetë gjithmonë e hapur për këdo që mendon se mund të kontribuojë, të përfshihet në një projekt në çfarëdolloj mënyre aktive, siç është me ndonjë publikim apo punë artistike,” tha Blakaj.

“Ky është vendi i duhur për të mbijetuarit e luftës që duan të ndajnë historitë e tyre apo për ata që kanë sende nga koha e luftës,” tha ai.

Ai tha se kur Gjykata Speciale e Kosovës, e ngritur për të gjykuar ish-guerilasit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krimet e pasluftës, të fillojë seancat e saj në Hagë, edhe këto do të dokumentohen gjithashtu në qendër.

Share