Serbia Debaton Gjyqet e Krimeve të Luftës

Procedimi i duhur i kriminelëve të luftës është kyç për rajonin për t’u përballur në mënyrën e duhur me të shkuarën, u konkludua në një debat për gjyqet e krimeve të luftës në Serbi.

Arsyeja për debatin e mbajtur të premten ishte raporti nga Qendra për të Drejtën Humanitare, një OJQ me bazë në Beograd, për rastet e krimeve të luftës që janë procesuar në Serbi, në vitin 2011.

Natasa Kandic, drejtoresha e Qendrës, tha se gjatë vitit të shkuar është bërë progres sa i përket bashkëpunimit rajonal.

Sidoqoftë, ajo shtoi, se një trend negativ është vërejtur në numrin e aktpadive të hedhura nga Prokuroria Serbe, e cila në vitin 2011 akuzoi vetëm nëntë autorë krimesh.

“Gjyqet penale janë instrumentet më të rëndësishme për të siguruar drejtësinë dhe gjykimet e gjykatave janë dënimi për keqbërjet e kryera në të shkuarën, për këtë arsyeja puna e tyre duhet monitoruar nga afër”, tha Kandic.

Edhe pse raporti shënon progres në lidhje m bashkëpunimin rajonal që nga viti 2003, çështjet politike shpesh e trazojnë marrëdhënien dhe bashkëpunimin midis prokurorive të Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë.

Bruno Vekaric, zëvendësprokurori për Krimet e Luftës, pajtohet se bashkëpunimi rajonal ka përparuar, duke shtuar se ka ende çështje të hapura që duhen zgjidhur.

“Serbia ka vetëm shtata raste me Kroacinë që janë ende të pazgjidhura, por Kroacia ka rreth 1500 raste, në të cilat të akuzuarit janë qytetarë serbë, dhe disa nga ato raste përbëjnë dhunim serioz të procedurës ligjore”, shpjegoi Vekaric.

“Për sa i përket Bosnjës, pothuajse nënshkruam një marrëveshje për procesimin e krimeve të luftës, por pala boshnjake u largua në minutën e fundit. Por kemi pasur sinjale pozitive nga Bosnja kohët e fundit, kështu që shpresojmë se kjo çështje do të zgjidhet në të ardhmen e afërt”, shtoi ai.

Zyra e Prokurorisë në Serbi për Krimet e Luftës po proceson aktualisht 86 raste, në bashkëpunim me prokuroritë nga rajoni, 51 raste me Kroacinë, 8 me Bosnjën, 5 me Malin e Zi dhe 6 me Misionin e BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë.

Raporti i Qendrës për të Drejtën Humanitare adreson gjithashtu çështjet e sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve në Serbi, duke shpjeguar se sistemi i tanishëm duhet riformuar, duke qenë se një numër dëshmitarësh janë ankuar se nuk kanë mbrojtjen e duhur.

Ivan Jovanovic, shefi i Seksionit të Krimeve të Luftës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, pajtohet se ka një problem me njësinë e policisë po kujdeset për të dëshmitarët e mbrojtur dhe se OSBE-ja ka përkrahur zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Vetëm nëse sistemi ndryshon, kjo mund të ishte fatale për procesimin e krimeve të luftës, duke qenë se ato janë çështjet më serioze midis vendeve në rajon”, paralajmëroi Jovanovici.

Gjetjet Kryesore në Raport:

  1. Bashkëpunimi Rajonal – Është arritur progres që nga viti 2003, por është ndikuar nga politika. Është vërejtur nevoja për në marrëveshje për bashkëpunim midis Serbisë dhe Bosnjës.
  2. Numër i Vogël i Aktpadive – Vetëm nëntë persona janë paditur në vitin 2011.
  3. Shumica e rasteve që Serbia ka gjykuar vitin e shkuar janë bazuar në aktpaditë e dhëna nga Kroacia ose Republika Srpska. Prokuroria Serbe nuk ka hedhur akuza kundër asnjë komandanti të nivelit të ulët në ushtri, edhe pse kanë qasje në dokumentet publike të ICTY-s që tregojnë për autorë të mundshëm krimesh.
  4. Gjyqet e krimeve të luftës, të mbajtura në gjykatat lokale kanë mangësi serioze.
  5.  Gjykata e Apelit vepron me gatishmëri.
  6. Ka ndryshime të mëdha midis gjykimeve të Gjykatës Speciale dhe Gjykatës së Apelit.
  7. Pala mbrojtëse zakonisht i zgjat gjyqet dhe ka mungesa në njohuri të ligjit ndërkombëtar dhe praktikave të ICTY-s.
  8. Mbrojtja e dëshmitarëve në Serbi nuk po funksionin siç duhet. Ekspertët besojnë se duhet të jetë nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë, dhe jo policisë, siç është rasti tani.
  9. Ligji i tanishëm në Serbi po parandalon debat të duhur publik, duke qenë se sipas ligjit, proceset që ende po mbahen nuk mund të diskutohen publikisht.
  10. Gjykatat vendore janë kundër përdorimit më të gjerë të ligjit ndërkombëtar penal dhe praktikave të ICTY-s.
Share