Vrasësit e familjes Hajra dënohen në përputhje me peshën e veprës penale
Gjykata Supreme e Kosovës, duke vendosur në shkallën e tretë, vërtetoi më 16.09.2009 vendimin gjyqësor të Gjykatës Supreme të Kosovës të datës 20.05.2008, sipas të cilës janë dënuar të akuzuarit Burim Ramadani, Arben Kiqina, Arsim Ramadani dhe Blerim Kiqina për shkak të vrasjes së pesë anëtarëve të familjes Hajra dhe tentim vrasjes së Pranvera Hajrës, më 20.08.2001, në fshatin Terstenik/Trstenik. Të akuzuarit Burim Ramadani, Arben Kiqina dhe Arsim Ramadani janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh, kurse i akuzuari Blerim Kiqina me 10 vite burgim.
Fondi për të Drejtën Humanitare – Kosovë është i mendimit se vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës është i drejtë, i bazuar në ligj dhe në përputhje me peshën e krimit. Për faktin se Pranvera e mbijetuar me këtë rast humbi gjithë familjen, është vështirë të flitet për satisfaksion të familjes së viktimave.
Aktakuza e përbashkët kundër Skender Halilajt dhe njëmbëdhjetë të akuzuarve të tjerë është ngritur më 16.09.2003, për shkak të sulmit nga pusia kundër familjes Hajra, e cila ishte duke u kthyer në shtëpi me automobil nga një festë familjare. Si pasojë e sulmit mbetën të vdekur Hamëz Hajra, gruaja e tij, Miradija, dhe tre fëmijët e tyre, përderisa Pranvera Hajra, atëherë shtatëmbëdhjetë vjeçare, u plagos. Para lufte Hamëz Hajra punonte në policinë serbe si inspektor i krminalistikës, që ishte motivi kryesor i sulmit.
Procedura në shkallën e parë pranë Gjykatës së Qarkut në Gjilan/Gnjilane zgjati nga 04.11.2003 deri më 07.04.2005, kur është shpallur aktgjykimi. Procedura në shkallën e dytë është iniciuar nga ankesa e mbrojtjes. Më 20.08.2009, Gjykata Supreme e Kosovës shqyrtoi dhe pranoi pjesërisht ankesat e mbrojtjes dhe i dënoi të akuzuarit Burim Ramadanin, Arbena Kiqinën dhe Arsim Ramadanin me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, përderisa të akuzuarin Blerim Kiqina e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh. Gjithashtu, të akuzuarit Skender Halilaj dhe Kimete Krasniqi u dënuan me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh për shkak të tentim-vrasjes së Pranvera Hajrës. E akuzuara Kimete Krasniqi, e cila është gjykuar në gjykatën e shkallës së parë në mungesë, është shpallur fajtore për veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armës dhe i është shqiptuar dënimi me burg në kohëzgjatje prej një viti, ashtu që ajo është dënuar me një dënim të vetëm në kohëzgjatje prej pesë vitesh e gjysmë. Të akuzuarit tjerë: Agim Xhylani, Adem Kiqina, Bekim Morina, Florim Kiqina, Muharrem Xhemajli dhe Zeqir Kiqina janë liruar nga akuzat.
Mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur ankesë në vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, në përputhje me nenin 430 paragrafi 1 pika 1 e KPPPK-së . Gjykata Supreme e Kosovës mbajti seancën më 15.09.2009, pas së cilës mori vendimin e lartëpërmendur. Vendimin e bazoi në deklaratën e të akuzuarit Blerim Kiqinës të dhënë në hetuesi, të datës 07.07.2002, ku ka përshkruar në mënyrë të hollësishme përgatitjet për organizimin e pusisë dhe sulmin ndaj familjes Hajra, si dhe deklarata e dëshmitarit të mbrojtur MB dhe të dëmtuarës, Pranvera Hajra.