Dëgjim i përsëritu i motrave Bogujevci

Para Gjykatës së Lartë në Beograd ka vazhduar procedura për kompensimin e dëmit, të cilën e ka filluar Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në muajin gusht të vitit 2008 kundër Republikës së Serbisë në emër të motrave  Saranda, Jehona dhe Lirie Bogujevci, të cilat janë plagosur rëndë në krimin, të cilin e kanë kryer pjesëtarët e njësisë “Akrepat” (Škorpioni) të formacionit rezervë të MPB-së së Serbisë në Podujevë në datën 28 mars të vitit 1999.

Motrat Bogujevci i kanë dhënë deklaratat e tyre të para në muajin dhjetor të vitit 2008 para Gjykatës së Parë komunale në Beograd kur kanë folur mbi  krimin, të cilin e kanë mbijetuar, mbi operacionet e shumta dhe për shërimin afatgjatë, nëpër të cilin janë detyruar ato të kalojnë. Pas reformës së gjyqësorit në vitin 2010, kjo lëndë ka kaluar në kompetenca të Gjykatës së Lartë në Beograd dhe i është caktuar trupit gjykues, me të cilin ka kryesuar gjykatësja Angjelka Opaçiq. Me gjithë argumentet e avokatit të FDH-së se deklaratat e mëhershme kanë qenë të hollësishme, gjykatësja Opaçiq ka ngulur këmbë për t’i dëgjuar motrat edhe njëherë me arsyetimin se „ka për t’ua shtruar edhe ca pyetje”.

Gjykatësja i ka parashtruar Sarandës, Jehonës dhe Liries pyetje identike, prej kur dhe me kë jetojnë në Britaninë e Madhe, në çfarë moshe kanë qenë kur kanë shkuar nga Kosova në Britani të Madhe, kur janë njoftuar mbi procedurën penale e cila është zhvilluar kundër kryerësve të krimeve të luftës, a kanë ekzistuar pengesa që ato më herët t’i drejtohen gjykatës, kur kanë vendosur që ta fillojnë procedurën për kompensimin e dëmit dhe, pos gjykatës për kompensimin e dëmit, para fillimit të procedurës a i janë drejtuar vet kryerësve të veprave penale ose ndonjë institucioni tjetër.

Saranda Bogujevci ka thënë se në Britaninë e Madhe jeton nga muaji shtator i vitit 1999 dhe se jeton me babanë e saj, njekën dhe dy (2) vëllezër. Në Britani të Madhe ka shkuar kur ka qenë në moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare. Për procedurën penale është njoftuar në vitin 2008 kur ia ka dhënë gjykatës deklaratën e parë. Nuk i kujtohet nëse kanë ekzistuar pengesat për fillimin e procedurës për kompensimin e dëmit,  sepse atëherë ka qenë e interesuar për procedurën penale, e cila ka qenë në zhvillim e sipër. Nuk i kujtohet saktësisht se kur ka filluar procedura për kompensimin e dëmit, por e din se paraprakisht nuk i është drejtuar institucioneve ose kryerësve të veprës penale.

Jehona Bogujevci ka thënë se ka qenë në moshën njëmbëdhjetë (11) vjeçare kur ka shkuar në Britani të Madhe, se i kujtohet që i ka dhënë deklaratë gjykatës në vitin 2008, por se nuk i kujtohet se kanë ekzistuar pengesat për fillimin e procedurës për kompensimin e dëmit. Si edhe Saranda, Jehona nuk i është drejtuar paraprakisht institucioneve dhe kryerësve të veprës penale për kompensim të dëmit.

Motra më e vogël, Lirie Bogujevci ka qenë në moshën nëntë (9) vjeçare kur ka shkuar në Britani. Nuk i kujtohet saktësisht nëse kjo ka qenë në muajin tetor ose  në muajin nëntor të vitit 1999, sepse gjatë gjithë kohës, nga muaji mars i këtij viti, ka qenë në spital. I kujtohet se deklaratën e parë ia ka dhënë gjykatës në vitin 2008, por nuk e din se kur ka filluar procedura për kompensimin e dëmit.

Gjykatësja Opaçiq i ka parashtruar pyetje shtesë Sarandës dhe Liries ”Si ka ndodhur që të shkojnë pikërisht në Britani të Madhe?”

Të dyja motrat janë përgjigjur se me ndihmën e KFOR-it britanik dhe të mjekëve nga Mançesteri kanë kaluar në Britani, sepse kanë pasur plagë të rënda dhe se në Kosovë nuk kanë mundur ta kenë trajtimin mjekësor adekuat.

Komentim i vëzhguesit:

Gjykatësja Opaçiq ka shtuar pyetjet në mënyrë poshtëruese, e cila është e papërshtatshme për gjykatën. Pyetja se përse kanë shkuar për të jetuar „pikërisht në Angli “ nuk hyn në fushën e pyetjeve juridikisht relevante.

Para fillimit të seancës gjyqësore, gjykatësja Angjelka Opaçiq ka dashur që ta përjashtoj praninë e publikut , por, pas vërejtjes së avokatit të FDH-së, ua ka lejuar vëzhguesve (vëllait të Lirijes dhe të Jehona Bogujevcit, gazetarit të BBC-së Paresh Patel dhe të punësuarve në Fondin për të Drejtën Humanitare) të jenë të pranishëm gjatë gjykimit nëse do të kishte vend për t’u ulur.

Pas hapjes së seancës gjykatësja paralajmëroi publikun se ajo që do të flitet në sallën e gjyqit nuk mund të komunikohet jashtë sallës së gjyqit dhe në media, përkundër asaj se për ketë nuk ekziston asnjë bazë ligjore, sepse neni 323 i Ligjit të Procedurës Civile nuk e detyron publikun pjesëmarrës të seancës dëgjimore të mbajë sekrete.

Share