Gjykata Supreme e Kosovës i dyfishon dënimin Predrag Đorđevićit, pjesëtar i Gardës së Car Lazarit

Gjykata Supreme e Kosovës, me panelin e kombinuar penal me në krye gjykatësin ndërkombëtar Norbert Koster, e ka shpallur më  4.5.2010. aktgjykimin fajësues për të akuzuarin Predrag Đorđević, me të cilin atij ia ka shqiptuar dënimin unik me burg prej 12 vjetësh dhe 3 muajsh, për veprat penale: shkaktimi i urrejtjes, ndarjes dhe jo tolerancës nacionale racore, fetare apo etnike dhe tentim vrasje të rëndë.

Në këtë mënyrë, Gjykata Supreme e Kosovës e ka dyfishuar dënimin, të cilin të akuzuarit ia ka shqiptuar në nëntor të vitit 2009, Gjykata e Qarkut në Mitrovicë/Mitrovica.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë konsideron se Gjykata Supreme e Kosovës e ka baraspeshuar në mënyrë të drejtë dënimin për të akuzuarin Đorđević. Dënimi i shpallur nga ana e gjykatës së shkallës së parë është dyfishuar për shkak të rrezikut dhe peshës së veprave penale të cilat i vihen në barë të akuzuarit, për shkak të pasojave të dëmshme në marrëdhëniet edhe po ashtu të rënduara etnike në një mjedis të ndarë dhe të tensionuar siç është Mitrovica. FDH Kosovë konsideron se një dënim i tillë mund të ketë rolin preventiv në kryerësit e ardhshëm potencial.

Aktakuza e ngritur më datën 30.6.2009, e ngarkonte të akuzuarin Đorđević, pjesëtar ii Gardës së Car Llazarit, se më 14.6.2008, e ka ngritur flamurin me kryq dhe embleme tradicionale serbe (katër shkronja “S” në afalbetin serb) mbi xhaminë Isa Bej në pjesën jugore të Mitrovicë/Mitrovice. Pastaj, ai pranë stacionit policor ka hapur zjarr në policët Enver Pllanën dhe Arjeta Xhoshën, të cilët tentonin t’i ofronin ndihmë sepse mendonin se ishte shurdhmemec. Me këtë rast, i akuzuari e plagosi policin Enver Pllanën, me çka i ka kryer veprat penale shkaktimi i urrejtjes, ndarjes apo jo tolerancës nacionale, racore, fetare apo etnike nga neni 115, paragrafi 3 i KPK si dhe tentim vrasje të rëndë nga nenet 146 dhe 147, lidhur me nenin 20 të KPK. Policia e ktheu zjarrin dhe e plagosi të akuzuarin Đorđević, me çka i dha fund sulmit të tij. Aktakuza e ngarkonte të akuzuarin edhe për veprën penale terrorizëm, por prokurorja ndërkombëtare Isabelle Arnal, në fjalën e saj përfundimtare, hoqi dorë nga kjo akuzë.

Gjykimi i shkallës së parë në këtë lëndë ka filluar më 27.07.2009. Gjatë 15 ditëve të gjykimit u dëgjuan një ekspert dhe 27 dëshmitarë,  në mesin e të cilëve edhe dy të dëmtuar. Gjatë procesit të nxjerrjes së provave, është bërë edhe ekspertiza psikiatrike-psikike e të akuzuarit, si dhe analiza e DNK-së së mostrave të gjetura në vendngjarje. Me aktvendimin e datës 19.11.2009, Gjykata e Qarkut në Mitrovicë e ka shpallur fajtor të akuzuarin dhe ia ka shqiptuar dënimin unik me burg në kohëzgjatje prej 6 vjetësh dhe 3 muajsh.

Share