Gjykatat në Serbi sjellin vendime gjyqësore me kompensime përulëse në të holla për viktimat joserbe
Gjykata e parë themelore në Beograd ka sjellë vendimin gjyqësor, me të cilin e ka obliguar Republikën e Serbisë që t’ua paguajë kompensimin në shumën prej 1,3 miliona dinarësh pesë shqiptarëve nga Kosova, për shkak të paraburgimit të tyre të paligjshëm, prej 8 deri në 17 muaj, si dhe për shkak të keqtrajtimit që iu është bërë nga ana e pjesëtarëve të MPB-së së Serbisë dhe Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ). FDH konsideron se gjykimet në Republikën e Serbisë po vazhdojnë me praktikën e vendimeve gjyqësore përulëse dhe me kompensimet e padrejta në të holla për shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën. FDH do t’ia deponojë ankesën gjykatës, kurse nga qeveria e re do të kërkojë që ta vendos standardin e kompensimit të drejtë për shkeljen e të drejtave të njeriut në të kaluarën, me të cilin, de facto, do të hiqet diskriminimi i viktimave joserbe.
Gjykata në mënyrë të rregullt ka pohuar se pjesëtarët e MPB-së dhe të Ushtrisë së Jugosllavisë e kanë burgosur Tahir Bytyqin, Smajl Gashin, Rrahman Elshanin, Hysni Podrimçakun dhe Bekim Istogun pa bazë ligjore dhe se gjatë qëndrimit në të tyre burg ata i janë ekspozuar torturës dhe, për këtë arsye, shëndeti i tyre është rrënuar përgjithmonë. Po ashtu, gjykata ka gjetur se pjesëtarët e MPB-së së Serbisë nuk i kanë lajmëruar familjet e tyre për burgosjen, me çka e kanë shkelur nenin 147 të Ligjit të atëhershëm të Procedurës Penale.
FDH, në datën 26.04.2010, në emër të viktimave të përmendura të të drejtave të shkelura, e ka nisur procedurën për realizimin e të drejtës në kompensimin material. Gjykata i ka mbajtur gjashtë seanca gjyqësore. Gjatë gjykimit, Bytyqi, Gashi, Elshani, Podrimçaku dhe Istogu janë dëgjuar dhe me qëllim të vërtetimit të pasojave të torturës dhe të qëndrimit në paraburgim i ka kontrolluar ekipi i ekspertëve mjekësor, i cili ka vërtetuar se shëndeti i tyre është dëmtuar përgjithmonë.
Faktet:
Forcat serbe, në fund të vitit 1998, Tahir Bytyqin me familje, si edhe fshatarët e tjerë, i ka dëbuar nga fshati Gjergjicë në Abri (komuna e Gllogocit). Tahiri, me familjen e tij, aty kanë mbetur gjashtë muaj. Në muajin maj të vitit 1999 UJ e ka granatuar Abrin. Tahiri me familje ka ikur në Çikatovën e re. Janë vendosur në kooperativën bujqësore. Në datën 27.05.1999, policia ka hyrë në fshat dhe të gjithë njerëzit që ndodheshin në kooperativë i ka nxjerrë jashtë. I kanë ndarë meshkujt nga femrat dhe i kanë dërguar në stacionin policor në Gllogoc. Në stacionin policor e kanë pyetur Tahirin në lidhje me UÇK-në. Gjatë marrjes në pyetje, një polic e ka therur atë me thikë në stomak. Tahirin e kanë dërguar në spital në Prishtinë. Pas ndihmës së ofruar, e kanë dërguar në burg në Lipjan. Aty i ka kaluar 10 ditë. Ka qenë i vendosur në sallën e sporteve me së bashku rreth 400 të burgosur. Pas arritjes së marrëveshjes së Kumanovës në datën 10.06.1999, të burgosurit shqiptar nga Lipjani dhe burgjet e tjera në Kosovë janë transferuar në burgje në Serbi. Tahiri i ka kaluar dy muaj në qeli vetëm në burgun e Pozharevcit. Gjatë gjithë kohës ka qenë në gjendje shumë të keqe shëndetësore, pa kujdesin mjekësor. Nga burgu është lëshuar në datën 23.03.2000, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK). Kundër tij kurrë nuk është zhvilluar procedurë penale dhe as që është dëgjuar gjatë vuajtjes së dënimit në burg.
