Dëshmitë e viktimave të torturës në burgjet e Serbisë

Të martën me 4 Qershor 2013, para Gjykatës Themelore në Beograd, Nazmi Spahiu dhe Behxhet Rrmoku, viktima të torturës dhe burgosjes së paligjshme dhanë dëshmitë e tyre në procedurën për dëmshpërblim të cilën e ka inicuar Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në prill të vitit 2010 kundër Republikës së Serbisë për përgjegjësinë e shtetit ndaj torturës në paraburgim të paligjshëm gjatë viteve 1999 dhe 2000. Nazmi Spahiu dhe Behxhet Rrmoku dëshmuan në lidhje me arrestimin dhe torturimin e përjetuar në burg, si dhe për pasojat e torturës të cilat ende i vuajnë  si dhe trajtimin mjekësor afat-gjatë të cilit i janë nënshtruar.

Nazmi Spahiu me familjen e tij në mars të vitit 1999 ishte larguar nga fshati Tërstenik / Trstenik për në Shterubullovë/ Štrbulovo sepse ushtria u kishte djegur shtëpinë. Në Shterubullovë/ Štrbulovo kishin qëndruar deri më 28 Maj të vitit 1999 kur ushtria dhe policia serbe hyri në fshat dhe i dëboi nga shtëpitë e tyre. Nazmiun së bashku me në një grup meshkuj i kishin rreshtuar pran një muri, dhe pas kontrollimit janë urdhëruar të zhvishen lakuriq. Ashtu ata kanë qëndruar rreth 10 minuta ndërsa policët i kanë pasur pushkët të drejtuara në kokat e tyre. Më pas, Nazmi është dërguar në stacionin policor në Gllogoc / Gllogovac ku policët e kanë marrë në pyetje duke e rrahur nga gjashtë (6) e mëngjesit deri në katër (4) të pasdites. Pas marrjes në pyetje në stacionin e policisë, ishin transportuar për në burgun e Lipjanit / Lipljan. Pas arritjes në burg u kanë prerë flokët tullac dhe i kanë vendosur në palestër ku kanë qenë rreth 250 persona. Kushtet në burgun e Lipjanit / Lipljan ishin katastrofike. Nga ushqimi u ishte dhënë vetëm një lugë reçel për katër njerëz. Nuk u është lejuar të pastrohen dhe për atë arsye shumica e të burgosurve kishin morra dhe zgjebe. Policët dhe rojet e burgut vazhdimisht i kërcënonin dhe i rrihnin. Pasi që tualeti ku ishin të mbyllur ishte jashtë sallës ata shkonin në grupe për shkak se policët i rrihnin kur ata shkonin individualisht. Më 9 Qershor, policët u kishin thënë se marrëveshja paqësore është nënshkruar dhe që do të lirohen por në vend të kësaj ata u shoqëruan në autobusë me duart të prangosura dhe u dërguan në burgun e Pozharecit. Pas arritjes në Pozharec, Nazmiun e kishin vendosur menjëherë në pavijonin e VII-të ku ishin të vendosur të burgosurit për krimet më të rënda. Në izolim ishte më shumë se gjashtë (6) muaj pa pasur mundësi të shëtisë dhe të bisedoj me të burgosurit e tjerë.  Ju ishin mundësuar vetëm vizitat e përfaqësuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Nazmiu është liruar më 11 Prill vitit 2000 pas 11 muaj qëndrimi në paraburgim të paligjshëm. Për shkak të pasojave të abuzimit dhe torturës, ka lëndim në sup, përjeton ankthe, ka përqendrim të dobët dhe rregullisht viziton neuropsikiatrin.

Behxhet Rrmoku me datën 4 Prill vitit 1999 më familje ishte largua nga fshati  Herticë/Hrtica për në fshatin Shajkoc/Šajkovac për shkak ardhjes së ushtrisë dhe policisë serbe. Nga aty shpesh shkonte në fshatrat fqinj për ushqim. Më 28 Prill të vitit 1999 Behxheti ishte nisur në fshatin  Turuçicë/Turučica, ku u zu në pritë nga ushtria serbe. Ai ishte i plagosur në këmbë dhe ushtarët e dërguan në spital në Prishtinë/ Priština. Tre ditët e para në spital çdo gjë ishte në rregull por pastaj policët filluan ta torturonin. Së pari e kishin vënë nën mbikëqyrje, pastaj mjekëve u ishte ndalur ta vizitonin, i ishte kufizuar ushqimi dhe uji si dhe nuk i epeshin ilaçet. Pas 17 ditësh në spital, Behxhetin e kishin marr dy policë dhe e kishin transportuar në burgun e Lipjanit/ Lipljan. Aty ka qëndruar prej 15 Maj deri më 10 qershor të vitit 1999 kur të gjithë të burgosurit ishin shoqëruar nga rojet dhe me autobusë ishin dërguan në burgun e Sremska Mitrovicës. Pas arritjes në burgun Sremska Mitrovica ndërmjet autobusit dhe ndërtesës së burgut i priste rreshti i policëve nga njëra anë dhe i të burgosurve nga ana tjetër të cilët i rrihnin me shkopinj gome dhe shufra. Kushtet në burgun e Sremska Mitrovicës ishin njëlloj të këqija si në burgun e Lipjanit/Lipljan. Ushqim u ofronin shumë pak, nuk kanë pasur ku të flinin dhe për shkak të higjienës së dobët pothuajse të gjithë të burgosurit ishin me morra dhe zgjebe. Pas lirimit më 30 maj të vitit 2000 Behxheti i është drejtuar mjekut për shkak të problemeve me këmbë si dhe problemeve psikike. Për shkak të torturës dhe abuzimit, shpesh ndihet i tensionuar pa asnjë arsye, bënë gjumë të dobët dhe i pengon zhurma. Behxhet Rrmoku ishte 13 muaj në paraburgim dhe ndaj tij nuk është iniciuar ndonjë procedurë ligjore.

 

Share