Raport i prezantuar mbi drejtësinë tranzicionale dhe revista Forum për drejtësinë tranzicionale
Koalicioni për KOMRA e ka prezantuar sot, në datën 9 prill të vitit 2013, në Qendrën për Media në Beograd, Raportin mbi drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave për vitin 2010/2011 dhe numrin 4 të revistës Forum për drejtësi tranzicionale. Mbi Raportin kanë folur Natasha Kandiqi, koordinatore e procesit KOMRA dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Sandra Orloviqi, drejtoreshë ekzekutive e FDH-së, Mario Mazhiq nga Nisma e të Rinjve nga Kroacia, kurse Denisa Kostoviçova, ligjëruese në Shkollën e Londrës për Politikë dhe Ekonomi, e ka prezantuar Forumin. Moderatore e tubimit ka qenë Maja Miqiç nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Serbia. Në Konferencë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e shoqërisë civile, të ambasadave dhe mediat.
Natasha Kandiqi e ka vënë në spikamë se drejtësia penale ka mangësi serioze në raport me viktimat dhe se në fushën e vërtetimit të fakteve dhe të komunikimit të së vërtetës më të forta janë nismat, të cilat burojnë nga shoqëria qytetare se sa nga institucionet shtetërore. Këtë e ka ilustruar me shembullin e Nismës për KOMRA, që ka potencial për të krijuar një tablo më të gjerë mbi ngjarjet e viteve nëntëdhjetë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, me vërtetimin e fakteve dhe mbi krimet e luftës, të cilat nuk janë objekt i gjykimeve, si dhe mbi të gjitha viktimat. „KOMRA do t’i kontribuojë pajtimit me anë të dokumentimit të të gjitha viktimave të luftës, që përfaqëson një formë të rëndësishme të pranimit publik të viktimave. Këtë e dëshmon edhe Libri i Kujtimit i Kosovës, i cili është i vetmi dokument i pranuar edhe në Kosovë e edhe në Serbi.“ Kandiqi ka thënë, megjithëkëtë, shtetet e kanë obligimin dhe fuqinë që pranimin publik të viktimave ta bëjnë të përhershëm dhe përgjithësisht të pranueshëm me anë të organizimit të dëgjimeve publike.
Kandiqi ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është kusht i inicimit të procesit të ballafaqimit me të kaluarën në Serbi dhe Kosovë.
Sandra Orloviqi ka folur mbi gjykimet për krimet e luftës dhe reparacionet në Serbi. Ajo posaçërisht ka theksuar trendin negativ në punën e Prokurorisë për Krime të Luftës, i cili gjithnjë e më pak po ngrit aktakuza, pastaj faktin se nuk po zbatohet instituti i përgjegjësisë komanduese, si dhe sistemin tejet të dobët të mbrojtjes së dëshmitarëve, veçanërisht ish pjesëtarëve të ushtrisë dhe të policisë. Ligji mbi të drejtat e viktimave civile të luftës është me plot mangësi, të cilat ia pamundësojnë një numri të madh të viktimave për ta realizuar të drejtën në reparacione. „Viktimat e keqtrajtimit seksual nuk e kanë të drejtën në reparacione, nëse nuk mund ta dëshmojnë lëndimin fizik. Problem me realizimin e të drejtës në reparacione kanë edhe viktimat civile, të cilat vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik si dhe familjet e personave të zhdukur.“
Mario Mazhiqi ka thënë se ekziston një përparim në gjykimet për krime të luftës në Kroaci, sepse është mundësuar shfrytëzimi i dëshmive të Hagës në gjykimet vendore për krimet e luftës. Bashkëpunimi rajonal i prokurorive është i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve, me të cilat ballafaqohen gjykatat, por edhe më tutje është problem i madh mosekzistimi i prokurorisë speciale për krime të luftës. „Po ashtu ekziston një problem i madh e ky është anshmëria e gjykatave, të cilat kroatëve si rrethanë lehtësuese ua marrin rininë, entuziazmin patriotik, kurse të akuzuarve të kombësisë jo-kroate këtë nuk ia pranojnë.“ Mazhiqi posaçërisht e ka theksuar përkrahjen e fortë të kryetarit Ivo Josipoviqit për procesin e KOMRA-s, që jo fort moti është treguar edhe me emërimin e të dërguarit personal në grupin e ekspertëve për KOMRA-n.
Denisa Kostoviçova, redaktore e numrit 4 të Forumit për drejtësinë tranzicionale, e ka prezantuar revistën, e cila ka lindur nga një seri e dialogëve të organizatave joqeveritare dhe të hulumtuesve, të cilët merren me drejtësinë tranzicionale në Komisionin Evropian. Kostoviçova e ka theksuar se Bashkimi Evropian e ka filluar rishqyrtimin e rolit të vet dhe atë të qasje ndaj drejtësisë tranzicionale, i cili përmes politikës së kushtëzimit para së gjithash ka qenë i fokusuar në gjykimet. „Nëse merret parasysh se integrimi evropian i Ballkanit është përgjigje ndaj luftës dhe paqëndrueshmërisë, është paradoksale se Bashkimi Evropian, në atë qasjen e tij ndaj hapësirave të ish-Jugosllavisë, përmes Procesit të stabilizimit dhe të Asocimit, në të vërtetë është shmangur nga trajtimi i drejtpërdrejtë i çështjes së ballafaqimit me të kaluarën jashtë proceseve të Hagës“. Dialogu në Komisionin Evropian e ka vënë në spikamë potencialin dhe rëndësinë e shoqërisë civile, posaçërisht duke u përqendruar në KOMRA-n, si nismë rajonale e cila buron nga shoqëria civile. „Publiku ndërkombëtar e përcjell procesin e KOMRA-s me një vëmendje të veçantë, sepse, për dallim nga komisionet e deritashme për të vërtetën dhe pajtimin, kjo është një nismë rajonale, e cila buron nga shoqëria civile dhe, për këtë arsye, është posaçërisht interesante për hulumtuesit, të cilët merren me konfliktet në Afrikë dhe në Kaukaz, që janë transnacionale si edhe konfliktet në hapësirën e ish-Jugosllavisë.“