Në muajin maj të vitit 1998, Smajl Gashi me familjen e tij ka ikur nga fshati Llapushnik në Çikatovën e re. Në atë fshat e ka burgosur policia në datën 24.04.1999, kur atë dhe meshkujt e tjerë i ka ndarë nga familjet dhe e kanë dërguar, në fillim, në burgun e Prishtinës e, pastaj, në burgun e Lipjanit. Gardianët e burgut e kanë rrahur çdo ditë dhe e kanë detyruar të pranojë se e ka ndihmuar UÇK-në. Në datën 10 qershor të vitit 1999, policia, Smajlin me të burgosurit e tjerë të burgut të Lipjanit, i ka transferuar në burgun e Pozharevcit. Ka qenë i akuzuar për terrorizëm. Gjykimi ka zgjatur shtatë muaj. Në muajin korrik të vitit 2000, Gjykata e Qarkut në Nish e ka liruar nga aktakuza, kur edhe është liruar nga burgu.
Rrahman Elshani është burgosur në muajin maj të vitit 1999 në fshatin Shtrbullovë, ku ishte strehuar me familjen e tij pasi që është detyruar ta braktis fshatin Krajkovë. Është dërguar në stacionin policor në Gllogoc. Policët ia kanë dhënë për ta nënshkruar një dokument, kurse, kur Rrahmani ka dashur ta lexoj atë, e kanë rrahur. Pas dy ditësh, policia e ka transferuar Rrahmanin në burgun e Lipjanit, ku i ka kaluar dhjetë ditë. Në Serbi është transferuar në datën 10.06.1999, atëherë kur edhe janë transferuar të burgosurit e tjerë shqiptarë. Gjatë qëndrimit në burg në Pozharevc, Rrahmanin askush nuk e ka marrë në pyetje dhe as që është zhvilluar ndonjëherë procedurë penale kundër tij. Rrahmani, me ndërmjetësimin e KNKK, është liruar në datën 22 prill të vitit 2000.
Hysni Podrmiçaku po ashtu është burgosur në fshatin Shtrubullovë. Në burgun e Prishtinës e kanë rrahur, kurse pastaj është transferuar në burgun e Lipjanit. Gardianët e kanë rrahur Hysniun çdo ditë, rrahje të cilat i kanë shkaktuar lëndim të kokës. Nga data 10.06.1999, ai ka qenë i paraburgosur në burgun e Mitrovicës së Sremit. Është akuzuar për terrorizëm. E ka gjykuar Gjykata e Qarkut në Nish. Gjykimi ka filluar në datën 5.12.1999 dhe ka zgjatur shtatë muaj. Është liruar nga përgjegjësia penale në datën 5 korrik të vitit 2000.
Gjashtëmbëdhjetë vjetarin, Bekim Istogun, policia e ka burgosur në datën 30.04.1999, derisa ai me familjen e tij po iknin nga fshati Verbovc. Ushtria dhe policia e kanë ndaluar kolonën e civilëve dhe i kanë ndarë meshkujt nga gratë. Edhe pse ka qenë i moshës jomadhore, Bekimin e kanë ndarë me meshkujt e tjerë. Policët i kanë rrahur ata gjatë gjithë ditës. Në mëngjes kishin ardhur edhe ushtarë dhe policë të tjerë. I kanë goditur dhe i kanë gjuajtur me gurë të burgosurit. Pas një kohe të caktuar, ka arritur kamioni. Bekimit dhe të tjerëve iu është urdhëruar që të ngjiten në kamion, kurse policët dhe ushtarët e kanë krijuar “rreshtin”, nëpër të cilin kanë kaluar para se të hynin në kamion. Nga goditjet, të cilat i ka marrë në “rresht”, Bekimit i ka mbetur një vragë në ballë. Bekimin dhe të burgosurit e tjerë, i kanë transferuar në burgun e Prishtinës. Bekimin, vetëm, e kanë futur në një hapësirë të zbrazët, ku një polic e ka rrahur me shkop gome. Gjatë qëndrimit në burgun e Prishtinës, policët e kanë marrë në pyetje. Nuk ka pasur përkthyes, kurse Bekimi nuk e kuptonte gjuhën serbe. Pas transferimit në Serbi, Bekimi është vendosur në burgun e Mitrovicës së Sremit. Në pavijonin ku ishte vendosur ai kanë qenë rreth 90 njerëz. Nuk ka pasur shtrat. Të gjithë kanë fjetur në beton, njëri pranë tjetrit. Higjiena dhe kujdesi mjekësor kanë qenë të dobëta. Kundër Bekimit asnjëherë nuk është zhvilluar procedurë penale. Me ndërmjetësimin e KNKK, është liruar në muajin tetor të vitit 2000.