Kandiq e befasuar me lejimin e hyrjes së Dikoviqit në Kosovë

Kandiq e befasuar me lejimin e hyrjes së Dikoviqit në Kosovë

Natasa KandicKandiq ka shtruar pyetjen se si është e mundur që komandanti i KFOR-it nuk i përcjell vendimet dhe qëndrimet e Qeverisë së Kosovës.

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, është shprehur e befasuar se si KFOR-i e ka lejuar hyrjen në Kosovë të kryeshefit të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, kur dihet se Dikoviq akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë (që ndërlidhen me rastin “Rudnicë).

Kandiq në një intervistë për RTV Dukagjinin, ka shtruar pyetjen se si është e mundur që komandanti i KFOR-it nuk i përcjell vendimet dhe qëndrimet e Qeverisë së Kosovës, përmes të cilave i ndalohet Dikoviqit hyrja në territorin e Kosovës.

“Mendoj se kjo është gjë mjaft e keqe, meqë dëshmon se KFOR-i me gjasë nuk është sa duhet i informuar për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës në raport me disa zyrtarë të lartë të Serbisë, të cilët që janë nën dyshime publike për përgjegjësi dhe pjesëmarrje në kryerjen e krimeve të luftës të njësiteve që kanë komanduar”, ka thënë ajo.

Sipas Kandiqit, Qeveria e Kosovës do të duhej të vendoste se a do t’i lejojë KFOR-it që të udhëheq politikë të pavarur apo do t’i përmbahet vendimeve të ekzekutivit kosovar, kur janë në pyetje interesat e larta si drejtësia dhe veprat e liga të kryera.

Ndryshe, ajo tha se nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj Dikoviqit, ndërkohë që Prokuroria për krime lufte në Beograd vazhdon hetimet, në bazë të padisë penale që Fondi për shkelje të nderit dhe reputacionit bëri ndaj tij.

Kandiq thotë se qeveria e Kosovës duhet të mbroj të drejtën e familjeve të viktimave dhe të ketë përgjigje edhe në disa pyetje.

Këto deklarata të Kandiq-it pasuan pas qëndrimit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, gjeneralit Lubisha Dikoviq në Prishtinë, për të nënshkruar marrëveshjen mbi procedurat operative pas relaksimit të plotë të Zonës së Sigurisë Ajrore me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Guglielmo Luigi Miglietta.

Kjo zonë (25 kilometra) ka qenë e përcaktuar me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të 2 gushtit 1999 dhe shtrihej përgjatë kufirit të Kosovës dhe Serbisë.

Share