FDH Kosovë: Me rastin e deklaratës së prokurorit të Ekipit Special të Hetimeve

FDH Kosovë: Me rastin e deklaratës së prokurorit të Ekipit Special të Hetimeve

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) vlerëson se rezultatet e hetimeve të deritashme të ekipit të pavarur Special hetues në krye me prokurorin Clint Williamson në mënyrë të bindshme tregojnë se në Kosovë pas luftës është zhvilluar një fushatë e ndjekjes kundër serbëve, romëve dhe popullatave të tjera pakicë si dhe kundër kundërshtarëve politik të udhëheqësve të UÇK‐së, për çka në Kosovë dihet, por heshtet nga frika për sigurinë personale.

Ekipi i Clint Williamsonit ka arritur deri te dëshmitë se rrëmbimet, zhdukjet e dhunshme, vrasjet, persekutimi i serbëve dhe i romëve nga shtëpitë e tyre nuk janë vepra të individëve, të cilët kanë dalur nga kontrolli, por se kanë qenë të miratuara nga udhëheqësit në pozita të larta të ish UÇK‐së. Ekipi nuk ka arritur deri te provat për tregtim me organe njerëzore, të cilat do ta siguronin ndjekjen penale; edhe pse ka indicie se praktika e tillë ka ndodhur vetëm në një numër të kufizuar, i cili nuk i kalon dhjetë raste, kjo nuk e zvogëlon përgjegjësinë e individëve nga kreu i ish UÇK‐së për vepra penale, të cila nuk kanë kurrfarë lidhjesh me mbrojtjen e Kosovës ose me luftën për liri.

Pas deklaratës së djeshme të prokurorit të Ekipit Special Hetues, FDH Kosovë beson se ekipi special hetues i Bashkimit Evropian dhe gjykata, e cila do të formohet, kanë potencial për të hequr pengesat, për shkak të të cilave prokurorët e UNMIK‐ut dhe të EULEX‐it nuk kanë pasur sukses për ta bërë për vete opinionin publik vendor për procesuimin e pjesëtarëve të UÇK‐së, të cilët kanë vrarë serb e romë vetëm pse kanë dashur të qëndrojnë në Kosovë, kurse i kanë vrarë kundërshtarët politik vetëm pse nuk janë pajtuar me kryerjen e krimeve ose pse ndihmën ndaj të rrezikuarve nuk e kanë parë si tradhti ndaj Kosovës. Kosovës i duhet shteti i së drejtës, i cili nuk do të lejojë shantazhimin e dëshmitarëve.

FDH Kosovë rikujton faktin se Tribunali i Hagës i ka gjykuar me dënime me burgosje pothuajse gjithë kreun shtetëror të ish Serbisë për krimet, të cilat i kanë kryer forcat serbe ndaj shqiptarëve. Por me këto krime nuk mund të arsyetohet kurrfarë krimi kundër serbëve, romëve dhe të tjerëve pas muajit qershor të vitit 1999.

Share