Degjimi i viktimave të burgosjes së paligjshme të Rrahman Elshanit dhe Bekim Istogut

Të hënën, në datën 21 maj të vitit 2012, Rrahman Elshani dhe Bekim Istogu, i kanë dhënë deklaratat e tyre para Gjykatës së Parë Themelore në Beograd në procedurën për kompensimin e dëmit kundër Republikës së Serbisë e për shkak të përgjegjësisë së saj për ndalimin e paligjshëm dhe torturën, të cilën e kanë përjetuar në vitet 1999 dhe 2000. FDH, në emër të Elshanit dhe Istogut, ka filluar procedurën në datën 26 prill të vitit 2010.

 

Rrahman Elshani, për shkak të ardhjes së Ushtrisë së Jugosllavisë në Krajkovë, me familjen e tij ka shkuar në Shtrubullovë (komuna e Gllogocit) ku i kanë kaluar dy-tre muajt në vazhdim. Diku në periudhën midis datës 28 dhe 30 maj të vitit 1999, pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë kanë hyrë në Shtrubullovë. I kanë tubuar të gjithë fshatarët. Rahmanin dhe meshkujt e tjerë i kanë ndarë nga gratë e pastaj i kanë dërguar në burg në Lipjan.

Në Lipjan i kanë kaluar dhjetë ditë. Çdo ditë i kanë rrahur. Në mbrëmje, në datën midis 9 dhe 10 qershorit të vitit 1999, gardianët i kanë tubuar të gjithë, i kanë lidhur dhe iu kanë urdhëruar të hyjnë në autobusë, me të cilët i kanë dërguar në burgun e Nishit. Ngaqë aty nuk kishte vend, i kanë dërguar në Pozharevc. Kur kanë arritur aty, gardianët i kanë rreshtuar të gjithë të burgosurit para murit dhe prej aty i kanë sistemuar në pavijone. Të gjithë të burgosurit i kanë pasur duart e lidhura pas shpine dhe Rrahmani është frikuar se mos rrëzohej, sepse secili i burgosur i cili është rrëzuar ose ka mbetur pas është rrahur nga gardianët. Kur janë vendosur nëpër qeli, vetëm disave prej tyre iu janë dhënë batanije. Në qeli kanë pasur vetëm një shtrat pa kurrfarë dysheku ose jastëku. Gjashtë muaj pas ardhjes në burg në Pozharevc, të burgosurit janë vizituar nga përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK). Ata i kanë pyetur të burgosurit lidhur me kushtet në burg. Të gjithë të burgosurit kanë thënë se nuk iu japin ujë dhe ushqim, se gardianët i keqtrajtojnë dhe se nuk mund të pastrohen. Pas shkuarjes së delegacionit të KNKK, gardianët  i kanë rrahur të burgosurit me ditë të tëra. Herën tjetër kur KNKK ka ardhur për vizitë, nuk është ankuar askush nga të burgosurit. Rrahmani ka thënë se për torturën, të cilën e ka përjetuar, mund të fliste me ditë të tëra, po më së vështiri e ka pasur për faktin që nuk ka mund të realizojë kontaktin me gruan dhe fëmijët. Derisa ka qenë në burg në Pozharevc, Rrahmanin dy herë e kanë dërguar në hetime. I kujtohet se e ka marrë në pyetje djali i njëfarë Gordanës , e cila ka jetuar në Gllogoc dhe se ai ka punuar në komunë. Në burg nuk i është dhënë as ndihma themelore mjekësore. Në faqen e djathtë e ka pasur një ithatë, të cilin në fund është detyruar ta hap vet. Në fillim nuk iu është lejuar të dalin jashtë, por me kohë iu është lejuar shëtitja në oborr. Rrahmani i ka vuajtur 11 muaj në burg, kurse është liruar në datën 21 ose 22 prill të vitit 2000. Kundër tij kurrë nuk është zhvilluar kurrfarë procedure.

Tortura dhe gjithçka që ka përjetuar gjatë paraburgimit të paligjshëm kanë lënë pasoja të rënda në shëndetin psikik dhe fizik të Rrahmanit.

