Policët serbë akuzohen për vrasjen e shqiptarëve të Kosovës
Një organizatë për të drejtat e njeriut në Serbi ka dorëzuar akuza kundër katër oficerëve të policisë për vrasjen e nëntë shqiptarëve në qytetin e Vushtrisë në Kosovë, në vitin 1999.
Qendra e të Drejtës Humanitare në Beograd, HLC, ka dorëzuar akuza kundër katër anëtarëve të tanishëm të forcave policore në Serbi për krime ndaj civilëve shqiptarë që dyshohen të jenë kryer në fund të prillit dhe fillim të majit në vitin 1999 në Kosovë.
“Akuzat janë dorëzuar kundër dy anëtarëve të njohur dhe dy të panjohur të policisë, duke qenë se ka dyshime se në tre incidente të ndryshme, rreth dhe brenda qytetit të Vushtrisë, vranë nëntë civilë shqiptarë”, tha HLC në një deklaratë të mërkurën.
Akuzat iu dorëzuan prokurorit për krime lufte në Serbi, që tani është i detyruar të hetojë rastin dhe të vendosë nëse ka baza për të paditur policët.
Sipas HLC-së, gjatë fushatës së bombardimit të NATO-s që kishte për synim t’i jepte fund konfliktit në Kosovë, nga 24 marsi, 1999, deri më 10 qershor, 1999, forcat serbe vranë 403 civilë shqiptarë, mes tyre 58 gra dhe10 fëmijë, në zonën e Vushtrisë.
Dymbëdhjetë civilë ende nuk janë gjetur.
Deri më tani askush nuk është gjykuar për vrasjet, në Serbi ose Kosovë.
Marija Ristic