FHP Kosova: Gjykimi dhe verdikti në lëndën e Florim Ejupit bënë drejtësi për viktimat

Kolegji Penal Ndërkombëtar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, me në krye gjykatësen ndërkombëtare Hajnalka Karpati, e ka shqiptuar më 6 qershor 2008 aktgjykimin me të cilin Florim Ejupi dënohet me 40 vjet burgim për shkak të sulmit mbi autobusin e Nish Ekspress-it në fshatin Livadhi/Livadice te Podujeva/Podujevo, në të cilin janë vrarë 11, ndërkaq janë dëmtuar 46 serbë.

Sulmi mbi autobusin e Nish Ekspress-it përbën një ndër sulmet më të rënda ndaj serbëve të Kosovës. Në përputhje me pasojat e kësaj vepre kriminale, Kolegji Penal Ndërkombëtar e ka shqiptuar dënimin deri më të tash më të rëndë. Duke pasur parasysh se kolegjet penale ndërkombëtare nën kompetencat e UNMIK-ut janë në përfundim e sipër të mandatit të tyre, dënimi i shqiptuar do të shërbente si standard për dënimin e kryerësve të veprave terroriste ndaj pjesëtarëve të pakicave etnike.

Verdikti i Kolegjit Penal Ndërkombëtar të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë ka nxjerr në pah se Florim Ejupi (30), nga fshati Sekiraq/Sekirača, komuna e Podujevës/Podujevo, ka marr pjesë më 16 shkurt 2001 në sulmin terrorist mbi autobusin e Nish Ekspress-it në fshatin Livadhë. Autobusi lëvizte nën mbikëqyrjen e KFOR-it suedez nga vendkalimi i Merdarës/Merdare drejt Podujevës. Pasagjerët serbë udhëtonin për në Graçanicë/Gračanica, ku planifikonin të merrnin pjesë në një ceremoni përkujtimore ortodokse (Dita e të Vdekurve). Në sulm janë vrarë: Nenad Stojanović, Dragan Vukotić, Lazar Milkić, Snežana Zdravković, Danilo Cokić, Sunčica Pejčić, Nebojša Cokić, Mirjana Dragović, Milinko Kragović, Veljo Stakić, Živana Tokić.

Gjykata ka mbajtur dhjetë seanca shqyrtimi në kuadrin e procesit të nxjerrjes së provave. Janë marrë në pyetje gjashtë dëshmitar të akuzës, ndërkaq mbrojta nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të propozuar dëshmitarët e vetë. I akuzuari mbrohej me heshtje.

FHP – Kosova, që e ka përcjellë tërë procesin gjyqësor kundër Florim Ejupit, vlerëson se ai është mbajtur në përputhje me standardet për gjykime të drejta dhe se gjykata e ka shqiptuar vendimin me të cilin bëhet drejtësi për viktimat.

Share