 

 Bekim Istogu ka jetuar me familjen e tij në Vrbovc (komuna e Gllogocit). Në muajin prill të vitit 1999, kur Ushtria e Jugosllavisë ka hyrë në fshat, ajo i ka dëbuar të gjithë njerëzit nga shtëpitë dhe i ka dërguar në drejtim të fshatit Gllarevë (komuna e Klinës). Në rrugë për në Gllarevë, ushtria dhe policia e kanë ndalur kolonën dhe, në një livadh, i kanë ndarë meshkujt nga gratë. Edhe pse aso kohe ka qenë i moshës jomadhore, Bekimin e kanë ndarë me meshkujt dhe këtë grup e kanë dërguar deri në skaj të një pylli. Aty iu kanë urdhëruar policët që ti vendosin duart në qafë dhe ta kthejnë shpinën. Bekimi ka qenë i sigurt se do t’i pushkatojnë. Atëherë, përmes radio lidhjes, policia ka marrë njëfarë urdhri, pas të cilit të gjithë meshkujt janë dërguar në disa stalla atypari. Aty, gjithë ditën, i kanë rrahur. Në mëngjes, në oborr kanë ardhur edhe ushtarë dhe policë të tjerë. I kanë goditur të burgosurit dhe i kanë hedhur me gur. Pas një kohe, ka ardhur një kamion. Bekimit dhe të tjerëve iu është urdhëruar që të ngjiten në kamion, kurse ushtarët dhe policët e kanë krijuar një ‘rresht’ , nëpër të cilin meshkujt e burgosur kanë kaluar para se të hyjnë në kamion. Nga goditjet, të cilat i ka marrë në “rresht”, Bekimit i ka mbetur një vragë në ballë.

Bekimin dhe të burgosurit e tjerë i kanë transportuar në burg në Prishitnë. Bekimin e kanë futur vetëm në njëfarë hapësire në burg, në të cilën nuk ka pasur asgjë pos gjakut në dysheme. Pas Bekimit ka hyrë një polic, i cili e ka urdhëruar të zbathet e pastaj e ka rrahur me shufër gome. Pas kësaj rrahjeje, aty kanë futur edhe të burgosur të tjerë dhe kanë filluar t’i marrin në pyetje. Bekimi nuk ka folur asgjë, sepse nuk e ka kuptuar mirë gjuhën serbe. Nuk iu kanë dhënë kurrfarë ushqimi. Bekimin, i cili aso kohe ishte 16 vjeçar, e kanë detyruar të rruhet, edhe pse aso kohe ai nuk ka pasur mjekër. Ai ka qenë i frikësuar dhe ka shpejtuar dhe, kështu, disa herë është prerë me zhiletë në fytyrë. Një ditë, kanë ardhur policët dhe të gjithëve ua kanë lidhur duart e pastaj i kanë dërguar nëpër autobusë me të cilët i kanë transportuar në Serbi. Së pari kanë shkuar në Nish dhe në Pozharevc. Aty nuk ka pasur vend dhe prandaj i kanë dërguar në Mitrovicën e Sremit. Gjatë rrugës nuk kanë guxuar ta çojnë kokën, sepse policët do t’i godisnin me kondakët e pushkëve. Në burg, në Mitrovicën e Sremit, i ka pritur “reshti”. I kanë rrahur të gjithë, derisa nuk i kanë mbyllur në pavijone. Në pavijonin e Bekimit kanë qenë rreth 90 njerëz. Nuk ka pasur krevat, vetëm ndonjë dyshek i hollë. Të gjithë kanë fjetur njëri pranë tjetrit, sepse vetëm ashtu kishte vend për të gjithë. Higjiena dhe kujdesi shëndetësor kanë qenë të këqija. Disave iu ishin shfaqur morrat, kurse disa të tjerëve zgjeba. Kanë qenë në një izolim total dhe nuk kanë guxuar të dalin. Bekimi është lëshuar nga burgu në tetor të vitit 2000 me ndërmjetësimin e KNKK. Gjatë kohës së paraburgimit, kundër Bekimit kurrë nuk është zhvilluar procedurë penale për kurrfarë vepre penale.

Për shkak të paraburgimit të pabazuar dhe torturës, të cilën e ka përjetuar, Bekimi sot vuan nga pasoja të rënda psikike.

Share